Po Noli?

editor

Ne si shqiptarë, karakterizohemi nga dy qendrime shpesh herë ekstreme në raport me “tjetrin”.Në raportet individuale njerëzore dhurojmë një dashuri të papërmbajtshme,aq sa përherë e më shumë po stabilizohet ideja që tërheqja më e rëndësishme turistike, në vend të plazheve e bukurive natyrore janë vetë njerëzit që jetojnë kësaj ane. Në të njejtën kohë, ose më mirë në të gjithë kohrat,shqiptarët njihen gjithashtu dhe për reagime,agresive,të pa-organizuara, spontane të cilat jo rrallë kanë qenë në raport të zhdrejtë me momentin historik e mbi të gjitha me krahun e duhur të ndodhive politike.

Kjo u vu re edhe në dy ndodhit e fundit. Rasti i Himarës dhe rasti i Përmetit. Raste këto që cilat po diskutohen përherë si paketë e në fakt këtu qëndron problemi që dua të analizoj.

Në Himarë u shfaqën dy aktivistë, fashistë të Agimit të Artë, të cilët bënë publike një deklaratë për marrjen e territorit fizik të Himarës. Po e them që në krye të herës, rasti është kryekëput banal. Dy individë që i referohen një kohe që nuk ka ekzistuar kurrë e që ata nuk kanë fuqinë ta bëjnë realitet. Aktivistët erdhën për të bërë një aktivitet në Shqipëri, por më shumë se  donin të na merrnin Himarën, të veshur me pantallona të shkurtra e gjeste karagjoze, ata donin të rrisnin ndonjë votë në vendin e tyre. Histeria kolektive, spontane, tipike shqiptare që ngjau më pas, ishte shërbimi më i mirë që  ju bë partisë fashiste greke, e cila si subjekt përfaqëson një anomali post-krize në shtetin fqinj. Qendrimet kaotike në politikën e jashtme, karakterizohen gjithmonë nga përgjithësime dhe mungesë njohjeje, fenomene që u panë dhe në trajtimin e rastit në fjalë. Së pari nuk u bë diferenca që në Himarë për të bërë ato deklarata nuk erdhi i gjithë populli grek, sic u referua nga nacionalistët, por aktivistë të një partie që përfaqësojnë një pjesë të vogël të grekëve në parlament, në po atë parlament ku qëndron dhe Syriza,një forcë e majtë që përfaqëson gjysmën e popullit grek, e që në qendër të programit të saj ka integrimin e emigrantëve. Duke përdorur këtë lloj përgjegjësimi, të gjithë ata që sot rrahin gjoksin si patriotë, janë duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm Agimit të Artë, me vënien e tyre në qendër të vëmendjes e gjithashtu me konfirmimin e një teorie e cila nuk është fakt që gjithë grekët janë fashistë, e për pasojë atëherë ata detyrimisht duhet të mbështesin partinë fashiste,a nuk është në fakt kjo ajo që po kërkon vetë partia fashiste?

Por çorditja totale qendron në rastin e Përmetit. Akti i parë anti- patriotik, ishte lidhja e rastit të Përmetit me “provokacionet e gushtit në Himarë”. Deduksioni logjik këtu bëhet dhe më spektakolar dhe akoma më anti-patriotik, duke propozuar që Kisha është Ortodokse, këta të fundit janë grekë, pra kisha është greke e duhet ta marin shqiptarët. Fan Noli i shkretë është duke u rrotulluar në varr. Sot kisha Ortodokse shqiptare është e pavarur, ndoshta ekzistojnë klika të ndryshme që duan t’ia heqin këtë pavarësi, por më shumë se keto, vetë ata që në dukje janë duke mbrojtur pavarsinë e kishës e sulmojnë, sepse e konsiderojnë tanimë greke?! Ky është një hara-kiri politik që mund ta bënin vetëm nacionalistët shqiptarë. Të cilët treguan dhe një herë mosnjohje totale të politikës, por mosnjohje totale dhe të fesë, e cila qëndron mbi parimet e universalitetit e nuk është një nocion territorial. Por keqardhja më e madhe është që në vënde të tjera, debate mbi rëndësinë e objekteve të kultit apo kulturës, mbi rëndësinë shoqërore të fesë apo kulturës, janë debate që kanë shënjuar momente emancipimi historike.

Përfshirja e qytetarëve në debatin e kishës në Përmet, duke e bërë diskutimin sa më demokratik, mbi rëndësinë e njërës apo tjetrës, trajtimi i kësaj çështje nga disa këndvështrime, si ai filozofik, teologjik, sociologjik konstituojnë jo vetëm momente historike të qasjes ndaj territorit, kulturës dhe ligjit, por dhe krijojnë një atmosferë njohjeje e shmangieje të këtyre keqkuptimeve masive që ekzistojnë sot në shoqërinë tonë. Por edhe kësaj here një gjë e tillë nuk ndodhi, një tufë injorantësh të udhëhequr nga një media amatoreske, arritën të na fusin të gjithëve në qorrsokake konceptuale,e humbje totale koordinatash. Histeria edhe një herë mbizotëroj mbi llogjikën.

Feja, Kombi dhe Kultura janë tema shumë të rëndësishme për tu lënë në dorë të “djemve të labërisë” apo Irfanit të News 24-ës. Janë shtyllat që mbështetet shoqëria për të qëndruar drejt e për të parë larg. Për këtë arsye është e rëndësishme që të ketë një përfshirje shumë më të madhe të shtresave shoqërore akademike, por sigurisht dhe politike, që vendosin disa piketa në këtë debat, përndryshe kjo aleancë absurde mes Agimit të Artë e nacionalistëve shqiptarë, do krijojë një hegjemoni dhe një stabilizim të retorikës së urrejtjes e cila do jetë shumë e vështirë për t’u luftuar në të ardhmen.

Share This Article
4 Comments
  • Ju z. Leart Kola as me pake e as me shume me shkrimin tuaj jeni një propogandues i “Megali-Ides”. Juve nuk u bene pershtypje veprimtaria e kishes greke ne Shqiperi. Desheroj tju pyes si ju duhet kryqi mbi varret e Boboshtareve ne Korçe, “hamami” ne gruken e Kelcyres, perpjekjet per te kthyer shtepine e kulures Naim Frasheri ne kish nga nje prift qe deri ne 1990 vithte rrush ne ferme, shkollat e shumta qe perpiqen te hapin ne gjithe shqiperine, nderrrimi i emerave te shqiptareve qe shkojne per te fituar buken e gojes ne Greqi, kenget rraciste qe kendohen nga rinia greke (do endin me zorret e shqiptareve) dhe qendrimet e Peshkopit Anastasio?. Ju qe i quani “djemt e laberise” injorant jeni nje lolo i paguar nga kisha greke dhe asgje tjeter. A e njihni ju Kanunoren e Kishes Autoqefale Shqiptare dhe luften titanike te Nolit me shoke per mevetesin e kishes shqiptare? Prandaj vazhdoni te hani ne grazhdin ku paguheni, por mos kerko te japesh mend djeme te laberise se te paret e tyre e kane krijuar edhe Athinen qe ju mbroni.

  • Njerez si shkruesi i artikullit nuk duhet te lejohen te shkruajne artikuj me ligj, jo se prekin tema te rrezikshme a tema kontroversiale, por se thjesht kane mungesa gjenetike qe fyejne vete simboliken e medias.

  • O Laert, djemte e Laberise jane 1000 here me ne rregull se ata hunjte e “Agimit te arte”. Duan vendin e tyre, sipas menyres se tyre, pa trazuar njeri. E po do te reagojne kur fyhet vendi i tyre. A i sheh ata miqte e tu se cbejne, si ndalojne njerezit e thjeshte ne kufi. E keta njerez jane si me miliona greke qe jane ne emigrim e si prek kush. Po cdo te thuash o ditezi per ligjin e luftes qe nuk e heq Greqia?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *