Lajmi për sulmin treditor u përhap të martën nga rrjeti amerikan “NBC”, por sipas “Washington Post” blici do të zgjasë jo më shumë se 2 ditë. Kohëzgjatja e kufizuar e tij konceptohet si një ndëshkim ndaj regjimit të Assad-it për përdorimin e armëve kimike dhe shërben që SHBA-ja të mos përfshihet më tej në konfliktin civil sirian
E gjithë bota po mban frymën për përgjigjen unanime të komunitetit ndërkombëtar mbi sulmin e mundshëm në Siri. Britania e Madhe është gati dhe po përgatit planet për ndërhyrjen ushtarake në vendin ku prej tri vitesh ka shpërthyer një luftë e përgjakshme civile.
“Përdorimi i armëve kimike është plotësisht dhe absolutisht i pështirë, por cilido që të jetë vendimi, duhet të merret në mënyrë rigoroze në një kontekst ndërkombëtar”, u shpreh kryeministri britanik, David Cameron, që lajmëroi mbledhjen e parlamentit të enjten.
Barack Obama ndërkohë ka nisur lëvizjet. “Forcat e armatosura amerikane “janë gati”, në rast se presidenti do t’i urdhëronte”, u shpreh sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel.
“Një seri sulmesh të kufizuara mund të lançohen duke nisur nga e enjtja. Sulmi blic do të kufizohet në dërgimin e një mesazhi regjimit të Damaskut”, u shpreh për rrjetin amerikan “NBC” një burim i administratës amerikane. Pra, ndërhyrja do të konceptohet vetëm si një ndëshkim ndaj Assad-it për përdorimin e armëve kimike dhe do të shërbejë si pengues, që Shtetet e Bashkuara ta mbajnë veten jashtë përfshirjes më të thellë në luftën civile të Sirisë.
Opozita në këtë i ka dërguar fuqive perëndimore një listë me objektivat e mundshme të sulmit. “Nëse do të kalonte më shumë kohë, Assad mund të godiste sërish dhe do të shfarroste rreth 20-30 mijë persona”, u shpreh gjenerali i Ushtrisë së Lirë të rebelëve, Salim Idris.
“Washington Post” shkruante dje: “Është gati plani për ndërhyrjen ushtarake në Siri”, edhe për këtë të përditshme bëhet fjalë për një sulm rrufe por që do të zgjasë jo më shumë se dy ditë.
Në aksionin ushtrak do të përfshihen raketa të hedhura nga luftanijet amerikane të pranishme në Mesdhe. Mediat greke lajmëruan se Greqia ka marrë kërkesën zyrtare të Uashingtonit për vënien në dispozicion të bazave ushtarake të Sudes në Kretë dhe asaj të Kalamatës në Peloponez, për ndërhyrjen. Burimet nga Ministria greke e Mbrojtjes deklaruan se kanë pranuar kërkesën e aletëve të NATO-s, të cilët vlerësojnë rolin kyç të Greqisë.
Tre janë faktorët e domosdoshëm për të kaluar në aksion: “1) Kompletimi i hetimeve të inspektorëve të OKB-së mbi përgjegjësinë efektive të Assad-it në masakrën e 21 gushtit, në Damask. 2) Drita jeshile nga aleatët në të njëjtin kongres dhe 3) vendosja e një ‘justifikimi të vlefshëm’ për sulmin rrufe mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare.
NATO-ja do të diskutojë këtë të enjte për situatën. Takimi do të zhvillohet në Bruksel në selinë e përgjithshme të Aleancës Atlantike. Ndërsa është shtyrë për nesër vizita e inspektorëve të OKB-së në vendin ku dyshohet se u përdorën armët kimike në Damask.
Ndërkaq, shtyrja e takimit bilateral SHBA-Rusi është komentuar nga diplomacia e Moskës si inkurajim për opozitën siriane. “Është e domosdoshme të pritet raporti final i inspektorëve të OKB-së”, tha ministri rus, Alexander Lukashevich. Në çdo rast Siria nuk do të jetë në rend të ditës në samitin e ardhshëm të G20-s në Shën Petersburg, ku do të takohen Putini dhe Obama./D.Gjuzi

jooooooo ,mos beni gabim ,,a kini mare leje dhe mendimin asadit sali berisha,,se ky eshte paqe dashes i madh ,,se ata qe vrau ne ruge nuk ka gje per te se ate i ishin shqipetare kurse per sirianet ju dogj shpirti .. u shofsh nga faqe dheut vrases i shqipetareve