Një grup kriminal i përbërë nga 7 shqiptarë, një shtetas grek dhe një amerikan u arrestuan javën e kaluar në Filadelfia, nën akuzën e përdorimit të bizneseve të ndryshme në pronësi të tyre për të dhënë ‘kredi’ ilegale dhe për t’i mbledhur më pas këstet e tyre me dhunë. Anëtarët e bandës i shtynin klientët drejt borxheve në lojërat e fatit të ngritura nga vetë ata, për t’iu zhvatur më pas para me fajde
FBI-ja dhe Zyra e Emigracionit në Pensilvani bashkë me një sërë institucionesh të tjera në Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar hetime mbi aktivitetin e jashtëligjshëm të një bande të formuar nga: Ylli Gjeli (48 vjeç), Fatmir Mustafaraj (41 vjeç), Gëzim Asllani (34), Rezart Rahmi Telushi (40), Eneo Jahaj (26), Ardit Pone(35), Erion Murataj (35), George Markakis (43) dhe Brian Jackson (35). Nëntë personat u arrestuan në veri të Filadelfias, të premten e kaluar, mbi bazën e akuzave për shantazh, zhvatje dhe lojëra fati ilegale.
“Objektivat kryesore të sipërmarrjes së grupit përfshinin gjenerimin e të hollave dhe pasurimin e anëtarëve të saj përmes ofrimit të ‘kredive’ me norma të jashtëzakonshme interesi për ata që nuk kishin mundësi të merrnin në bankë. Më pas, Gjeli dhe bashkëpuntorët e tij përdornin shantazhin dhe kërcënimet me jetë për të mbledhur këto ‘kredi’ të paligjshme. Lojërat e fatit, gjithashtu ilegale, ishin karremi për dhënien e huave e më pas mbledhjen e tyre me interesa të mëdha”, lexohet në aktakuzë.
Në të, Gjeli përshkruhet si “bossi” i organizatës, ndërsa Erion Mustafaraj, si “muskuli” i saj. Sipas prokurorisë, Rezart Rahmi Telushi dhe Gëzim Asllani, merreshin me “vjeljen” e të hollave në formën e pagesave javore nga klientët. Eneo Jahaj, Ardit Pone dhe Brian Jackson (shtetas amerikan) merreshin me regjistrimin e basteve, ndërsa Geroge Markakais (shtetas grek) ishte drejtues i sektorit të lojërave të fatit të jashtëligjshme.
Anëtarët dhe bashkëpunëtorët e kësaj organizate përshkruhen si njerëz të dhunshëm duke kërcënuar njerëzit më armë për jetën e tyre dhe atë të familjarëve.
Rrjeti amerikan “Fox News” raporton se të akuzuarit kanë përdorur bizneset e vendosura në veri të Filadelfias, midis të cilave “Lion Bar”, “Blackbird Café”, “Ylli’s 2 Brothers”, “First England Pizza”, për të kryer aktivitetet e tyre kriminale.
Gjithsesi vazhdon të mbetet e paqartë se kur kanë mbërritur shqiptarët në Shetet e Bashkuara, pasi gjatë seancës dëgjimore nuk u dhanë detaje të kësaj natyre. Por, në disa faqe online të shtypit amerikan shkruhet se një pjesë e tyre mbërritën në Nju Xhersi dhe në Pensilvani në fund të viteve ‘90, gjatë kohës kur administrata Clinon solli mijëra refugjatë në SHBA duke përfshirë edhe kosovarët (bashkë me ta edhe shtetas nga Shqipëria) që në atë periudhë ishin subjekte të luftës me Serbinë.
Padia u lëshua javën e kaluar gjatë një seance dëgjimore paraprake dhe procesi pritet të vazhdojë në gjykatën e Filadelfias këtë javë ku të akuzuarit do të përgjigjen për akuzat që kanë në ngarkim.
Në Shtetet e Bashkuara aplikohen dënime të rënda për persona që ofrojnë kredi me një normë interesi e cila tejkalon përqindjen e miratuar me ligj dhe përdorin metoda frikësuese për marrjen e pagesës për shlyerjen e tyre.
Nëse vërtetohet fajësia, Gjeli dhe Mustafaraj mund të përballen me burgim të përjetshëm, ndërsa pjesa tjetër e të pandehurve mund të dënohen maksimalisht me 20 vjet burg./ D.Gjuzi
