Të marrësh një kredi në bankat e nivelet të dytë në vend, po bëhet gjithnjë e më shumë një mision i pamundur. Kjo si për biznesin ashtu edhe për individët. Frika e moskthimit të kredisë, ka detyruar bankat të shtrengojnë më tej kushtet e kreditimit. Vec kësaj, interesi i kredive mbetet i lartë dhe shpesh i papërballueshëm nga kredimarrësit. Ndërkaq, vendimit të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit, bankat e nivlet të dytë i kanë qëndruar indiferente, duke mos reflektuar uljen e interesit në kreditë e reja.
Kredia në valutë është tkurrur më tej gjatë gjysmës së parë të vitit 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë në valutë të huaj në fund të muajit Qershor ishte afro 342 miliardë lekë, me një rënie prej 3,4% krahasuar me një vit më parë. Kredia në valutë ka zbritur në 61% të totalit, nga 64% që zinte vitin e kaluar. Faktor që ka kufizuar kreditimin në valutë është edhe vështirësia në rritje për sigurimin e fondeve në valutë.
Sistemi bankar shqiptar zotëron pjesën më të madhe të depozitave në lekë, ndërsa mbi 60% e kredisë është në valutë të huaj. Shtimi i nivelit të huave të humbura po i bën bankat të jenë më të kursyera në dhënien e kredive. Shpenzimet për provigjionime u rritën me gati 300% me bazë vjetore në 7.8 miliardë lekë për gjashtëmujorin e parë 2013, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Me bankat që pothuajse e kanë ndërprerë dhënien e kredive, të ardhurat neto nga interesat zbritën me rreth 4%, duke arritur në 18 miliardë lekë. Kreditë me probleme në fund të tremujorit të dytë arritën në 24.4% të totalit, duke u rritur me 0.4 pikë përqindjeje në raport me tremujorin e parë, nga 22.8% që ishin në fund të vitit 2012.
Problematike në tremujorin e dytë të vitit është bërë rritja e huasë së humbur (Kredi të humbura quhen ato mbi 365 ditë vonesë, kur banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huanë për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar.) Këto kredi kanë arrritur në 9.2% të totalit në fund të tremujorit të dytë 2013, nga 7.96% që ishin.
Ndërkaq ekspertët e kredisë presin rënie të lehtë të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013. Sipas madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë më e ulët si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu dhe nga korporatat. Në këtë situatë biznesi dhe individët presin një politikë dhe masa lehtësuese nga Banka e Shqipërisë për të rritur kreditimin, likujditet i cili do të ndikojë edhe në zhvillimin e ekonomisë./AS
