Rrëfim për Ulqinin, historinë dhe poezinë

Leda Hysa

 

( DHENE GAZETARIT TE ULQINIT HAXHI SHABANI )

Edhe puna më e thjeshtë është gjithnjë një sintezë.

Në natyrë nuk ekzistojnë elementë kimikisht të pastër veç e veç, as të formuluar, në formë katalogu si Tabela e Mendelejevit.

Të tërë elementët ekzistojnë të shkrirë dhe të ndërfutur tek njëri tjetri.

Ahere si vallë fusha të ndryshme të dijes, të paraqiten të ndara në librat e një autori?

Karakteri shumëdimensional i librave të mi është përcaktuar nga kjo e vërtetë sa e thjeshtë aq dhe e ndërlikuar.

Është e vërtetë, që unë e kam nisur krijimtarinë si poet.

U diplomova për filologji dhe gjuhë shqipe, u diplomova gjithashtu edhe për histori të lashtë.

Punova një pjesë të madhe të jetës si arkeolog dhe historian i artit të lashtë dhe mesjetar.

Pata edhe një jetë politike të përcaktuar në kohë si Ministër i Kulturës së Shqipërisë dhe deputet në Parlamentin Shqiptar më 1991-1996.

Por kronologjia biografike është shumë e thjeshtë nga ajo artistike.

Kronologjia biografike është një matematikë rendore, pra është më tepër sasiore.

Kronologjia artistike nuk e respekton shumë urdhrin rendor, as nuk është thjesht sasiore, por është më tepër cilësore.

Sinteza është sekreti i artit madje dhe i vetë shkencës.

 

2.Kultura iliro shqiptare është një entitet më vete, një dimension krejtësisht i dallueshëm, origjinal, mbijetues. Kultura iliro-shqiptare është substanca e qytetërimit iliro-shqiptar.

Ajo ka forma të ndryshme në shekuj të ndryshëm.

Por koherenca e thelbit është pasaporta e saj.

 

Kultura dhe qytetërimet greke dhe romake janë nga kulturat dhe qytetërimet më të mëdha të njerëzimit.

Kultura dhe qytetërimi ilir është ndërmjet tyre, nuk duhet të vuajmë nga kompleksi i inferioritetit, por historia nuk na jep të drejtën të vuajmë nga kompleksi i madhështisë.

Kultura dhe qytetërimi ilir janë diçka e veçantë.

Ky individualizim historik është statusi i partneritetit civilizues edhe në raport me kulturat e qytetërimet e tjera.

3.Më interesojnë qytetet dhe kalatë e tyre.

Para disa ditësh isha në Gjirokastër me vajzën time 16 vjeçare Kleitia.

Pamë shtëpitë e tipit Shato të qytetit dhe kështjellën madhështore.

I thashë vajzës sime: shiko sa shumë ndërtime kështjellash ka në Shqipëri, Kështjella e Gjirokastrës, e Kaninës, e Beratit, e Durrësit, e Elbasanit, e Shkodrës e Krujës etj.

Janë gati 10 qytete arkeologjikë të antikitetit në Shqipëri, qindra ura monumentale.

Një popull prej 1 milion banorë siç ka qenë Shqipëria në mesjetë dhe në kohën moderne plotëson numrin e një qyteti mesatar në Evropë, fjala vjen në Francë apo Gjermani.

Më thoni ju lutem cili qytet prej 1 milion banorësh në Evropë ka bërë kaq shumë kështjella, ka kaq shumë qytete arkeologjikë, ura dhe vepra arti, kaq shumë shkrimtarë, ikonografë të mrekullueshëm, kaq shumë folklor, kaq shumë etnografi?

Prandaj i thashë Kleitias se populli shqiptar është një popull me kulturë të lartë.

Qytetet dhe kalatë shqiptare flasin për një popull të edukuar të punës.

  1. Në vitin 1968-70 botova dy libra poetikë me leksik dhe gjuhë poetike, e cila synonte ridimensionimin e historisë letrare siç e quani Ju.

Në vitin 1970-1974 unë botova cikle të mëdha poetikë, që u dënuan më pas politikisht nga Plenumi IV i PPSH si poezi hermetike.

Prirja ime për këtë ridimensionim ka karakter kryesisht estetik.

Sfida ime është substancialisht estetike.

Ky lloj heretizmi është më i rëndësishëm, sepse në të vërtetë unë nuk besoj tek alibitë e desidentizimit politik.

  1. Libri që kam shkruar për Mujo Ulqinakun më moshën 24 vjeçare e quaj si një nga veprat e mia më të mira.

Ky libër është botuar dhe në anglisht dhe në frëngjisht. Mujo Ulqinaku, me origjinë nga Ulqini është Heroi i parë i Luftës Antifashiste Evropiane që u vra më 7 prill 1939, pra është një apostull dhe paraprijës i antifashizmit.

  1. Gjatë ekspeditave të mia në Ulqin dhe në Shas kam grumbulluar tërë koleksionin e mbishkrimeve.

Pjesa më e madhe janë mbishkrime latine të shekujve XIII-XV, siç janë mbishkrimet e kishave të Shasit.

Kurse një mbishkrim në kështjellën e Ulqinit, bërë me tulla të kuqe, ka shumë mundësi të jetë para Gjon Buzukut dhe është në gjuhën shqipe.

Ulqini për mendimin tim është metropoli i të shkruarit të gjuhës shqipe në mesjetë.

Jo rastësisht Buzuku lidhet me simbolin e Ulqinit, madje dhe me rrënjën etimologjike “Ujk”, rrënjë e përbashkët për emrin e qytetit dhe për emrin e Buzukut.

  1. Gjon Buzuku është figurë madhështore e gjuhës dhe e kulturës shqiptare.

Kam tre vjet që shkruaj papushim një libër për të.

Deri më sot, mendohet se ky është libri i parë në shqip.

Faik Konica mendon se gjuha shqipe mund të jetë shkruar në epokën normane në shek. XI apo në atë anzhuine në shekullin XIII.

Besoj se parashikimi i Konicës ka për t’u aprovuar nga parashikimet e të ardhmes.

Unë e kam bërë librin për Buzukun duke medituar për parabuzukianët.

Kështu Buzuku është një konkluzion dhe jo thjesht një fillim. Kam patur fatin e madh ta kem njohur nga afër kolosin e gjuhësisë shqiptare Eqrem Çabej.

Çabej, në një bisedë është shprehur i bindur se duhet të ketë patur edhe autorë më të vjetër të gjuhës shqipe se sa Buzuku. Arbëreshi Nilo Borxhia, i kish treguar Çabejt më 1940, në Romë se kishte gjetur një dorëshkrim në Vatikan shumë më të vjetër se sa Buzuku.

Borxhia vdiq, duke e marrë sekretin e këtij zbulimi në varr.

Unë jam i sigurt se vlera epokale e Buzukut nuk ka për t’u zbehur, por do të fitojë ndriçime të reja mendore dhe konotacione të reja historike.

  1. Në fshatin Kllezën kam vënë lule në varrin e Dom Simon Filipajt, që është sozia e Euseb Jeronimit.

Në Kllezën është dhe një varr mesjetar i quajtur Varri i Priftit.

Varri s’ka mbishkrim.

Legjenda thotë se është varri i Gjon Buzukut.

Që është varr mesjetar këtë ju siguroj plotësisht.

Edhe nëse s’është i Buzukut është i një kohëtari të Buzukut.

Një nderim të jashtëzakonshëm në kohën tonë i duhet bërë njeriut të mrekullueshëm dhe përkthyesit kolos, të ndjerit Dom Simon Filipaj.

Ai është i pari shqiptar në të gjithë kohërat dhe deri më sot i vetmi, që ka bërë përkthimi integral të Biblës.

Deri më sot, ky thesar i jashtëzakonshëm filologjik, teologjik dhe kulturologjik përbën një nga kodet e mëdha dhe një stacion të pazëvendësueshëm referencash për kulturën shqiptare të ndërthurur me kulturën botërore.

Akti i Dom Simon Filipajt është akti unikal i një vëllazërie dhe i një race të pavdekshme të përkthyesve dhe të krijuesve të gjuhës shqipe.

Shpresoj që në muajin shtator të vij me librin tim për Gjon Buzukun (të botuar) në Ulqin.

Unë s’kam bërë përurime të librave të mi.

Por për librin e Gjon Buzukut kam vendosur të bëj përurimin në Ulqin dhe do të organizoj një meshë të veçantë në Kishën Katolike të Ulqinit.

Për mua Gjon Buzuku është shenjtori i parë i madh i gjuhës shqipe.

Por edhe Filipaj është një tjetër shenjtor i madh i gjuhës shqipe.

  1. Statusi i qytetit si republikë e tipit autonom të Ulqinit është një ndikim venedikas dhe një dokument juridik i veçantë.

Kjo bashkësi qytetare kishte në shek. XIV dhe XV një nuancë republikane madje vetëqeverisëse.

Kjo demokraci e tipit mesjetar të Ulqinit ishte e tillë që në këshillin qytetar të Ulqinit është përdorur zyrtarisht edhe gjuha shqipe.

Ky fakt është i mrekullueshëm, sepse është parabuzukian.

  1. Letërsia e Kosovës është pjesë përbërëse e letërsisë kombëtare shqiptare.

Nuk është një pjesë e diskutueshme, as e rastësishme, por është një pjesë e qenësishme.

Nuk mendoj që dikush mund ta nënvleftësojë këtë letërsi në tërësi apo në pjesët e saj të veçanta.

Letërsia e Kosovës është një letërsi e ndritur, e strukturuar në rrethana tepër tragjike.

Letërsia e Kosovës është substanca e pavarësisë dhe e lirisë së saj.

Unë vlerësoj shumë veprën prej pionieri të prozës moderne, të një autori xhoisjan si Anton Pashku. Vlerësoj shumë poetë të tillë të nivelit evropian si Rahman Dedaj, Azem Shkreli dhe Ali Podrimja.

Vlerësoj figurën erudite madheshtore të Rexhep Qoses, por edhe veprën e studiuesve të shquar të formatit ballkanik si Rexhep Smajli, Idriz Ajeti, apo të një studiuesi tjetër të veçantë si Ëngjëll Sejdaj apo të një dijetari të mrekullueshëm siç është Zef Mirdita.

Ka dhe dijetarë të tjerë, kritikë dhe estetë të zotë si Ali Aliu, apo piktorë të spikatur dhe gjurmëlënës në art si Mysliu, Ferri, Nimani dhe skulptori i madh Çavërbasha.

Vepra e tyre në tërësi është një koleksion i paharruar dhe njëra nga sintezat e kulturës kombëtare shqiptare. Më ka tërhequr vëmendjen veçanërisht revista “Ekskluzive”.

Për mendimin tim kjo revistë ka fituar ekskluzivitetin e revistës më autoritative dhe më të shquar, që botohet sot për sot në gjuhën shqipe në krejt trojet etnike.

Kjo revistë, siç i kam telefonuar disa herë edhe mikut tim, publicistit Skënder Bllakaj, dallohet për nivelin e lartë shkencor dhe atdhetar dhe paraqitjen grafike të nivelit europian.

Do uroja të kishim sa më shumë të tilla botime serioze dhe të mirëpritura.

  1. Shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë të Malit të Zi i njoh shumë pak.

Çmoj veçanërisht ish priftin erudit nga fshati Triesht, të famshmin Athanas Gegaj, që ka bërë dikur një dizertacion të mrekullueshëm për Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Nga Ulqini njoh poetin e veçantë Bastri Çapriqi dhe sidomos filologun e spikatur dhe studiuesin shumë të talentuar Ruzhdi Ushakun.

Kam edhe miq të tjerë, shkrimtarë dhe studiues, po nga Ulqini.

Mendoj që shqiptarët e Malit të Zi, janë kohëtarë dhe synojnë arritje të vërteta estetike dhe shkencore në lartësinë e krejt kulturës kombëtare shqiptare.

Kultura shqiptare antike dhe mesjetare në Malin e Zi është një tjetër thesar i mrekullueshëm, për fat të keq kaq pak i eksploruar, për fat të keq ka pak i njohur.

Shpresoj se kultura shqiptare, duke përfshirë edhe atë arkeologjiken në Rizon, në Budva, në Tivar dhe në Ulqin do të përbëjë një informacion të klasit të parë, jo vetëm për kulturën shqiptare por edhe për atë ballkanike dhe evropiane.

Kam vite që studioj kryesisht librat arkeologjikë, të arkeologëve të huaj për trevat iliro-shqiptare të Malit të Zi. Krahas shkrimtarëve dhe estetëve ne na nevojitet shumë një çetë e fortë e arkeologëve dhe e mesjetarologëve.

Mjafton të kujtojmë çka shkruar Shuflai për antikitetin dhe mesjetën.

Shuflai na ka bërë ndere të paimagjinueshme ne, shqiptarëve.

Prandaj kam propozuar dhe ngul këmbë që një monument prej bronzi i Shuflait të vendoset në Muzeun Historik Kombëtar. (Ulqin, më 18 qershor 2002)

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *