Presidenti Barack Obama thotë se ka besim se mund të punojë me Kongresin për të siguruar një rezolutë për autorizimin e ndërhyrjes ushtarake në Siri. Ai e bëri komentin sot në fillim të një takimi me udhëheqës të Kongresit për të diskutuar mbi përdorimin e armëve kimime për të cilin akuzohet qeveria siriane.
“Plani që është hartuar nga shefat e ushtrisë dhe që unë mendoj që është ai i duhuri, është proporcional, i kufizuar, nuk përfshin trupa në terren. Nuk është Irak dhe as Afganistan. Ky është një hap i kufizuar dhe proporcional që do t’i dërgojë një mesazh të qartë jo vetëm regjimit të Assadit, por edhe vendeve të tjera që mund të jenë të interesuar të sfidojnë disa nga këto norma ndërkombëtare, se kjo sjell pasoja”.
Presidenti Obama tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë “një strategji më të gjerë” që përfshin konsolidimin e aftësive të opozitës siriane.
Zoti Obama ka kërkuar miratimin e kongresit para se të ndërmarrë një goditje ushtarake ndaj Sirisë për përdorimin e armëve kimike ndaj civilëve për të cilin akuzohet qeveria siriane. Senatorët republikanë John McCain dhe Lindsey Graham, dy përkrahës së idesë se një ndërhyrjeje të fuqishme kundër Sirisë, u takuan me zotin Obama në Shtëpinë e Bardhë dje.
“Nëse Kongresi nuk e miraton një rezolutë të tillë, pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara është angazhuar se do të veprojë, pasojat do të ishin katastrofike pasi besueshmëria e këtij vendi si me miqtë ashtu edhe me armiqtë do të dëmtohej, dhe kjo nuk do të kishte pasoja vetëm për këtë administratë, por edhe për administratat e ardhshme.”
Senatorët McCain dhe Graham kritikuan administratën e zotit Obama që nuk veproi më herët në Siri, duke armatosur kryengritësit. Senatorët thanë se ushtria siriane ka marrë armë nga Rusia dhe Irani për dy vjet, duke e bërë luftën të pabarabartë.
Ndërkohë, dy ligjvënës rusë u takuan dje me Presidentin Vladimir Putin lidhur me perspektivën e dërgimit të një delegacioni parlamentar në Uashington për t’u kërkuar homologëve amerikanë që të mos mbështesin ndërhyrje ushtarake në Siri.
R
usia, një aleate e Sirisë e ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e provave të Shteteve të Bashkuara se qeveria e Presidentit Bashar al-Assad ka përdorur armë kimike ndaj civilëve.
Sekretari i Shtetit John Kerry, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel dhe Shefi i Shtatmadhorisë Martin Dempsey, dëshmojnë sot para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë lidhur me kërkesën e Presidentit Barack Obama për të autorizuar ndërhyrje ushtarake në Siri. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon do të informojë anëtarë të Këshillit të Sigurimit sot për zhvillimet e fundit në Siri./VOA
