Periudhat e sigurimit që duhen për pension të pjesshëm invaliditeti

Pranvera Kola

 

Kërkesa për pension invaliditeti të pjesshëm mund të dorëzohet në rastet kur personi i siguruar humbet aftësinë për të vijuar profesionin apo punën e tij të fundit, ndërkohë që kushtet shëndetësore e lejojnë atë që të kryejë punë të llojeve të tjera. Vlerësimi i këtyre kushteve saktësohet me vendim të posaçëm të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).

Lidhur me masën e përfitimit, autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit. Masa e përfitimit llogaritet në të njëjtën formë siç veprohet edhe për pensionet e plota të invaliditetit.

“Personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin), ka të drejtë të marrë pension të pjesshëm invaliditeti.

I siguruari merr pension për invaliditet të pjesshëm kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit të kërkuar nga skema e sigurimeve shoqërore, dhe kur për çdo arsye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Në çdo rast shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga komisioni mjekësor”, detajohet në Manualin e përfitimeve të përgatitur nga ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Vjetërsia kontributive e kërkuar

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës, merr pension invaliditeti të pjesshëm personi i siguruar që ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror.

Për të përfituar pension të pjesshëm invaliditeti përfituesi duhet të ketë humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë, apo sëmundjes profesionale. E drejta për të përfituar pension të pjesshëm invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga komisioni mjekësor duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.

Kërkesa dhe dokumentet

Për të hyrë ën skemën e përfitimit të pjesshëm të invaliditeit çdo person që plotëson pushtetet e përmendura sa i takon vjetërsisë minimale të punës, si dhe kriterit mjekësor duhet që të dorëzojë dosjen e dokumenteve me anë të cilës do të bëhet caktimi dhe llogaritja e pagesës së pjesshme të invaliditetit.

Fillimisht përfituesi, ose i autorizuari me prokurë të posaçme duhet që të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit të tij për të dorëzuar kërkesën. Ndërkohë që sëbashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet nëpërmjet të cilave saktësohen të dhënat në lidhje me moshën dhe identitetin, dokumentet që konfirmojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës së kryer, dokumentet për vlerësimin e të ardhurave të realizuara, si dhe dokumentet për vlerësimin e gjendjes shëndetësore. Listën e plotë të dokumenteve për secilin rast e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Vlerësimi i kërkesave nga komisioni mjekësor

Dosja e dokumenteve të përmendura i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentet për pasaktësi të konstatuara në të, si dhe për plotësime të mëtejshme kur është e nevojshme.

Kur dosja është e rregullt ky komision në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentet e dosjes, dhe më pas njofton dhe ekzaminon të sëmurin për të vlerësuar shkallën e invaliditetit të tij. Pas këtij vlerësimi, komisioni merr vendimin përkatës në prani të përfitueist, nëse ka të drejtë që të përfitojë këtë pagesë duke i dhënë edhe vërtetimit tip.

Në rastet e vendimeve negative i sëmuri, ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore ku jeton përfituesi.

 

 

Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:

  • Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi.
  • Certifikatë e gjendjes familjare.
  • Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).
  • Dy fotografi

Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:

  • Libreza e punës.
  • Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
  • Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM.
  • Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme).
  • Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992.
  • Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj).
  • Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
  • Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
  • Vërtetim nga punëdhënësi për profesionin dhe natyrën e punës.
  • Këto dokumente, për efekt përfitimi pensioni invaliditeti, do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.

Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:

  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994).
  • Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës.
  • Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:

  • Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër (spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP.
  • Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në rregullore.
  • Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare.
  • Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe.
  • Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit.
  • Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi).
  • Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin)./DITA 

 

 

p.k/dita 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • asgje nuk kuptova. sa mbrapa jemi. p.sh…ku do ta gjej vertetimin e deg. ushtarake, dok, te kooperatives para 90,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *