Sikundër ndodhi gjatë vitit të shkuar për profesionet e grupuara në kategorinë e tretë, (për të cilat mosha e daljes në pension pësoi rritjen maksimale, si për burrat ashtu edhe për gratë), në të njëjtat limite shkojnë edhe kushtet e përfitimit të pensionit për profesionet e grupuara në kategorinë e dytë. Në tabelën zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për këtë grup përfituesish bëhet me dije se: Duke filluar nga data 1 korrik 2013 deri më 30 qershor 2014, mosha e daljes në pension për burrat arrihet kur ata mbushin 65 vjeç, ndërsa gratë kur arrijnë moshën 60 vjeç.
Për të përfituar nga kjo skemë të dyja gjinitë duhet të kenë siguruar 35 vite, si vjetërsi kontributive të njohur zyrtarisht përmes dokumenteve përkatëse nga organet e sigurimeve shoqërore. Në këto kushte, për të dyja këto kategori nuk do të ketë tjetër shtyrje të moshës së daljes në pension në vitet e ardhshme, pasi është arritur kufiri maksimal i rritjes së moshës për tu bërë pjesë e skemës së pensioneve. Si rrjedhojë e këtyre kushteve të reja, me mijëra përfitues të rinj do t’i shtohen skemës së pensioneve gjatë kësaj periudhe kohore.
E kundërta do të ndodhë për profesionet e kategorisë së parë. Konkretisht për këtë kategori aplikuesish rritja graduale e moshës së daljes në pension do të vijojë edhe për shumë vite të tjera. Duke iu referuar detajimeve në tabelën zyrtare të ISSH-së, rritja e vjetërisë kontributive dhe moshës për të përfituar pension nga kjo kategori do të bëhet gradualisht çdo vit me 6 muaj, dhe do të vijojë deri në vitin 2023, kohë në të cilën arrihen edhe kufijtë maksimalë të rritjes së moshës, të arritura tashmë në kategorinë e dytë dhe të tretë.
Për të përfituar pension, për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj, duhet të jetë e kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Informacion më të hollësishëm në lidhje me këtë kriter mund të merrni pranë punëdhënësit tuaj, ose pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit tuaj.
Në total janë 548 mijë pensionistë që marrin pensione të kategorive të ndryshme. Burimet zyrtare të ISSH-së bëjnë me dije se :“Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive.
Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Pensioni bazë përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe i nënshtrohet rritjeve të caktuara. Megjithatë për kategoritë të cilat për arsye të ndryshme nuk mund të presin plotësimin e kushteve të përfitimit, ose në rastet kur kanë mbushur moshën, por nuk plotësojnë vitet e duhura kontributive, për të përfituar një pension të plotë pleqërie skema lejon edhe ndarjen e përfitimeve të reduktuara edhe atyre të pjesshme. Për secilën prej tyre duhen përmbushur një sërë kushtesh përfituese.
Përfitimet e reduktuara i gëzojnë:
Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, kur kanë plotësuar jo më pak se: “35 vjet periudhë sigurimi, të kenë mbushur moshën 62 vjeç për burrat, dhe 57 vjeç për gratë, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe mbetet I reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 për qind në muaj.
Përfitimet e pjesshme i gëzojnë:
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur: “Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Të dyja kategoritë duhet të kenë jo mëpak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 35 vjet periudha sigurimi. Gjithashtu duhet të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike. Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension, zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar. Sa i takon masës së plotë të përfitimit: “Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur me kohën e periudhës së sigurimit, duke e vënë në raport me periudhën e sigurimit për 35 vjet. Në qoftë se përfituesi ka një periudhë sigurimi prej 18 vjetësh dhe masa e pensionit të plotë të pleqërisë është caktuar 12.000 lekë, masa e pensionit të përfituar do të jetë 12.000 x 18 (muaj) / 35”, detajohet nga burimet zyrtare të ISSH-së.
Masa e pensionit të plotë të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë
Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Veçoritë e pensionit të plotë si nënë me shumë fëmijë:
Gjatë llogaritjes së pensionit si nënë me shumë fëmijë ndiqen një veçorish sa i takon përfitueseve në fshat të cilat kanë të bëjnë me : ”Përfituesja e këtij pensioni në qoftë se ka punuar në shtet dhe në ish-kooperativat bujqësore, do të përfitojë pension pleqërie fshati, si nënë me shumë fëmijë. Me plotësimin e kushteve për pensionin si nënë me shumë fëmijë dhe nëse plotëson kushtet për pension shteti, pra ka mbi 17 vjet e 6 muaj periudha sigurimi në shtet, ka të drejtë që të kërkojë pension pleqërie të plotë ose të pjesshëm, sipas rastit”.
Procedura: Si të gjeni vitet e punës që keni humbur
Janë të shumta rastet në të cilat humbja e librezës së punës mban larg skemës së përfitimit shumë përfitues. Në rastet kur aplikuesit për pension, nuk disponojnë librezën e punës përmes të cilës verifikojnë vjetërsinë kontributeve që kërkohet për të përfituar, ata mund të kërkojnë ndihmën e organeve të sigurimeve shoqërore për të verifikuar vjetërsinë e “humbur” të punës. Fillimisht duhet bërë deklarimi i viteve të punës pranë organeve të ISSH-së, për të mos rrezikuar marrjen e pensionit. Do të jenë pikërisht përfaqësuesit e ISSH-së, ata që do të merren me verifikimin e vjetërisë së punës, procedurë përmes të cilës konfirmohet nëse; “pensionisti në bazë të deklarimeve të bëra ka të drejtë të përfitojë, si dhe përcaktohet se sa do të jetë masa e pensionit që do të marrë”. Për të kryer këtë procedurë, personi duhet të deklarojë me shkrim pranë organeve të ISSH-së ecurinë e viteve të punës në vendet ku ka qenë i punësuar. Kjo procedurë duhet kryer për të gjithë personat që kanë dalë në pension para 1 janarit të 1994-ës. Për periudhat pas 1994-s, të dhënat për të gjitha kategoritë disponohen nga organet e ISSH-së, ku janë deklaruar kontributet. Nëse një person që ka humbur librezën e punës, por mban mend vitet e punës që ka kryer, ai mund të paraqitet në organet e sigurimeve shoqërore në momentin kur vjen koha për të dalë në pension. Aty deklarohet me shkrim, se cilat janë vitet e punës së bërë, duke i deklaruar ato në bazë të ecurisë. “Ky person duhet të tregojë të gjithë hapësirën se ku ka punuar në vite kjo gjithmonë bëhet fjalë para vitit 1993, ose që nga data para 1 janarit të 1994-ës, pasi të gjitha këto të drejta njihen me ligjin e ri të sigurimeve shoqërore. Ndërkohë që mbas 1994-ës është më e thjeshtë, realisht duhet të ketë dokumente për të vërtetuar një gjë të tillë në ISSH”, deklarohet ngaISSH. Procedura e verifikimit kërkon një afat të caktuara kohor që të mbyllet. “Duke qenë persona të siguruar në mënyrë vullnetare, që të gjithë këta duhet të drejtohen me dokumente financiare që vërtetojnë se personi në fjalë për hapësirat kohore që pretendon ka paguar kontributet shoqërore. Çdo periudhë njihet si periudhë sigurimi vetëm në momentin që ka paguar kontributet. Nëse nuk ka kontribute dhe nuk vërtetohet me dokumente që janë derdhur kontributet, nuk ka të drejtë për të përfituar”, bëhet me dije nga ISSH-ja.

Nje pyetje per gazeten : Ne se nje person ka mbushur moshen e pensionit 65.vjet, por paraqitet per arsye te ndryshme, mbas 4 vjetesh ne zyrat e sig,shoqerore,per fillim procedurjal,nga cdate i fillon pensioni?,