Trashëgimia kulturore, një përpjekje për ta shmangur nga rreziku

redaktor

1-            Programi Trashëgimia në Rrezik

Kërcënimet aktuale ndaj trashëgimisë sonë kulturore janë në shumë mënyra të pakrahasueshme me ato të kohëve më parë. Tani ne jetojmë në një botë që ka pësuar një ndryshim të shpejtë dhe të vazhdueshëm që nga dekadat e fundit të shekullit të20-të. Ky zhvillim i shpejtë, që po zhvillohet nën presionet e rritjes së popullsisë botërore dhe industrializimit progresiv, po çon në konsumimin gjithnjë e më të madh të tokës nga ndërtime të pakontrolluara duke shkatërruar jo vetëm dëshmi arkeologjike nën tokë, por peizazhe dhe monumente të tëra historike-kulturore mbi të.

Nga ana tjetër, të ballafaquar me ndryshime social dhe ekonomike, trashëgimia kulturore që nuk është më në përdorim rrezikon nga përkeqësimi ose nga shkatërrimi përmes neglizhencës. Në shumë raste, jo vetëm burimet financiare janë të padisponueshme për të kryer ndërhyrjet restauruese në drejtim të vazhdimësisë kulturore, por ndonjëherë vullneti politik gjithashtu mungon.
Kohët e fundit, në vendin tonë, kemi dëgjuar se si shumë prej pasurive kulturore janë dëmtuar apo shkatërruar duke mos pasur vëmendjen e duhur nga institucionet përkatëse në sektorin publik. Pavarësisht se si mund të ri organizohet struktura e trashëgimisë kulturore nga qeveria e re, ajo që kërkon vëmendje urgjente është gjendja në të cilën ruhen monumentet kulturore në vend. Në këto kushte do ishte me vend të pyesnim: Cila është gjendja e ruajtjes së monumenteve në vendin tonë. A egziston një inventar i saktë i monumenteve në Rrezik në Shqipëri?

Shumë vende në botë tashmë e kanë një mjet të tillë pjesë të strategjisë kombëtare nëpërmjet të cilës planifikojnë ndërhyrjet restauruese apo mbrojnë monumentet nga ndërtimet moderne, ndërkohë që në Shqipëri një program i tillë mungon. Po si mund të organizohet një strategji për vlerësimin e rrezikut në monumentet e kulturës? Më poshtë janë disa hapa të përgjithshëm mbi mënyrën e organizimit të kësaj strategjie:

•             Krijimi dhe dizenjimi i një banke të dhënash të pajisur me një“sistem vlerësimi” të rrezikut për monumentet

•             Pajisja e institucioneve vendore përgjegjëse për trashëgiminë kulturore me të njëjtin model vlerësimi informatik

•             Nëpërmjet vlerësimeve të përvitshme në terren nga institucionet përkatëse do të përftohen rezultate të përditësuara duke udhëzuar strategjitë e restaurimeve ose mbrojtjes së tyre

•             Prezantimi i programit në institucionet vendore nëpërmjet seminareve duke bërë pjese të panelit gjithashtu banorët vendas, drejtorët e policisë dhe prokurorët në rrethe.

Ky program do të jetë një mënyrë efikase që do ndihmoj për të kuptuar gjendjen aktuale në të cilën ruhen sitet dhe monumentet kulturore në Shqipëri. Ai do të marr në konsideratë rreziqet që monumentet e kulturës kanë ndeshur dhe do shtroj nga ana tjetër nëpërmjet specialistëve një sërë zgjidhjesh të mundshme duke filluar nga gjetja e përdorimeve të reja për ndërtimet në këmbë deri tek menaxhimi i rrënojave arkeologjike. Programi do të ofroj të dhëna vjetore për monitorimin e gjendjes fizike të monumenteve të kulturës dhe do jetë një mjet i fuqishëm i menaxhimit të tyre. Më tej, informacioni i përditësuar do të ndihmoj në gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme për trashëgiminë në rrezik nëpërmjet negociatave me pronarët, organizmave dhe donatorëve duke stimuluar nga ana tjetër restaurimin e tyre për ripërdorim dhe hapjen e vendeve të reja të punës.(Fig. 1 dhe 2)

 

2-            Trashëgimia Industriale

Mjedisi ynë përmban gjurmë unike dhe dinamike të aktivitetit njerëzor, të formuara nga njerëzit duke iu përgjigjur mjedisit që trashëguan dhe mishëron aspiratat, aftësitë dhe investimet e brezave të njëpasnjëshëm. Përgjatë dy shekujve të fundit, më shumë, industria ka qenë një ndër aktivitetet më të rëndësishme, që ka kontribuuar në zhvillimin e shoqërisë dhe mjedisit modern. Elementët e kësaj trashëgimie, që kanë mbërritur deri në ditët e sotme, përbëjnë një burim që na ndihmon për të kuptuar më mirë të shkuarën tonë.

Gjatë shek. e XX, mbetjet industriale u panë si një reflektim kulturor dhe pjesë formuese të mjedisit historik. Vlerësimi si arritje teknologjike të aktivitetit njerëzor i ka bërë sot ato pjesë të programeve kërkimore në shumë universitete të botës. Falë një zhvillimi të rëndësishëm industrial, edhe Shqipëria zotëron një trashëgimi të tillë të pasur. Por shumica e këtyre gjurmëve dhe objekteve janë lënë prej shumë kohësh pas dore, duke u shkatërruar çdo ditë nga braktisja, mungesa e vëmendjes, kërcënimi i ndërtimeve të reja etj. Si rrjedhojë, gjetja e mënyrave për të studiuar dhe ruajtur struktura të tilla është bërë një prioritet dhe kërkon angazhim gjithëpërfshirës.

Po përse e kemi lënë pas dore këtë trashëgimi? Mos vallë ne i druhemi asaj pasi një pjesë e mirë i takon të shkuarës së afërt? A nuk është ajo pjesë e identiteti tonë si komb?

Në hyrjen e librit Arkeologjia Industriale, arkeologu anglez Brian Ayers do të shprehej për trashëgiminë industriale në Shqipëri si vijon:

Kjo trashëgimi industriale shpesh është e veçantë për Shqipërinë dhe për komunitetet e saj. Një shembull është ai i bunkerëve, ndërtimeve mbrojtëse me beton dhe çelik, të cilat ende dominojnë një pjesë të madhe të peizazhit shqiptar. Prodhimi i tyre, një shterim i madh i burimeve të ekonomisë kombëtare në kohën e ndërtimit të tyre, u bë i mundur vetëm nga kontrolli i ofertës së lëndëve të para, parafabrikimit në fabrika të ngritura për këtë qëllim dhe shpërndarjes të produkteve të gatshme; të gjitha të organizuara si ndërmarrje industriale. Është e kuptueshme që sot prania e shumtë e bunkerëve mund të jetë lënduese për shqiptarët, duke qenë se mbart kujtime ende të afërta të një të kaluare të padëshiruar. Megjithatë, prodhimi dhe ndërtimi i tyre ishte një sipërmarrje e jashtëzakonshme kombëtare, e cila angazhoi një numër shumë të madh anëtarësh të komunitetit. Ky investim i përpjekjeve njerëzore është i denjë për t’u kujtuar, duke qenë i dukshëm nga vetë prania fizike e këtyre fabrikave dhe bunkerëve.

Kjo përkujtesë, në thelb trashëgimi shpirtërore e industrializimit në Shqipëri, e përbërë nga kujtimet dhe kuptimi që i bashkëngjitet industrializimit të vendit, është sigurisht po aq e rëndësishme sa vetë trashëgimia e prekshme. Komunitete të tëra janë farkëtuar përmes lidhjeve të tyre me aktivitetin industrial dhe objektet industriale. Shumë aktivitete të tilla industriale tashmë janë mbyllur e braktisur, por komunitetet që ishin pjesë e tyre vazhdojnë ende të ekzistojnë. Këto komunitete përballen me presione në botën moderne, ndërkohë që Shqipëria vazhdon përshtatjen me ekonominë e tregut të lirë. Është e lehtë që në këto rrethana rrënjët e përbashkëta të humbasin, por trashëgimia industriale mund të ndihmojë në ruajtjen e kohezionit social, përmes një kujtese të përbashkët fizike të origjinës së komunitetit.

Në të vërtetë, mund të argumentohet se monumentet industriale të Shqipërisë kanë një rëndësi më të madhe të drejtpërdrejtë për shumicën e shqiptarëve bashkëkohës, sesa thesare të tilla të rëndësishme kombëtare si Berati, Butrinti apo Gjirokastra. E shkuara helenistike, romake, bizantine, veneciane dhe otomane e Butrintit është një burim mahnitjeje, që vlen për t’u admiruar, por  nuk është diçka me të cilin njerëzit arrijnë të identifikohen. Ky është produkt i të tjerëve, atyre perandorive dhe popujve të cilët pushtuan Shqipërinë dhe e përdoren atë, shpesh për përfitime. Në të kundërt, trashëgimia industriale e vendit është diçka që është krijuar dhe përdorur nga vetë shqiptarët. Industria ndihmoi në formimin modern të vendit, të vetëdijes dhe kuptimit rreth rolit të industrializimit; ndërsa monumentet që ajo ka lënë pas dhe komunitetet që ajo ka arritur të ndërtojë, i krijojnë mundësi shoqërisë moderne që të njohë më mirë veten dhe të marrë vendime të informuara për të ardhmen e saj.

 

Në këto kushte kur vendi ynë ende nuk e njeh rëndësinë e trashëgimisë industriale, do të duhej një hap pioner nga institucionet e reja të trashëgimisë kulturore në vend. Hapat e parë në këtë drejtim do konsistonin si më poshtë:

1.            Ndryshime ligjore në ligjin për trashëgiminë kulturore duke futur brenda kuadrit të saj edhe pasurinë industriale

2.            Krijimi i inventarit dhe hartës kombëtare GIS të Trashëgimisë Industriale

3.            Përgatitja e një listë të shkurtër të monumenteve dhe siteve industriale që bartin potenciale dhe vlera për t’u shpallur monumente kulture

 

Si hap i parë ndryshimet ligjore do t’i hapin rrugën alternativave për marrjen në konsideratë të kësaj pasurie. Krahas mbrojtjes ligjore, mund të ndërmerren hapa konkretë në ruajtjen nëpërmjet komuniteteve lokal e cila siguron një të ardhme të sigurt. Rast tipik në këtë drejtim janë ish ndërtesat e braktisura të minierave dhe ndërgjegjësimi i komuniteteve që jetojnë afër tyre si pjesë formuese e identitetit të një vendi. Në këtë mënyrë kontribuojmë jo vetëm në terma ekonomik, por edhe në ruajtje e praktikave, historisë, mjedisit, si dhe vazhdimësisë së identitetit. Rastet i ekomuzeve mund të jetë një shembull i mirë, të cilit mund t’i referohemi gjatë këtij procesi.

Gjithashtu, veç ruajtjes së objekteve apo strukturave “in situ” duhen bërë hapa konkretë për një muze industrial kombëtar. Në Shqipëri ka pasur rreth dy shekuj aktiviteti industrial, i cili fillon nga më e thjeshta deri tek prodhimet e mekanizuara, që nuk ekspozohet diku për publikun e gjerë. Kthimi i një uzine apo fabrike në muze do të ishte një mundësi e mirë për të reflektuar arritjet industriale të vendit tonë. Ndërkohë që, nga ana tjetër, me ndërtimin e një muzeu të industrisë dhe teknologjisë ne do të kontribuojmë për ndërgjegjësimin e brezave në të ardhmen, pasi  nuk duhet harruar karakteri edukativ që muzeu ka për brezat e rinj.

Nga inventarizimi dhe krijimi i hartës GIS mund të përfitohet një listë e shkurtër që mund të shërbej si bazë për ri-jetësimin e monumenteve industriale. Në vendin tonë ka shumë ndërtime industriale të braktisura, strukturat e të cilave mund të ri-jetësohen duke u vënë në përdorim për qëllime të ndryshme, si ambiente banimi, zyra, qendra tregtare, supermarkete, salla shfaqjesh etj. Ky proces mund të arrihet nëpërmjet konservimit të elementëve strukturorë, pa prekur autenticitetin e ndërtesës. Në këtë mënyrë ruhen vlerat estetike dhe arkitekturore, duke i shtuar nga ana tjetër ndërtimit edhe vlerën ekonomike. Në rastet kur këto ndërtime janë në pronësi private, pronarët mund të njoftohen paraprakisht për inspektimet në ndërtesë dhe për rezultatet e një procesi të tillë. Kjo qasje do të bëjë që mjedisi në zonat urbane të përmirësohet si dhe shumë ndërtime industriale të sigurojnë një të ardhme të qëndrueshme duke ruajtur ndërkohë vlerat e tyre.(Fig. 3-4-5)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *