Mbasi u botuan të 12 Miscellanea-t, korpusi im poetik, e ndjeva, pa e kuptuar asnjëherë plotësisht, se në krijimtari ndodh, si në procesin e transfertën kuantike: të tërë atomeve dhe qelizave të trupit, në një tjetër Kohë, apo Hapësirë, të një Universi Alternativ.
Kështu realizova në pak vite edhe botimin e 12 Kipceve të Mischellanea-ve.
Por fjalët e Heraklitit të Errët të Efesit se “zjarri është një uri e përjetshme” ma sulmuan sërish mendjen.
Kisha ende shumë dorëshkrime, që qe e pamundur t’i zbardhja.
Jo më kot Novalis shënon, se « Koncepti filologjik : ndjenja e jetës dhe e individualiteti, është vlerësimi në germa. Parashikues në shifra: parathënës në fjalë.”
Kështu e ftillëzova idenë e një Triniteti, si plotësim, apo gjeometrizim pitagorik.
Ky libër është ajo që ka qenë, por Poeti është më shumë një Homo Absconditus (Njeriu i Fshehur ), se sa një Deus Absconditus (Zoti i Fshehur ).
Lexuesi, (mbase ai, që do të vijë, – nëse vjen) ka përpara syve tani poezitë e mia të vitit 2009.
Në fakt kulturën sfiduese, marramendëse të një Leximi të Ri.
Për më tepër, të shfaqurit e species të një lirike të një stili, absolutisht të lirë dhe të një improvizimi vizionar, që ka përparësinë e bekuar të metaforës, mbi tërë shpikjet e elementeve onirikë dhe digjitalë!
Çdo lexues (edhe i Tanishmi, – edhe ai i Djeshmi) përherë ka mbritur në “zonat e zbrazëta”, ose “në honet e lemeritëshme të pakuptimshmërisë post-moderniste”.
Kështu lexuesi, në Tri Kohë, ose në Pakohësi, mund të jetë një varrtar shekspirian, i denjë, hokatar dhe mrekullisht i mençur!
Poeti, në thelb s’duhet të hyjnizojë, po për të të zhgënjyer e bën përherë këtë mëkat në shekuj.
Këtu qëndron, ndoshta, misteri i mundësive të mia të Apoteozës Zhgënjyese, të pashmangshme!
Absurdi po mbizotëron gradualisht gjithçka.
Kështu që Beteja e Mbrame e Apokalipsit është më tepër një Armagedon i Mendjes!
MOIKOM Z.
Libohovë, 3 qershor 2018
KOTËSIA BËN GARGARË
Rrotullat plot sy të Ekzekielit janë tespihet e mia!
Tërë përrallat kanë lindur nga moskuptimi, midis këpucës princërore dhe këmbës së zbathur të Hirushes!
Në fytin e klepsidrave Kotësia bën gargarën e rërës!
Tiranë, 1 korrik 2009
DRURËT E NJOHJES
Kënga funebre e mjellmës nuk mund të përsëritet, duke u kërdisur!
Dhe era është Princesha, që vjen tek unë, që nga Prehistoria .
Dhe mbjell në shkretëtira Drurët e Njohjes, të pambrojtura dot, nga shpatat shpaguese, të Kryeengjëjve të Verbër!
Tiranë, 3 korrik 2009
PORTOKALLI
Ky portokall i lulëzuar, në një nga krateret e Hënës është matrica e metaforave të mia!
Tiranë, 2009
LISI I MILOSAOS
Rrënjët e lisit të Milosaos janë nervat e shpërndara nëpër trupin tim gjeologjik!
Tiranë, 2009
MODELI
Përherë bota Rilind, sipas modelit të këtij Fëmije!
Tiranë, 2009
SI T’I BËJ?
Si t’i bëj të paralizuarit kampionë olimpikë?
Dhe të verbërit mjeshtra teleskopësh?
Tiranë, 2009
STATUJA E KUJTIMIT
Harromëni!
Harromëni!
Nga planetë të tjerë arkeologë të kozmosit do të nxjerrin, do ta gjejnë statujën e thyer të kujtimit tim!
Tiranë, 2009
FILMI I LLAHTARTË
Një film të llahtartë xhiroi llava e Vezuvit me banorët e skulpturuar nga Vdekja të Pompeut!
Durrës, 2009
ÇATI SHKUME
Arkitektura kineze e çative prej shkume, ngrihej dhe ulej, lëvizte, lëkundej e pafundme, në breg të Adriatikut, përpara meje, kur isha fëmijë në Currila!
Durrës, 2009
BILETA PËR NË ATLANTIDË
Mbi tryezë kana me ujë është helmetë qelqi e Perseut të etjes!
Nga dritarja e hapur erdhi flutura.
Nga ç‘shekull, nga ç‘përrallë, erdhi vallë?
Dhe Heshtja është si një luks i vdekjes!
Njeri!
Njeri!
Biletën për në Atlantidë mund ta paguash me yje të Fantazisë!
Tiranë, 5 korrik 2009
ROBINSONI NË HËNË
Jam kaq i vetmuar, jam kaq i trishtuar si Robinsoni në Hënë! Ah!
Fryn era, fryn era e mistershme!
Dhe kur bjen terri reklamat heqin dhe venë kapelat e ngjyrave si klounë cirku!
Tek shiritat prej rrufesh lexoj radiogramën e Zotit, Zotit të sfilitur!
Plutark ngjallu!
Ta shkruash tërë Pasvdekjen time!
Durrës, 7 korrik 2009
IMAZHI QË SHKUNDET
S’dua, që nga pemët, imazhi yt, e dashur, të shkundet, të bjerë gurëve të rrugës, që mua, të më përgjaken këpucët.
Tek varreza gardërobë të porsavdekurit lënë trupat e tyre, pa të drejtë kthimi!
Po sipër tokës sozitë e tyre mbijetojnë me të tjera kostume shëmbëlltyrash të njëjta!
Midis tyre je dhe ti dhe lëviz, e dashur!
Midis tyre jam dhe unë!
Tiranë, 10 korrik 2009
ABAZHURI GRIFON
Abazhuri, grifon fosforent, me kthetra e ruan ankthin tim!
Bije në gjumë dhe s’fle!
Një libër është përmbysur mbi dysheme, si pëllumbi i Jordanit, me krahë të hapur dhe të ngrirë, pa simbolikë dhe pa zë!
Abazhuri ngrihet, pezull, në tavan!
Durrës, 12 korrik 2009
HËNA
Ma jepni, ma jepni atë Hënë!
Ma jepni t’ju rindërtoj, tërë mbrëmjet lirike të shekujve, si paleontologu, që veç nga një eshtër, e bën tërë skeletin e dinozaurëve!
Ju lutem!
Ma jepni, ma jepni atë Hënë!
Durrës, 13 korrik 2009
SEMAFORËT
Në udhëkryqet e Tiranës, semaforët, redaktorë të trafikut!
Tiranë, 2009
DIALEKTET E STUHISË
Studioj erërat, si dialekte të stuhisë!
Dhe ngrihem në realitete mbishqisore!
Tiranë, 2009
XHINGLA ANTIKE DHE BLASFEMI
Një Holandës Fluturues le flurudhë drite në qiej, po përherë, pas testamentit tim poetik !
Ah, dhëmbët e shkulur të Cerberit të Hadit ciganët i shesin si xhingla antike dhe blasfemi në panairet e zhurmshme të Vjeshtës !
Durrës, 20 korrik 2009
KULLA E IMAGJINATËS
Shpesh mendimet janë hije zogjsh të pakapshme!
Ah, si fekton kështu metafora te universi i një plage ?
Kullën e Imagjinatës e kam ngritur me gurë të ndritshëm të Fëminisë!
Tiranë, 2009
YLLI I BETLEHEMIT TË RREMË
Fari detar në shtrëngatë!
Gjëmoni bubullima të Shpirtit!
Fari është një yll i Betlehemit të Rremë!
Nuk lindin, nuk lindin, nuk lindin më foshnje të perëndishme!
Por mbyten Krishtër, piratë të thinjur!
Durrës, 2 gusht 2009
KALEDOISKOPËT
Kaledoiskopet dridhen, hepohen, bijen, vërtiten si valle mistike të Dervishëve Rrotullues!
Tiranë, 2009
MUZG
Tani dritaret e qytetit ndizen si partitura muzike!
Tiranë, 2009
YJET
Tërë yjet sipër janë vrima të kyçeve për hapjen e enigmave !
Tiranë, 2009
NATYRA MBRIN MË NË FUND
Çdo vetmi tymon, tymon, tymon !
Shpresa, Naim Frashëri dhe unë, pse i kemi të vdekshme shëmbëlltyrat fizike?
Natyra, e mohuara, e tjetërsuara, mbrin më në fund, si Kumt Kërcënues i Shpëtimit!
Tiranë, 2009
TREKËNDËSHAT
Ca trekëndësha nxorën gjethe dhe u bënë pyll i Dashurisë!
Tiranë, 2009
REQUEM
Çdo orë, me mekanizmin e saj të hollë, është një tufë nervore peizazheve, të trupit tim!
Dhe e di, e di, e di, se Mozarti, secili e bën Requem-in e vet, ndërkohë, që vjeshtat vetësakrifikohen, duke u djegur si njëmijë kometa!
Durrës, 7 gusht 2009
DARKA MISTIKE
Kërkon të përsëdytet Darka Mistike, por tryeza pa apostuj është e thyer, copë copë!
E kam një aureolë –
Akuarium prej qelqi,
Ku koka ime
Është oktopodi i Vetmisë!
Durrës, 10 gusht 2009
GJON BDEK BUZUKU
Orët, që konsumuan shekuj analfabetë më dhurojnë mua, Gjon Bdek Buzukut disa çaste sublime, të shkruaj me penë në letër emrin tim të padenjë!
Dhe ky shkrim është sekreti i Portave të Mëdha!
Durrës, 11 gusht 2009
PSE?
Pse engjëjt e vitrazheve janë kaq të thyeshëm?
Durrës, 2009
ANKANDI SEKRET
Ejani!
Ja, ankandi i ideve të mia të fshehta!
Me këto shira, fije telefonike të vjeshtës, kam ndërlidhur gjithçka!
Sa paguani për to?
Ja, kodi për ta lexuar këtë kalë si ideogramë të shenjtë!
Sa kushton për ju?
Ja, bronxi i horizontit, që e farkëtoj në një shpatë!
Sa mund ta blini vallë?
Durrës, 13 gusht 2009
ËNDËRRIMI SI ASTRONAUT
Në portalin e Kohës e hap këtë Ditë të Re si derë Kishe Heretike!
Njeriu i Neandertalit a mundet vallë që të ëndërrojë si një astronaut?
Anija del nga porti.
Si fetusi i një poeti të ardhshëm.
Si paruke më ulet mbi kokë Jeruzalemi Fluturues !
Jam një burrë, prej ajri nga mesi dhe lart dhe prej uji nga mesi dhe poshtë!
Para meje pranverat dalin që nga guri si ikona ikonoklastesh !
Durrës, 2009
ÇDO ZANAFILLË RINIS
Sa ngazëllime të Pasvdekjes së Njeriut, kalit, qiparisit, – ngulmin, sulm imazhi, ligj i fshehtë !
Po çdo Zanafillë rinis, rinis !
Por edhe kalbja!
Me një pagjumësi fosfori e kemi perspektivën!
Harrimi është substancë!
Ah, të ishte libri një pasqyrë me zë!
Jo për pamjen, por për tingujt!
Metafora është një sajesë e pafundme si stalagmitet, a ndrimi i motit!
Durrës, 29 gusht 2009
ZOGU
Zogu është ngujuar në flurudhën e tij si shpata në myll!
Durrës, 2009
NGA E ÇARA E ËNDËRRËS
Nga e çara e Ëndërrës hyri vrulltas Realiteti!
Ikni, ikni, shpëtoni!
Rrënoja e Niçes mos t’ju zërë nën vete!
Dhe pema në breg është Bujtina e Çmendur për Princërit Zogj.
Dhe një kaktus ngrihet mbi det si një shandan virtual hebraik!
Ca salamandra të padukshme ethesh më kalojnë përmes trupit si shtjella!
Det!
Deti i madh!
Mezi arrij tek buzët e tua prej humnere!
Durrës, 29 shtator 2009
KURTHI EUKLIDIAN
Pse s’është Sibela Kumea kjo salamandër e lashtë?
Gjeometria është sarkofagu, ku artet dhe qytetërimet s’dalin dot jashtë!
Dhe Koha, e maskuar si Hapësira s’na lëshon nga kurthi euklidian.
Po Drita është grifoni i plagosur, që na mbaron me kthetra në boshllëk!
Durrës, 29 gusht 2009
KOHA CIKLIKE
Pse në pikturat e habitshme të Chagall-it ka diçka nga lirizmi i De Radës?
Ah, Koha Ciklike plot vizione!
Dhe gjethet vërtiten dhe kanë sensin solemn të himnografisë luteriane!
Dhe Metafora shenjtëron të drejtën për empirizmin ftillëzues të Fjalës dhe virtytet e pafundme të gjuhës!
Durrës, 2 shtator 2009
BEDUINI I KOZMOSIT
Nëse jam Beduini i Kozmosit, alienët më qëllojnë me shigjeta!
Këtë anije piratësh do ta bëj katedrale përdëllimi!
Skeletin tim e mban shqiponja tek skepi, si kyçin e Enigmave të Mëdha!
O, ti, i grimuar me muzg!
I shpejtë, i pandalshëm, i përplasesh Prometeut në fytyrë!
Dhe të ngjeth, të ngjeth borëzimi i yjeve!
Në kriptën e detit e balsamos me respekt kufomën time!
Durrës, 5 shtator 2009
NË FYTIN E VJESHTËS
Pafundësia më çliron së paku… nga trupi im!
Mali Tomor ma fal tunikën e tij jeshile të muzgut.
Dhe çdo enigmë e mbyllur është veç „naturamorte“.
Muzika i valëvit flokët e saj magjikë!
Të heshtësh është të vrasësh për së dyti të vdekurit!
Në fytin e Vjeshtës ka mbetur qyteti im… plot hala Leviatani përrallor!
Durrës, 10 shtator, 2009
DIÇKA KA NDODHUR
Sa shumë peshq në ajër – ushtri qiellore!
Sa klithma fanfare në zgripet e Kohërave!
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Dhe Hëna e pyet Njeriun: „-Ç‘je ti?“
Dhe Njeriu përgjigjet: „-Ndërgjegjja jote!“
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Tek këpuca e një Fëmije zbret vetëtima!
Lidhëse e palidhur akoma!
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Është zhdukur Marin Barleti në terr!
Po kolla e tij, pse na gjëmon në vesh?
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Plot epshe, fuqi, me trupat e hajthëm,
Pse jemi Menyja e Udhëve të Uritura?
Diçka ka ndodhur !
Diçka ka ndodhur !
***
Dhe nëse duhet, që të vdes patjetër,
Por jo përgjithmonë, jo gjer në fund…
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Nëse miliona të panjohur rravgojnë,
E kanë kartëvizitë emrin tim, rebel!
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Nëse e gjelbra tani klith si këndesi,
Që i kujton tri mohimet e mëdha shën Pjetrit…
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Aty, ku mision ikjet e mia të mëdha
Është dhe vonesa dhe pritja ime për ty,
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
Dhe po qe se më vjen të vjell vetveten,
E përtypur, pa shije, pa ndjesi,
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Dhe godas, se në thundrën time
Kam patkua fytyrën e Majakovskit.
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
***
Fleta bosh e Testamentit tim
Është populli krejt i shpopulluar!
Diçka ka ndodhur!
Diçka ka ndodhur!
Durrës, 21 shtator 2009
TRUPI I MARIAS
Maria lehonë, bashkë me Foshnjën, udhëtoi nga Betlehemi, në Egjipt dhe mes palmave, deveve dhe piramidave pa Nilin e Njerëzimit, që rridhte në pambarim!
Mbas Golgotasë Maria qe Nëna Më E Braktisur E Kohërave!
E moshuar shkoi në qytetin e Efesit, ku qe Tempulli i Artemisës, jo me dy gjinj, por me dymbëdhjetë!
Aty, u varros, – trupi i saj çuditërisht i qe zvogëluar sa i një fëmije, – aq ju bë edhe varri.
Pastaj përmasat e varrit u rritën, mbi dymbëdhjetë metra, se nën tokë trupi i saj vetëm rritej dhe rritej.
Durrës, 9 nëntor 2009
QYTET ARGJENTI I TË GJITHË TË VDEKURVE
Ky eklips i Diellit është si të fërgosh në pak minuta një Omëletë Kozmike!
Ndoshta fjala poetike, duart e mia dhe ky det veprojnë tani si një kimi shpirtërore dhe universale mbi të gjithë ju, mbi Kohën dhe Hapësirën!
Pastaj një arkitekt i një faraoni, që nga Hëna, e projekton dhe i bën një Qytet Argjenti të të gjithë të vdekurve në qiell!
Durrës, 12 nëntor 2009

nji qiell mjaft i bukur i te Premtes …
K.S. Spiri.Cfare kane humbur!
Literatura si nji gjetje Arkeologjie e lexuar
metaforat ,
qe si trupa ndricues kozmike zbukurojne qiellin
e Literatures ksaj Bote ,
te heshtur ,ne erresire ,
ku dallon vetem sy qe veshtrojn
fshehur ne arrati e zhduken perseri si ne ate kend te kozmosit
sikur mos te exzistonte asnji shenje jete .