Veç kur të kem vdekur…

DITA Online

 

Të zgjedhura nëpër vite

 

Veç kur të kem vdekur…

Me zëmër të mardhur,

nga ethet mbërthyer,

eca këmbëzbathur,

mbi xhama të thyer.

I lagur nga shiu,

i djegur nga vapa,

këmbët m’u gjakosën,

po s’u ktheva mbrapa.

Nga dhimbja m’u shuan,

sytë e mi të zinj,

para kam kuçedra,

prapa gjarpërinj!

Me zjarr e me hekur,

djalli mori shpagë,

veç kur të kem vdekur,

s’do të kem më plagë

Plumbi më ka prekur,

në shpirt e në ballë,

veç kur të kem vdekur,

do të jem i gjallë…

2.1.1997 

Puthja…

Ngrihej mal Qezari,

mbi gjithë gjeneralët,

po kur puthte miken,

s’ish më ndër të gjallët.

Eh-ç’mundime hoqi,

gjeneral’ i ndritur,

vdiste aq i lumtur,

ngjallej i mërzitur…

Dhjetor, 1996 

Dyzet vjet…

Dyzet vjet…,

dyzet shkreptima rrufeje në ballë,

të falem-o Zot-që ende jam gjallë.

Dyzet vjet…,

dyzet vullkane me zjarr të pashuar,

s’jam lis i djegur-po pishë e bleruar…

5 Dhjetor 1997

Ike i lumtur Sergej Esenin…

Ti ike i lumtur Sergej Esenin,

vetëm një herë i mbylle sytë,

po të rroje né atdheun tim,

do vrisje veten dhjetë herë në ditë.

Maj,1996 

Rri me mua këtë natë…

Ku ta shkrij gjithë këtë akull,

këtë terr që po më mbyt,

për të shkrirë gjithë Antarktidën,

më mjafton veç trupi yt.

Rri me mua këtë natë,

këtë kohë që na mbeti,

na mjafton veç një krevat,

nga çdo gjë që ka qyteti.

Në një dhomë-në errësirë,

nuk ra zjarr-s’plasi dyfek,

po për dreq-aty u dogj,

një krevat dhe një dyshek!..

Korrik, 1998  

Pa titull…

Burrat shpikën zjarrin,

për të djegur furrat,

Zoti-gjinjtë e grave,

për të djegur burrat!..

Tetor, 1999 

Vajzat dhe pemët…

Kur zhvishen pemët,

ngjajnë të ngrira-të shkreta,

kur zhvishen vajzat,

ndrijnë-vetëtijnë si kometa…

Maj, 1985 

A. Duka

Share This Article
1 Comment
  • pa u zgjatur shumë me këto llomotitjet e tua o duka i tradhëtisë!!
    “para kam kuçedra,

    prapa gjarpërinj!”

    mos vallë duhet të të them se nëse je i rrethuar nga mostra!?
    një pasqyrë do të të ndihmonte për të kuptuar se dhe ti je një mostër!!
    përndryshe do të të kishin përpirë!!
    soji i njëjtë nuk e ha njëri tjetrin!!
    ti je pjesë e këtyre mostrave,prandaj ke mbijetuar e mbijeton!!
    me mostrat para e pas vetëm spekullon!
    vetëm përfiton!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *