Etrit Berisha ka deklaruar se tani mendon vetëm për Lacion dhe se transferimi i tij në klubin roman është çështje orësh. Sipas deklaratave të bëra në shtypin suedez, Lacio ka qenë i gatshëm t’i paguajë klubit të Kalmarit rreth 500 mijë euro për të marrë portierin e kombëtares shqiptare. Duket se kjo histori do të mbyllet përfundimisht pas tre muajsh hamendësimesh. Jo vetëm kaq, por Berisha deklaron edhe se do të shkojë atje me synimin për të luajtur si titullar, ndonëse Lacio e dëshiron për të zëvendësuar portierin e dytë, Bizarri, ndërsa i parë është Marketi, një nga tre portierët e Italisë. Duket e vështirë, megjithatë vetë Berisha ka zbuluar edhe skenarin. Atij i është premtuar se ai do të luajë titullar në ndeshjet e Europa League dhe në Kupën e Italisë deri në janar, kur nga skuadra do të largohet edhe Marketi. “Kam folur me drejtuesit e Lacios dhe ata më duan për portier të parë dhe konkurrent të Marketit, nëse ky i fundit largohet nga klubi. Pengesa më e madhe është leja e punës në Itali. Jam duke pritur që ta marr. Aktualisht jam i përqendruar te Kalmari dhe përgjigjen përfundimtare e marr të hënën ose të martën”. Berisha nuk ka folur për deklaratat e drejtorit të Kievos, Sartori, i cili është shprehur se e pret në janar portierin, i cili ka firmos dhe kontrata është depozituar në ligën profesioniste të futbollit italian. Ndonëse menaxheri i Berishës dhe Igli Tare e kanë cilësuar si të parregullt atë kontratë, portieri ka probleme edhe me FIFA-n, për shkak të nënshkrimit jashtë afateve zyrtare të merkatos. Në favor të prishjes së kontratës është fakti që Kievo nuk ka folur me Kalmarin për ta njoftuar se po bisedon me një lojtar nën kontratë me klubin suedez.
