Hepatiti B, periudha e fshehtë e sëmundjes zgjat 2-6 muaj

redaktor

Hepatiti B, shkaktohet nga virusi me të njëjtin emër. Virusi gjendet në gjak dhe në lëngjet e trupit, si sperma apo lëngu vaginal. Infeksioni përhapet nëpërmjet disa rrugëve: kontaktit seksual të pambrojtur, nga nëna shtatzënë e infektuar tek bebja, kontaktit me gjak, transfuzioneve të gjakut apo shiringave e ageve josterile, gjatë kryerjes së procedurave invazive apo tatuazheve në kushte josterile. Periudha e fshehtë e shfaqjes së këtij hepatiti zgjat nga 2 deri në 6 muaj. Specialistët e shëndetësisë vënë në dukje se 5 deri në 10 për qind e të sëmurëve që e kalojnë hepatitin B, bëhen bartës kronikë të virusit. Kjo pasi sëmundja zhvillohet në heshtje për një kohë të gjatë, ndërkohë që bëhet e dukshme kur ka kaluar në stadet kronike. Gjithashtu, bartës kronikë bëhen edhe rreth 90 për qind e bebeve të lindura nga nënat që e kanë kaluar këtë hepatit, ose që janë të prekura prej tij. Rreth 1 për qind e  infeksioneve akute të shkaktuara nga ky tip i hepatitit, përparojnë mjaft shpejt në forma të rënda, të cilat quhen hepatite të rrufeshme (fulminante) dhe që kanë vdekshmëri të lartë deri në 60 për qind të rasteve. Bartësit kronikë kanë rrezik më të lartë për të bërë cirrozë dhe kancer të mëlçisë. kjo veçanërisht në rastet kur kujdesi për hepatitin merret në stade shumë të rënduara. Sipas autoriteteve shëndetësore hepatiti viral është një inflamacion i mëlçisë, shkaktuar nga infeksionet virale. Viruset tipike të hepatiteve janë A,B,C,D,E . Këto pesë lloje virusesh janë me interes të madh për shkak të potencialit të tyre për shpërthime dhe përhapje epidemike, barrës së sëmundjes dhe vdekjes që ata shkaktojnë. Në varësi të këtyre viruseve emërtohet edhe lloji i hepatitit. Nëse një person ka kaluar hepatitin në të shkuarën, nuk ka mundësi që të infektohet përsëri me atë formë hepatiti,pra nuk mund të infektohet nga i njëjti virus, por ai mund të sëmuret nga një formë tjetër hepatiti. P.sh, nëse kemi kaluar Hepatitin Viral A, nuk mund të infektohemi përsëri nga Hepatiti Viral A, por me një formë tjetër si Hepatiti B,C etj.

 

 

Simptomat që shoqërojnë hepatitin viral

• Ethe

• Lodhje

• Humbje oreksi

• Të përziera

• Të vjella

• Dhimbje barku

• Ngjyra e urinës e errët

• Jashtëqitje pa ngjyrë,të bardha

• Zverdhje e pjesës së bardhë të syrit dhe e lëkurës

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *