Këtu e disa dekada të më parë, sipas një dekreti të Kuvendit Popullor, u vendos t’u jepet titulli i nderit “Nënë Heroinë” nënave që kishin lindur shumë fëmijë dhe kishin arritje në punë.
Dhe, Tropoja është treva pararojë që ato vite, pra para ‘90-ës shënoi rekorde në lindshmërinë e grave, ose natalitetit siç quhet ndryshe. Ishin shumë gra të cilat u shpallën “Nëna Heroina”, pasi sollën në jetë mbi 10 “kulisha”, fëmijë pra, ose carrokë, siç u thonë ndryshe nga Veriu.
Duke shfletuar shtypin lokal të kohës, lexojmë se vetëm në vitin 1988 9 gra tropojanë u shpallën
“Heronia”, pasi lindëm nga 10 deri në 12 fëmijë, siç ishin: Lulë Muslia, Ajman Muhametaj, Cymë Sadikaj, Aishe Lamaj, Feride Hoxha, Zade Sulaj, Zade Haklaj, Neslie Gjura dhe Mire Doshlani.
Po ashtu, titullin “Nëna Heroinë” e mori dhe Shkurtë Sadri Kokaj, motra e “Heroit të Popullit”, Ramë Sadria (Metaliaj).
Po çfarë po ndodh në vitin 2018? Ku u zhdukën Nënat Heroina? Vit pas viti, INSTAT raporton se numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm, raporton Dita!

2018/ 260 mijë nxënës më pak se më 1991
Këtë të hënë, nisi viti i ri akademik dhe lajmi i kësaj dite ishte se, numri i fëmijëve që mësojnë në ciklin 9- vjeçar po pëson ulje të frikshme nga viti në vit, si pasojë e rënies së numrit të lindjeve dhe emigracionit ende të lartë, që po përjeton popullsia e vendit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit këtë vit shkollor ndjekin arsimin 9-vjeçar rreth 296 mijë nxënës, ose rreth 23 mijë më pak se vitin e kaluar, me rënie prej 7.1%.
Dy vitet e fundit rënia në ciklin nëntë-vjeçar ka qenë më e thella që nga viti 1991. Për vitet 2016-2017 dhe 2017-2018 në këtë cikël ishin 46 mijë fëmijë më pak.
Por duke krahasuar numrin e fëmijëve me vitet e para të tranzionit kemi një përgjysmim të tyre në harkun e 28 viteve. Në krahasim me vitin 1990-1991, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar është 46.7 për qind më i ulët, ose rreth 260 mijë nxënës më pak. Nga rreth 557 mijë nxënës që ishin të regjistruar në ciklin e 8- vjecarës në vitin 1991, sipas INSTAT, këtë vit nisin shkollën vetëm 296 mijë fëmijë. Numri i tyre do të ishte edhe më i ulët për shkak se baza e krahasimit më 2019 përfshin 9 vite nga 8 vite në 1992.
Pse?
Rënia e numrit të nxënësve ka ardhur në proporcion të drejtë me tkurrjen e peshës së grup moshave të reja. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1989, popullsia në moshën 0-14 vjeç ishte rreth 1 milionë persona, ndërsa në vitin 2017 ka zbritur në vetem rreth 522 mijë persona, pothuajse përgjysmim. Pesha e popullsisë 0-14 vjeç ka zbritur në 18% të totalit, nga 32% që ishte në vitin 1989.
Në të kundërt, teksa vendi ka përjetuar pas viteve ’90 rënien e lindshmërisë dhe emigracionin masiv, -ku janë larguar më së shumti moshat e reja -, është rritur pesha e të moshuarve. Popullsia mbi 65 vjeç zinte 13% të totalit në vitin 2017, nga vetëm 7.4% në vitin 2001, po sipas INSTAT.
Ky ndryshim i strukturës së popullsisë pritet të ketë efekte të rënda në një të ardhme të shpejtë, si në strukturën e forcës së punës, kërkesë ofertën për punë (me ndikim në profilet e universiteteve) ashtu dhe në skemën e pensioneve dhe kostos për kujdesin e të moshuarve. e.r/dita
