1.Meksikë
Një aeroplan i vogël, në bordin e të cilit ndodhej këngëtarja e njohur Xheni Rivera, u rrëzua të hënën në veri të Meksikës. Sipas autoriteteve janë gjetur mbetjet e avionit dhe nuk ka të mbijetuar. Rivera ka shitur të paktën 22 milionë disqe dhe është nominuar dy herë për çmimin ‘Grammy Awards’.
2.SHBA
Mark Rivera, gazetar në një ‘talk-show’ në Nju Jork, kishte ftuar të fejuarën e tij në emisionin që drejtonte për të folur mbi gazetarinë. Në një moment, për habinë e të gjithëve, ai u gjunjëzua dhe nxori nga xhepi një unazë diamanti, duke i kërkuar asaj që të martoheshin para syve të miliona teleshikuesve.
3.Norvegji
Shefat e shteteve anëtare të BE-së morën pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit “Nobel për paqen”, e mbajtur në Oslo ditën e hënë. Ishin liderët e tri institucioneve kryesore të BE-së, Barroso, Shultz dhe Van Rompi që në emër të 27 vendeve morën çmimin e barazvlefshëm me 930 milionë euro.
4.Angli
Një pikturë e rrallë e piktorit të Rilindjes, Rafaelo, është shitur në një ankand në Londër me një çmim rekord prej rreth 30 milionë sterlinash, ndërkohë që çmimi fillestar luhatej mes 10-15 milionëve. “Koka e një apostulli” u nxor në shitje nga duka i Devonshajërit, bashkë me dy dorëshkrime të shekullit XV.
5.Portugali
Ka tronditur vendin historia e një 33-vjeçareje që jetonte e izoluar nga bota që prej 10 vitesh në një gjendje gati kafshërore. Gruaja u gjet nga autoritetet rajonale në një karakatinë në krahinën malore portugeze të Serpa Alentejo, 200 km larg Lisbonës.
6.Spanjë
Një grup nënash të një shkolle në Valencia kanë vendosur të pozojnë për një kalendar ‘seksi’ dhe t’i përdorin fitimet e nxjerra nga ai për të financuar transportin shkollor të fëmijëve të tyre. Kjo pasi drejtoria e shkollës vendosi të pezullojë, për mungesë fondesh, transportin e nxënësve.
7. Itali
E reja marokene Rubi duhet të dëshmonte në gjyqin e Milanos kundër Berluskonit, por rezulton të jetë zhdukur sepse nuk është paraqitur në seancën e së hënës. “Është një strategji e Berluskonit, për të zgjatur kohën e procesin, kjo është në dobi të tij”, është shprehur prokurori i cështjes.
8.Afganistan
Nadia Sidiqi, shefja e departamentit për Çështjet e Femrave, në provincën lindore Lagham të Afganistanit, u vra të hënën nga persona të armatosur gjatë kohës që po udhëtonte drejt punës së saj për në provincën Mihtarlam. Edhe paraardhësja e saj, Hanifa Safi, u vra vitin e kaluar nga një bombë.
9.Pakistan
Sulmi i militantëve kundër stacionit të policisë në Kaki, në pjesën veriperëndimore të Pakistanit, shkaktoi 6 të vdekur, tre prej të cilëve ishin policë. Dy militantët vetëvrasës që u hodhën në erë me anë të granatave, i përkisnin grupit terrorist të talebanëve pakistanezë, që morën përsipër përgjegjësinë .
10.Liban
Ngjarjet në Tripoli pas dhunës sektare që vrau 4 njerëz, si pasojë e luftës civile në Sirinë fqinje, acaruan tendosjet shumëvjeçare ekzistuese mes shumicës sunite të qytetit, që mban anën e kryengritësve sirianë dhe pakicës alavite, aleate me presidenti Bashar al Asad. Shtohen mundësitë e përfshirjes së Libanit në konfliktin e Sirisë.
11.Kinë
Një vajzë 16-vjeçare tibetiane, emri i së cilës nuk bëhet i ditur nga burimet policore, ka vdekur si pasojë e vetëdjegies. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dager, në provincën Çinghai. Kjo provincë është një ndër qendrat e protestave kundër administratës kineze në Tibet.
12.Australi
Dy radiofolësit australianë, shkaktarë të shakasë që përfshiu familjen mbretërore angleze dhe një infermiere të spitalit ku ishte shtruar princesha Keit Midelton, dolën në një televizion australian të përlotur dhe të penduar për mashtrimin që përfundoi tragjikisht me vetëvrasjen e infermieres Jasinta Saldanha.
