Pas njoftimit të një dite më parë për sanksione të reja e të ashpra nga ana e Shteteve të Bashkuara, zyrtarët e Rusisë kanë reaguar me zemërim të thellë.
Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov tha se sanksionet ishin “absolutisht të paligjshme dhe aspak në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ndërsa politikanë të tjerë u zotuan të përgjigjeshin me kundërmasa, të cilat do të përfshijnë edhe kufizime të eksporteve të raketave apo lëndëve të para për prodhim.
“Ky teatër absurditeti po vazhdon. Asnjë dëshmi, asnjë gjurmë, asnjë logjikë, asnjë supozim pafajësie, thjesht ‘me shumë gjasë’. Këtu kemi të bëjmë me vetëm një rregull: Fajëso Rusinë për gjithçka, pavarësisht sesa absurd apo i rremë mund të jetë pretendimi. Na lejoni të mirëpresim Sanksionet e Bashkuara të Amerikës!”, shkroi në “Twitter” Dmitry Polyanskiy, zëvendëspërfaqësuesi i parë i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara.
Një tjetër deputet rus i quajti Shtetet e Bashkuara si një “shtet policor”. Ndërkohë, anëtari i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dumën ruse, Leonid Slutsky tha se Rusia mund të bllokojë eksportet e motorëve raketorë “RD-180” drejt Shteteve të Bashkuara, si një kundërmasë të mundshme.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se do të vendosnin kufizime të eksporteve të teknologjisë me shumë ndikim drejt Rusisë, me pretendimin se ajo fshihet pas përpjekjes për të vrarë ish-spiunin rus dhe vajzën e tij, Sergei Skripal dhe Yulia Skripal, me agjent nervor “Novichok”.
s.a/dita
