Diplomacia efektive, bisedë për Shqipërinë me publikun amerikan

Leda Hysa

 

Prof. Fatos Tarifa: Të njohësh Shqipërinë

DITA boton për të parën here në shqip një bisedë të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Uashington, Prof. Fatos Tarifa, mbajtur për publikun amerikan me gazetarin Mark Evans, në studion e Televizionit 44WYBE, në Southern Pines, Karolina e Veriut (SHBA), më 23 mars 2004. Ky dokument është përkthyer nga redaksia dhe botohet këtu si një shembull i një diplomacie publike të informuar dhe efektive në shërbim të interesit kombëtar.

Mark Evans: Mirë se vini në emisionin “Mark my Words” (Shënoni fjalët e mia). Unë jam Mark Evans, me një vështrim prapa skenave tek ata njerëz që e bëjnë më interesante botën në të cilën jetojmë. Sonte kemi të ftuar në këtë program një mysafir të veçantë dhe të shquar, Dr. Fatos Tarifa. Dr. Tarifa është Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Ne do të flasim sonte për vendin e tij, Shqipërinë, lidhjet e ambasadorit Tarifa me Karolinën e Veriut dhe mbi disa rrethana specifike që e kanë sjellë atë këtë herë në Sandhills. Nuk kam dyshim se do të mësojmë mjaft për Shqipërinë. Ky do të jetë një program tepër interesant. Dr. Tarifa ka pasur një karrierë interesante përpara se të bëhej ambasador. Ai ka qenë profesor, akademik, autor i shumë librave të shkruar për një varg subjektesh, veçanërisht në fushën e sociologjisë. Tani, natyrisht, ai përfaqëson vendin e tij në Shtetet e Bashkuara. Shqipëria është një vend, për të cilin amerikanët, ç’është e vërteta, ndoshta nuk dinë shumë dhe unë mendoj se do të jetë mjaft interesante të dëgjojmë sonte mbi ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri dhe mbi disa nga zhvillimet më të fundit në këtë vend, si dhe të mësojmë për njërin ndër ambasadorët më interesantë në Uashington dhe për rrethanat që e sjellin atë përsëri në Karolinën e Veriut. Mirë se keni ardhur, z. ambasador. Është një kënaqësi vërtet e madhe që, më në fund, ju kemi në studion tonë. E dimë se jeni shumë i zënë dhe e çmojmë që rezervuat këtë kohë për ne në axhendën tuaj të ngjeshur.

Fatos Tarifa: Ju faleminderit! Është kënaqësi e veçantë që vij përsëri në shtetin “tim” të Karolinës së Veriut.

Evans: Na thoni, ju lutem, diçka më shumë për lidhjet tuaja me Karolinën e Veriut. Ju kishit lidhje me këtë shtet përpara se të bëheshit ambasador, apo jo?

Tarifa: Marrëdhëniet e mia me Karolinën e Veriut kanë nisur 12 vite më parë, në vitin 1992, kur erdha këtu nga Shqipëria me një grant Fulbright. Në vitin 1994 erdha përsëri për të fituar një PhD të dytë në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Chapel Hill. Më 1998, e lashë Karolinën e Veriut për të përfaqësuar vendin tim, Shqipërinë, si ambasadori i saj në Hollandë. Më 2001, qeveria shqiptare më emëroi ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara. Në njëfarë kuptimi, ky është my third homecoming (kthimi im i tretë në shtëpi), pasi Karolinën e Veriut e konsideroj si “shtetin tim”, apo si “shtëpinë time të dytë” në Shtetet e Bashkuara.

Evans: Këtë herë, sigurisht, në Karolinën e Veriut ju kanë sjellë një varg arsyesh. Ju keni një marrëdhënie miqësore të ngushtë me një personalitet shumë të njohur për auditorin tonë, ambasadorin David Funderburk, i cili ka qenë anëtar i Kongresit Amerikan dhe ambasador i Shteteve të Bashkuara jo në vendin tuaj, por në Rumani. Ai, gjithashtu, ka qenë prej shumë kohësh i interesuar për Shqipërinë dhe ka krijuar një marrëdhënie me të, e cila është edhe më e ngushtë sot që po flasim bashkë.

Tarifa: Keni të drejtë. Dr. Funderburk është një mik i ngushtë i imi. Ai është gjithashtu një mik i vërtetë i Shqipërisë. Ka një varg arsyesh që na kanë afruar mua dhe z. Funderburk dhe që e kanë nxitur këtë miqësi të ngushtë e të sinqertë.

Ndërsa ai ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rumani, vend i cili ndodhet në të njëjtin rajon gjeografik si edhe Shqipëria, unë shërbej sot si ambasador i Shqipërisë në vendin e tij.

Ndërsa z. Funderburk ka qenë anëtar i Kongresit Amerikan, si përfaqësues i shtetit të Karolinës së Veriut, unë, edhe pse jo një përfaqësues i zgjedhur i popullit tim, përfaqësoj politikën e jashtme dhe interesat e popullit e të shtetit tim në Shtetet e Bashkuara.

Si ai dhe unë jemi, gjithashtu, akademikë. Ndërsa David Funderburk ka një PhD nga Universiteti i Karolinës së Jugut, unë e kam fituar PhD-në time nga Universiteti i Karolinës së Veriut, në Chapel Hill. Ndërsa unë kam shkruar për Shtetet e Bashkuara, që është vendi i tij, ai, gjithashtu, ka shkruar për Shqipërinë, që është vendi im. Shqipëria ka qenë gjithmonë një ndër interesimet akademike të Dr. Funderburk, duke filluar me tezën e tij të Masterit në histori, e cila kishte për subjekt qëndrimin e Britanisë së Madhe ndaj pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 1939. Ky fakt ishte një surprizë e këndshme kur mësova për të në takimin tim të parë me ambasadorin Funderburk dhe të shoqen e tij, Betty.

Ka shumë arsye për të cilat unë i rekomandova qeverisë shqiptare që Dr. Funderburk të emërohej Konsull i Përgjithshëm Nderi i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara për Karolinën e Veriut, sugjerim të cilin qeveria e vendit tim e mbështeti.

Evans: Djemtë tuaj, gjithashtu, kanë një marrëdhënie me Karolinën e Veriut.

Tarifa: Po. Të dy djemtë e mi kanë jetuar pesë vite të rinisë së tyre në Karolinën e Veriut, në Chapel Hill. Tani ata ndodhen në Holandë, vendi në të cilin unë shërbeva si ambasador para se të vija në Uashington. Ata kanë ardhur të na vizitojnë disa herë nga Haga. Arsyet pse gruaja ime dhe unë kemi ardhur në Karolinën e Veriut këtë herë janë të shumta. Një arsye është, sigurisht, që të takojmë miqtë tanë të mirë Betty dhe David Funderburk, si dhe miq të tjerë në Pinehurst, Southern Pines dhe Aberdeen. Në vjeshtë të vitit të kaluar unë e ndjeva veten shumë të vlerësuar kur qyteti Aberdeen më bëri “Qytetar Nderi” të tij. Këtë herë, sidoqoftë, kemi një arsye të veçantë që na sjell në shtetin tuaj. Në galerinë “Jeanne Hastings” të Kolegjit Sandhills, sot pasdite është çelur një ekspozitë pikture me disa prej punëve të djalit tonë të madh, Sidritit. Edhe pse ai vetë, për shkak të detyrimeve që ka në shkollë, nuk mundi të vinte dot për të qenë i pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite, e cila është ekspozita e tij e parë individuale, ne jemi shumë të entuziazmuar nga kjo ngjarje. Djali ynë studion në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura dhe të Aplikuara në Hagë.

Evans: Dhe emri i tij është Sidrit?

Tarifa: Po, Sidrit. Ai është një artist i ri dhe unë kam bindjen se ai është i talentuar.

Evans: Në pikturat e tij, natyrisht, ai është ndikuar nga të gjitha ato vende në të cilat ka jetuar: Karolina e Veriut, Holanda dhe, pa dyshim, Shqipëria.

Tarifa: Besoj se kështu është. Ai është 24 vjeç dhe deri më sot ka jetuar në tri vende shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri: në Shqipëri, ku ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë e tij; në Karolinën e Veriut dhe tani në Holandë. Socializimi dhe përvojat e tij jetësore, të akumuluara ndër vite në tri shoqëri shumë të ndryshme, natyrshëm duket se manifestohen edhe në punimet e tij artistike. Tridhjetë e dy piktura të tij janë ekspozuar sot në galerinë “Jeanne Hastings”. Unë uroj që ekspozita e tij e parë të pëlqehet e të vlerësohet nga ata që do ta vizitojnë.

Evans: Shqipëria është një vend me një histori shumë interesante. Na thoni diçka rreth saj. Historia e vendit tuaj, veçanërisht para se ai të bëhej pjesë e Bllokut Lindor, ka qenë shumë interesante. Unë di, për shembull, që Shekspiri e vendosi Natën e dymbëdhjetë në Iliri, emri i lashtë i Shqipërisë.

Tarifa: Po. Iliria ka qenë emri i lashtë i Shqipërisë së sotme dhe i një territori më të gjerë që shtrihej përgjatë bregdetit lindor të Adriatikut, që nga Dalmacia deri në detin Jon. Populli shqiptar është një popull i vjetër, me një histori të gjatë dhe flet gjuhën e dytë më të vjetër në Europë, pas baskëve. Shqipëria ka qenë për një kohë shumë të gjatë e sunduar nga pushtues të huaj dhe ka njohur shumë kthesa dramatike në historinë e vet. Një popull pagan në origjinën e tij, shqiptarët përqafuan më vonë Krishterimin. Kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë dhe Shqipëria mbeti në Perandorinë Bizantine, një pjesë e madhe e shqiptarëve u konvertuan në fenë ortodokse dhe, më vonë, duke filluar nga shekulli i 15-të, kur otomanët pushtuan Shqipërinë, pjesa më e madhe e popullsisë së saj u konvertua në fenë myslimane. Shqipëria fitoi Pavarësinë e saj më 1912. Si shtet i pavarur, Shqipëria nuk krijoi një eksperiencë demokratike qeverisjeje. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u kthye në një teatër lufte për ushtritë e huaja; në fund të viteve 1920 vendi u bë monarki kushtetuese dhe ruajti këtë formë regjimi politik deri në prill të vitit 1939, kur vendi u pushtua nga ushtritë fashiste të Musolinit, të cilat, në vitin 1943, ua lanë vendin pushtuesve nazistë. Edhe pse Shqipëria luftoi kundër fashizmit në krah të forcave aleate, fatkeqësisht, mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti vendin tonë pjesë të Bllokut Lindor të dominuar nga Bashkimi Sovjetik.

Evans: Nga pikëpamja thjesht e një interesimi kulturor, heroi juaj kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është, me sa di unë, subjekt i njërës prej operave të Vivaldit dhe…

Tarifa: Kjo gjithashtu është e vërtetë. Madje, më lejoni të shtoj se edhe poeti juaj i madh, Henry Longfellow, ka shkruar një poemë shumë të bukur për Skënderbeun.

Evans: Unë mendoj se është me interes të vëmë në dukje, për ata amerikanë që nuk e dinë, se edhe Nënë Tereza, në fakt, ka lindur në Shqipëri. Ka njerëz që mendojnë se ajo ishte nga India, pasi pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Indi, por…

Tarifa: Nënë Tereza është lindur nga prindër shqiptarë, në një qytet të Maqedonisë së sotme, e cila, në atë kohë, ashtu si Shqipëria, ishte një provincë e Perandorisë Osmane. Por, e vërteta është se ajo ishte shqiptare dhe krenare për origjinën shqiptare të saj, fakt ky që është i njohur nga shumëkush. Shqiptarët, si komb, janë krenarë që kanë nxjerrë nga gjiri i tyre një Nënë Terezë, një shenjtore që nderohet dhe respektohet kudo në botë.

Evans: Le të ndalemi për pak çaste në një nga kapitujt më të errët të historisë së vendit tuaj. Është disi e habitshme që, nga të gjithë vendet e bllokut komunist, Shqipërisë i është dashur ndoshta të përballojë kushtet më të vështira për të realizuar tranzicionin e saj drejt demokracisë. Ju keni pasur një kryetar shteti, i cili jo vetëm ishte një komunist i devotshëm, por gjithashtu një diktator militant i një lloji të veçantë, i cili kishte krijuar, si të thuash, llojin e tij të veçantë të komunizmit.

Tarifa: Shqipëria ishte vendi më represiv në Europën Lindore. Rumania mund të konsiderohej e dyta, dhe kjo ka qenë një rrethanë shumë e pafavorshme për ne. Për 46 vite, Shqipëria mbeti nën sundimin e tij, një vend shumë i varfër dhe një shoqëri e izoluar, ose e vetizoluar.

Evans: Bëhet fjalë për sundimin e Enver Hoxhës?

Tarifa: Po, për sundimin e Hoxhës, i cili vdiq më 1985. Sidoqoftë, edhe pas vdekjes së tij, Shqipërisë iu deshën 5-6 vite të tjerë që të hapej, të liberalizohej e ta transformonte sistemin e vet politik dhe ekonomik në atë që është sot: një demokraci e re dhe një ekonomi e tregut të lirë. Ndryshe nga vende të tjerë ish-komunistë, si Polonia, Hungaria apo Çekosllovakia, të cilët kishin eksperimentuar me reforma ekonomike qysh nga mesi i viteve 1970 dhe gjatë viteve 1980, Shqipëria ka qenë dhe mbeti deri në fund një vend i mbyllur dhe plotësisht i izoluar. Ajo nuk kishte madje as marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara për pesë dekada, as me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Spanjën, Kanadanë dhe një numër vendesh të tjerë, aktorë me peshë në politikën globale e atë rajonale. Hoxha e izoloi Shqipërinë nga bota dhe, dy herë që ai e lidhi vendin politikisht në aleancë me fuqi të mëdha, bëri zgjedhje të gabuara: në fillim zgjodhi Bashkimin Sovjetik të Stalinit (nga fundi i viteve 1940 deri më 1960), dhe pastaj Kinën e Maos (në vitet 1960 deri në mesin e viteve 1970). Sot, si në të gjithë vendet e Europës Lindore, komunizmi në Shqipëri është vetëm një kujtim i së kaluarës dhe vendi ynë po bëhet pjesë e komunitetit europian. Ne synojmë që, në një të ardhme të afërt, të bëhemi një vend anëtar i NATO-s dhe, pas kësaj, të anëtarësohemi në Bashkimin Europian. Unë kam kënaqësinë dhe privilegjin të them për ju sonte se Shqipëria ka marrëdhënie veçanërisht të ngushta e miqësore me Shtetet e Bashkuara.

Evans: Sidoqoftë, është domethënës fakti që Shqipëria ka mundur të bëjë një progres të tillë, pavarësisht viteve të gjatë të izolimit të saj. Nga leximet e mia për vendin tuaj―sepse, si shumica e amerikanëve, unë nuk kam pasur mundësinë ta vizitoj atë―pra, nga leximet e mia kam mësuar se Shqipëria ishte një vend, qytetarët e të cilit ishin mbyllur brenda tij, pa u lejuar të dilnin jashtë, ndërsa të huajve u ishte mbyllur porta për të hyrë brenda.

