Eksportet rriten, por bien ndjeshëm materialet e ndërtimit dhe metalet

redaktor

Instituti ynë i Statistikave ka bërë dje bilancin e eksporteve të shtatë muajve të këtij viti. Edhe pse në një pjesë të këtyre treguesve ka rritje të eksportimit të mallrave, ndërtimi tregon se po kalon një krizë të rëndë. Sipas INSTAT eksportet e  materialeve të ndërtimit e metaleve thelluan ritmet e rënies, duke u tkurrur me 15 për qind me bazë vjetore në 19.6 miliardë lekë për periudhën janar-korrik, pasi ishin gjallëruar me 12 për qind për 4 mujorin. Kjo tendencë erdhi si rrjedhojë e performancës negative të këtij grupi në maj -korrik. Vetëm gjatë muajit korrik, eksportet e këtij grupmalli u përgjysmuan, duke treguar në këtë mënyrë se ndërtimi është një sektor gjithnjë e në rënie, pa mundur të gjëj dot rrugët e investimit afatgjatë. Nga ana tjetër ka një tendencë negative të rritjes së eksporteve në sektorë të tjerë, të udhëhequra nga performanca e mirë e “mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë” si dhe “tekstilet e këpucët”. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se për periudhën janar-korrik 2013, shitjet jashtë vendit rezultuan në rreth 142 miliardë lekë, me një rritje prej 18.4% në krahasim me të njëjtën periudhë, nga 17.3 për qind që ishin ritmet vjetore të rritjes për 6 mujorin. Dy grupmallrat kryesore, “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, “tekstile e këpucë-fason” kanë shënuar një ecuri pozitive, ndërsa “materialet e ndërtimit e metaleve ” kanë kthyer tendencën e rritjes në negative, për shtatë mujorin, si rrjedhojë e performancës tepër negative, që filloi në maj dhe u përkeqësua në muajt në vijim. Eksportet e “minerale, Lëndë djegëse e energji” u rritën me 46 për qind për janar-korrik 2013, duke arritur në 58.4 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 41 për qind të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania Bankers Petroleum. Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë rimarrë veten në pjesën e parë të këtij viti, pas rënies prej rreth 4 për qind me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar-korrik 2013, ato u rritën me 10 për qind në 41.2 miliardë lekë, duke përbërë 29 për qind të totalit të eksporteve dhe duke përshpejtuar ndjeshëm ritmet e rritjes në muajt e verës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *