50 emigrantë eritreas të anijes “Diciotti” janë zhdukur.
Disa janë larguar nga qendra “Rocca di Papa”, ndërsa të tjerë kanë humbur gjurmët me të mbërritur në qendra të ndryshme të “Caritas”-it.
Selia e kryeministrit, “Viminale”, ka sqaruar se këta persona janë të lirë të lëvizin sepse ua lejon ligji.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini ndërkohë nuk ka ngurruar të bëjë ironinë e radhës.
“Ishin kaq shumë nevojtarë për mbrojtje, ushqim dhe strehim, saqë kanë vendosur të largohen dhe të zhduken! Si ka mundur të ndodhë kjo? A nuk i kisha rrëmbyer unë në mënyrë të paligjshme?” – është shprehur ai.
Nënsekretarët e Ministrisë së Brendshme kanë theksuar se “kjo është provatë e disatë se kush zbarkon në Itali jo gjithmonë ia ka mbathur nga uria dhe lufta, pavarësisht gënjeshtrave të së majtës dhe atyre që i përdorin emigrantët për të bërë biznes”.
Nga ana tjetër, drejtori i “Caritas”-it, Don Francesco Soddu ka shpjeguar:
“Asnjë prej këtyre personave nuk dëshiron të qëndrojë në Itali, kjo dihet. E përpara një situate mirëbesimi, herët a vonë kushdo do të kishte zgjedhur të largohej vullnetarisht, pikërisht sepse struktura që i mirëpret nuk e ka për detyrim t’i mbajë. Ka qenë një largim vullnetar, jo një arratisje. Largohen nga një situatë ‘paraburgimi’ dhe nuk është rasti i parë. Askush nuk dëshiron të qëndrojë në Itali.”
Emigrantët e anijes “Diciotti” që kanë humbur gjurmët, mësohet se kanë mbërritur në Frosinone dhe dy nga to janë pritur në Bologna.
Sipas Don Soddu-s, ata mund të kërkojnë azil në Itali apo kudo tjetër, duke rinisur procedurën e hapur nga qendra e pritjes “Mondo Migliore” në Itali.
s.a/dita
