Uragani “Florence” shemb një hotel, asnjë i lënduar

Mila Hysotoci

Epiqendra e uraganit “Florence”, apo syri i ciklonit ka prekur plazhet e Karolinës së Veriut.

Më shumë se 60 persona, përfshi fëmijë, janë nxjerrë me urgjencë nga një hotel i shembur në Jacksonville .

Uragani shkaktoi rrëzimin e disa blloqeve  në murin dhe çatinë e hotelit “Triangle Motor Inn”, duke bërë që disa banorë të ngecnin në dhomat brenda.

Policia dhe ekipet e zjarrfikësve janë munduar mes vështirësive të shumta të shpëtojnë klientët e hotelit, të cilët janë dërguar tashmë në mjedise të sigurta. Për fat të mirë, asnjë nuk është plagosur.

Ekipet e shpëtimit janë duke punuar gjithashtu për të shpëtuar edhe 150 persona të bllokuar në New Bern.

Qyteti në fjalë paralajmëroi njerëzit të ngjiteshin në katet më të larta të shtëpive të tyre, por iu garantoi gjithashtu se do të bënin të pamundurën për t’i shpëtuar.

Ndërkohë, mbi 400 mijë njerëz në Karolinën e Veriut raportohen të kenë mbetur pa energji elektrike.

Gjithsesi, Qendra Kombëtare e Uraganëve në Miami raportoi për “erëra të furishme dhe dallgë kërcënuese për jetët e njerëzve” që mund të kenë mbetur përgjatë brigjeve të dy Karolinave, ndërsa rrugët buzë detit janë përmbytur që të gjitha nga uji i oqeanit.

M.H/ Dita

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *