Shtatë mujori i vitit 2013 shënon një tjetër tregues negativ për financat e shtetit shqiptar. Pas rënies së eksporteve, një ekonomie në stanjacion e në shumë sektorë të saj gati në recesion është administrata fiskale ajo që nuk po arrin të realizojë të ardhurat e planifikuara, duke cuar në një farë mënyre në në atë deficit tregtar që para një jave publikoi Ministri në ikje i Financave. Spiralja e pandalshme negative e këtyre shtatë muajve, është ajo e taksës bazë të konsumit, Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Financave, në 7 muajt e këtij viti të ardhurat nga TVSH-ja janë shumë nën nivelin e parashikuar, duke paralajmëruar rënie të mëtejshme të konsumit. Gjatë kësaj periudhe të ardhurat nga TVSH-ja llogariten të jenë 60.7 miliardë lekë, nga 68.2 miliardë lekë që ishin planifikuar në fillim të vitit. Banka e Shqipërisë, bazuar në të dhënat e muajve të fundit, ka konfirmuar për një vijimësi të rritjes modeste të ekonomisë shqiptare, në kushtet kur konsumi dhe investimet private mbeten ende të plogështa. Por, duke iu rikthyer shifrave të Ministrisë së Financave, rezulton se me rënie gjatë kësaj periudhe janë edhe të ardhurat nga taksa e akcizës, ku u arkëtuan 20.1 miliardë lekë, ndërsa ishin planifikuar 23.7 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në 9.4 miliardë lekë, nga 9.9 që ishte planifikimi.