Tarifa: Kjo është një mënyrë shumë e mirë për ta përshkruar atë kohë. Për një periudhë të gjatë, Shqipëria ka qenë “sekreti” më i fshehtë i Europës. Kur unë dhe ambasadori Funderburk u takuam për herë të parë, ai më tregoi se si, në mesin e viteve 1970, ndërsa shkonte nga Bukureshti në Romë, avioni me të cilin udhëtonte bëri një ndalesë në aeroportin e Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, por ai dhe gruaja e tij nuk u lejuan të dilnin nga avioni, ngaqë ishin shtetas amerikanë. Ata pritën për disa orë në avion in që qëndronte në pistën e aeroportit dhe nuk dinë si ta quajnë këtë ngjarje: kanë qenë apo nuk kanë qenë në Shqipëri atë ditë. Sidoqoftë, ata e vizituan Shqipërinë për herë të parë vitin e kaluar. Gjatë sundimit të Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një vend kaq i izoluar, sa me Kushtetutë (pas vitit 1976), ajo ndaloi çdo ndihmë, borxh apo investim të huaj. Me resurset e tij të kufizuara, vendi ka jetuar në kushte shumë të vështira për një kohë të gjatë. Sot, Shqipëria po konsolidohet si një demokraci e re dhe ekonomia e saj ka disa vite që zhvillohet me ritme të konsiderueshme.

Evans: Dëshiroj të ndalem në faktin që Shtetet e Bashkuara kanë sot marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë. Shumë prej nesh, në Amerikë, u çuditëm kur pamë se, pas gjithë atyre viteve izolimi dhe me gjithë propagandën anti-amerikane të regjimit të vjetër, James Baker u prit me shumë entuziazëm kur vizitoi Shqipërinë në fillim të viteve 1990, aq sa edhe ai vetë u habit me turmat e mëdha të njerëzve që mbanin në duar flamuj amerikanë dhe brohorisnin për Amerikën, një vend për të cilin ata kurrë nuk ishin lejuar të thoshin ndonjë fjalë të mirë në jetën e tyre.

Tarifa: Unë kam qenë në Tiranë më 1991, kur James Baker vizitoi vendin tonë. Ishte qershori i atij viti. Pritja entuziaste që iu bë atij nga populli i Tiranës vështirë se mund të përshkruhet me fjalë. Në kujtimet e tij, Baker shprehet se vizita e tij në Tiranë ka qenë një ndër ngjarjet më të paharruara në jetën e tij. Baker ishte i pari Sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara që ka vizituar Shqipërinë dhe kjo ndodhi fill pas përmbysjes së sistemit komunist. Në vitin 1999, Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright dhe, në maj të vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit Colin Powell. Pra, tri vizita të sekretarëve të shtetit në Shqipëri në pak më shumë se një dhjetëvjeçar. Sot, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të shkëlqyera…

(vijon nesër)

Share This Article
4 Comments
  • kështu shpejt e shpejt si për meze
    “Ky dokument është përkthyer nga redaksia dhe botohet këtu si një shembull i një diplomacie publike të informuar dhe efektive në shërbim të interesit kombëtar.”–
    mos vallë dhe tërë këto turqizma,mbështetje të politikës neoosmane të pretendentit për të këthyer turqinë në mesjetën osmane,sulltan taipit është DIPLLOMACI fatos tarifës në “SHËRBIM TË INTERESIT KOMBËTAR”?

    • ironi??
      apo
      hash??
      ë bora??
      ku qëndrondipllomacia mi zemra??
      tek biografija e tij dhe e familjes??
      hyyyyyyy bagëti!!

    • bora se harrova të të postoja intervistën e fundit të “Diplomat I niveleve te larta. Diplomat I klasit te pare.”
      “Me Turqinë në ajër dhe në tokë”,hudhi një sy dhe pastaj fol për dipllomacinë e të shiturit tek sulltani i mesjetës së hershme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *