Gjashtë prej tregjeve më të frekuentuara të kryeqytetit po u nënshtrohen kontrolleve të përditshme në mënyrë që të shmanget rritja abuzive e çmimeve, e cila bëhet më e dukshme në prag të festave të fundvitit. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorit nëpërmjet një plani të përcaktuar po monitoron tregjet e Tiranës duke synuar që të frenojë tregtarët të mos rrisin në mënyrë abuzive çmimet e produkteve të shportës dhe të fruta perimeve. Për këtë janë shpallur edhe tabelat zyrtare të çmimeve mesatare për produktet më të konsumuara gjatë këtyre ditëve. Ndryshueshmëria e këtyre çmimeve do të çojë në marrjen e masave ndëshkuese për subjektet tregtare. Nuk do të jetë vetëm gjoba ajo që do të ndëshkojë tregtarët abuzivë, por edhe humbja e klientelës pasi parashikohet ngritja e një apo dy tregjeve alternative që do të funksionojnë vetëm për festat ku çmimet e produkteve do të jenë më të lira. Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit Geron Ibrahimi ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se janë marrë masat në raste se do të abuzohet me çmimet e këtyre produkteve. Sipas Ibrahimit në rast se tregtarët do të rrisin çmimet në mënyrë abuzive, atëherë përveç masave ndëshkuese nëpërmjet inspektorëve tatimorë do të konkurrohen me hapjen e tregjeve që do të kenë çmime të favorshme për konsumatorin.