Adnan Januzaj nuk i ka mbushur 19 vjeç dhe ende nuk ka bërë asgjë të madhe në fushën e futbollit, ndonëse duhet besuar se është një talent me të ardhme të ndritur. E thonë ekspertë si Aleks Ferguson dhe David Moyes, po ashtu edhe shokët e tij te Manchester United, të cilët shohin tek ai një David Beckham në krahun e majtë. Kjo ka ngjallur dëshirën e madhe të shqiptarëve për ta pasur në kombëtaren e tyre, por sigurisht edhe të belgëve, pasi ai është lindur e rritur në Bruksel dhe futbollin e ka nisur në klubin e Anderlehtit. Januzaj deri tani nuk është prononcuar se me cilën skuadër dëshiron të luajë dhe ndoshta nga kjo synon të përfitojë një i tretë, Turqia. Gazeta “Milliyet” shkruan se djaloshi kosovar është me origjinë turke, ndaj po mendon edhe për kombëtaren e Turqisë si një mundësi për të luajtur në arenën ndërkombëtare. Tani nuk do të ishte çudi sikur një pretendim të tillë ta ngrinte edhe Anglia, aty ku lojtari dhe familja e tij synojnë ndërtimin e një karriere të madhe.
