Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës.
Aktualisht në dispozicion janë disa lloje vaksinash që sigurojnë një mbrojtje të lartë kryesisht kundër llojeve kancershkaktuese të HPV. Studimet tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV nëse aplikohen para ekspozimit të HPV-së.
Prandaj preferohet që ato të aplikohen para aktivitetit të parë seksual.
OBSH rekomandon vaksinimin për vajzat e moshës 9-13 vjeç. Ndërhyrje të tjera parandaluese përveç depistimit dhe vaksinimit, të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit si për djemtë dhe për vajzat janë: “edukimi lidhur me praktikat e sigurta seksuale e fillimi me vonesë i aktivitetit seksual; promovimi i përdorimit të prezervativit për ata që kryejnë aktivitet seksual, paralajmërimet për përdorimin e duhanit, rrethprerja mashkullore (syneti). Edukimi shëndetësor siguron që gratë, familjet e tyre e komuniteti në përgjithësi të kuptojnë se kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm”.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.
Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane- HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht.
Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme.
Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, njihen si lloje me rrezik të lartë kancershkaktues të kancerit të qafës së mitrës te gratë. Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse: ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale, ka partnerë seksual të shumtë, ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale, ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, përdor në mënyrë abuzive duhanin apo ka imunitet të ulët.
