ALPBACH, Austri – Presidentët e Serbisë dhe Kosovës janë entuziazmuar shumë nga suksesi i forumit të Alpbach-ut, thonë burime që janë duke ngrënë shnicel dhe pirë shnaps.
Ata nuk e prisnin që edhe vetë komisioneri Hahn të binte dakord se “nqs ndarja e re kufitare Serbi-Kosovë bëhet në mirëkuptim, ne nuk kemi problem”.
“Të thashë që do pranonte, Hashim?”, mësohet se i tha Vuçiç homologut, “jemi gjigandë, vallahi”.
“Shuj bre”, ja ktheu me shaka Thaçi, “qysh, edhe ju e përdorni fjalën shqipe vallahi a”?
Në vijim, dy presidentët e kanë marrë Hahnin mënjanë dhe i kanë thënë:
“Ni ktu: Sa jemi të nxehtë dhe me lapsa e kompasa në dorë, pse mos me e nda nga e para gjithë Europën qendrore, Ballkanin e deri në Kaukaz? Gjithë kjo hapësirë ka një mal me probleme, i zgjidhim fët e fët. Se gjynah të ftohet gjithë kjo përvojë që kena kriju!”
Hahn nuk e priste këtë propozim, ndaj ngeli si i nemitur:
“Ju… Si? Të ndani kufijtë e të tjerëve? Po si të them…”
-O figurëë. Dëgjo mua të thom – e tërhoqi Thaçi nga mënga duke ndërruar regjistrin në një anglishte labërishte – është pazar i mirë. Ke probleme ti si BE me Kroaci-Slloveni? Ke shërre kufitare Rumani-Hungari? Po Sllovakia me Çekinë që gjec bënë hatanë për dy fshatra? Po të tjera e të tjera? Unë e Sandri ndajmë kufirin e ri, vëmë piramidat dhe klonet e reja, ju na jepni një përqindje simbolike dhe secili në punë në vet!
Johannes Hahn i cili prej muajsh herë han e herë s’han, sipas dëshmitarëve po fliste me vete; “klone, piramida? Ç’janë këto…?”
Atë çast ndërhyri Sandër Vuçiçi, që me babaxhanllëk sqaroi:
“Jo jo, unë s’dua, nema përqindje; e kush jam unë a derëbardhë: Një serb fshatar i mesëm që s’di nga lidhet gomari. Mua më jepni atë çik Mitrovicë, at liqenin e hidrocentralit, Trepçën dhe aq dua unë. Përqindjen ta marri Hashimi se ai është shkencëtari i vërtetë i kësaj pune. Unë hamall jam!”
Dhe Hashimit i shkoi buza vesh më vesh nga lezeti.
Dy ditë më pas, Johannes Hahn mbërriti në Durrës ende i trullosur, me flokët që ja merrte era, i zhytur në mendime dhe duke folur me vete…
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike kufitare me prirje pro-fshatare
