Shqipëri ndryshe, Bulku nuk i druhet Sllovenisë

redaktor

Grupi i bashkuar është forca më e madhe e Shqipërisë, ndaj Ervin Bulku nuk druhet se mungesat në formacion do të kenë ndikim në ndeshjen kundër Sllovenisë. Shqipëria luan shanset e botërorit dhe kontributi i çdo lojtari është i çmuar, ndaj të gjithë do të donin që Mavraj, Meha apo ndonjë tjetër të ishin me çdo kusht të pranishëm. Për Bulkun situata ka ndryshuar, falë ardhjeve të reja në skuadër, por edhe unitetit brenda grupit. Një gjë e tillë bën që ai të mos i druhet gabimit në momentin vendimtar. “Është e vërtetë që dikur Shqipëria gabonte në momentin më të madh. Disa herë nuk kemi pasur fat, shpesh na kanë dëmtuar mungesat nga dëmtimet apo kartonët”, kujton Bulku. “Por, tani situata është shumë e ndryshme. Kemi më tepër lojtarë dhe trajneri ka shumë alternativa. I kemi mundësitë të bëjmë diçka të mirë. Në skuadrën tonë nuk ka shumë diferenca midis lojtarëve. Nuk kemi një Leo Mesi, por forca jonë është te grupi dhe aty do të bazohemi”. Dy skuadrat ndeshen në pozita të ndryshme të premten, gjë që ndoshta nuk mendohej në startin e kualifikueseve. Sllovenia është jashtë botërorit, ndërsa Shqipëria synon të hyjë aty, ndaj edhe do të kërkojë të marrë me çdo kusht pikë. “Ne do të shkojmë për rezultat pozitiv. Se sa do t’ia arrijmë qëllimit, këtë le t’ia lëmë fushës. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Ka optimizëm, por e rëndësishme është që ne të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe mos të na kapë euforia, pasi për momentin jemi në një pikë shumë delikate. Për ne tani fillojnë ndeshjet. Nëse nuk do të bëjmë mirë si deri tani, i prishim të gjitha”. Parë nga këndvështrimi i kualifikimit, Sllovenia nuk ka presion, çka mund ta bëjë edhe më të rrezikshme. Bulku, ashtu si dhe Migjen Basha, nuk interesohet shumë për gjendjen shpirtërore të kundërshtarit. “Sllovenia mbetet skuadër e fortë, aq më tepër që luan në fushën e saj. Nuk ka nevojë ta themi që do të jetë ndeshje e vështirë, pasi ajo dihet. Ne shohim veten tonë dhe them se do të përpiqemi të marrim më të mirën. Nuk ua kemi frikën dhe do të bëjmë lojën tonë, ashtu si në ndeshjet e kaluara”.

 

 

Mungesat

Mërgim Mavraj dhe Armend Dallku do të jenë mungesat krahasuar me ndeshjen e fundit, kundër Armenisë në “Qemal Stafa”. I pari është i dëmtuar, i dyti mori të verdhën e dytë kundër Norvegjisë më 7 qershor.

 

Kartonët

Agolli, Basha, Çani dhe Vila duhet të shmangin kartonin e verdhë në Lubjanë, ndryshe nuk do të jenë në gjendje të luajnë në takimin tjetër, kundër Islandës. Të gjithë e kanë nga një karton të verdhë.

 

Kthimet

Cana, Lila dhe Roshi janë gati të luajnë kundër Sllovenisë, pasi munguan në ndeshjen e fundit kualifikuese, kundër Norvegjisë. Roshi ishte autor i golit të fitores kundër Sllovenisë në Tiranë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *