Prof. Fatos Tarifa
(vijon nga numri i kaluar, mund ta lexoni KËTU)
Mark Evans: Zoti ambasador, na thoni, ju lutem, se në ç’mënyrë mundi Shqipëria të realizojë tranzicionin e saj, pasi ky tranzicion u krye jo në të gjithë vendet njëlloj. Ai ishte më i lehtë në disa vende dhe më i vështirë në disa të tjerë. Për shembull, dihet se në Çekosllovaki ndodhi një “revolucion i kadifenjtë”, pa dhunë. Në Rumani, vendi në të cilin David Funderburk ka përfaqësuar Shtetet e Bashkuara si ambasador, fundi i Çausheskut ishte i dhunshëm. Në ç’mënyrë u bë e mundur që vendi juaj të dilte nga një periudhë e gjatë izolimi dhe shtypjeje, për t’u bërë një shtet modern dhe i qëndrueshëm?
Fatos Tarifa: Procesi transformues ka qenë shumë i vështirë dhe ka marrë, deri më sot, 13 vite nga dita kur Shqipëria ndryshoi kursin e saj, nga një sistem i socializmit shtetëror, në një sistem demokrak pluralist, që vazhdon të konsolidohet edhe sot. Fakti që Shqipëria ishte vendi i fundit që u nda nga komunizmi (një vit pas Rumanisë së Çausheskut), flet, veç të tjerash, edhe për atë se sa represiv ishte regjimi i vjetër në Shqipëri dhe sa i papërgatitur ka qenë vendi ynë për këtë transformim të madh demokratik.
Natyrisht, në Poloni dhe në Hungari ky transformim ka qenë shumë më i lehtë. Shoqëritë e këtyre vendeve ishin më liberale edhe gjatë sundimit komunist, sidomos në vitet 1970 dhe 1980. Polonia dhe Hungaria, për shembull, kishin një shkallë lirie që nuk e gjeje në asnjë vend tjetër të bllokut socialist. Shumë aspekte të jetës shoqërore në këta vende ishin relativisht të çliruara nga presioni i uniformitetit. Si Polonia, ashtu dhe Hungaria, i hapën shoqëritë e tyre në një shkallë të konsiderueshme. Në fakt, sistemi totalitar atje nuk u zhvillua kurrë në formën e tij të plotë. Siç është shprehur Adam Michnik, socializmi polak ishte një “totalitarizëm me dhëmbë të thyer”.
Polonia dhe Hungaria kishin një shtyp pak a shumë të lirë e të larmishëm, edhe pse i nënshtruar censurës, por, sidoqoftë, jo aq i kontrolluar sa në shtetet e tjerë socialistë. Në vend të represionit e të stalinizmit ekonomik, Hungaria, veçanërisht gjatë periudhës së Kadarit, synoi të realizonte plotësimin e kërkesave të konsumatorëve dhe një relaksim prej kontrollit dhe shtypjes politike. Relaksimi i kontrollit politik i inkurajoi intelektualët polakë dhe hungarezë qëtë fillonin të kritikonin hapur mangësitë e regjimit të tyre shumë kohë më parë sesa kjo të ndodhte në vendet e tjerë. Xhaketa shtrënguese e “realizmit socialist”, e imponuar nga sunduesit sovjetikë si metodë e piktoralizimit grandioz të heronjve e të arritjeve të komunizmit, u hodh poshtë. Në këta dy vende kishte një liri të konsiderueshme krijimtarie artistike. Piktorët eksploruan kubizmin, surrealizmin dhe abstraksionizmin dhe veprat e kompozitorëve modernë polakë e hungarezë luheshin nëpër akademitë e Perëndimit. Gazetat perëndimore nuk ishin krejt të huaja dhe jashtë mundësive të intelektualëve për t’i lexuar ato, ndërsa rreziku për të shprehur hapur mendimin tënd në publik u bë gjithnjë e më i kalkulueshëm e gjithnjë e më pak ekstrem. Profesorët polakë ishin të lejuar të vizitonin Perëndimin dhe të flisnin në universitetet amerikane; personalitete të shquar që ishin larguar nga këta vende mund të ktheheshin lirisht dhe shumë nga të burgosurit politikë u liruan kohë më parë sesa të përmbysej sistemi. Në pjesën më të madhe të periudhës mes viteve 1960 dhe 1980, jeta në këta dy vende socialistë ishte deri diku e relaksuar.
Evans: Po në Shqipëri, sa e ndryshme ka qenë situata nga kjo që përshkruat për këta dy vende më të zhvilluar të Europës Qendrore?
Tarifa: Në Shqipëri, procesi i transformimit ka qenë më i vështirë e më i dhimbshëm sesa në çdo vend tjetër ish-komunist. Kjo mund të shpjegohet një varg arsyesh. Shqipëria ishte shumë pak e përgatitur për ndryshimet që ndodhën më pas. Ekonomia e saj ishte shumë më e dobët e më e varfër. Asnjë element i shoqërisë civile nuk kishte ekzistuar për vite me radhë në sferën publike të shoqërisë. Represioni politik në Shqipëri ishte gjithashtu shumë më i ashpër. Shqipëria nuk kishte pasur asnjë përvojë demokratike në të kaluarën. Sistemi autoritarist njëpartiak ishte e vetmja formë organizimi shtetëror që Shqipëria kishte njohur për 46 vjet.
Sidoqoftë, “efekti domino” luajti rolin e vet. Shqipëria komuniste nuk mund të rezistonte ose të mbetej e vetme kur komunizmi u diskreditua dhe u shemb në çdo vend të Europës Lindore. Demonstrata studentësh dhe organizata të të drejtave të njeriut kërkuan ndryshimin e sistemit politik dhe e bënë të mundur këtë ndryshim. Më 1991 dhe 1992, kur u zhvilluan zgjedhjet e para të lira, ne të gjithë shpresuam se procesi i transformimit demokratik do të ishte i lehtë. Por gabuam, siç gabuan edhe shumë në Perëndim, të cilët besuan se tranzicioni postkomunist do të zgjaste tre deri në pesë vite. Kjo nuk ndodhi në asnjë vend. Tranzicioni postkomunist zgjati kudo më shumë se kaq.
Të gjitha këto sot kanë ndryshuar. Dhjetëra parti politike janë krijuar pas vitit 1991. Sot, në Shqipëri funksionojnë rreth 53 parti politike, nga të cilat dhjetë përfaqësohen në Parlament. Sidoqoftë, Shqipërisë iu desh të kalonte ngjarje shumë tronditëse e të vështira në këtë proces tranzicioni, duke filluar nga vitet 1991 dhe 1992, kur dhjetëra-mijëra njerëz morën anijet drejt Italisë dhe Europës, në dëshpërim e sipër dhe në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim. Më pas, më 1997 erdhi kriza e shkaktuar nga shembja e skemave bankare piramidale, e cila solli një kthesë prapa në politikën shqiptare dhe, më 1998, u pasua nga një krizë tjetër e rëndë. Qysh nga ajo kohë, për gjashtë vite me radhë, Shqipëria ka njohur një proces paqësor zhvillimi relativisht të suksesshëm. Shqipëria është hapur ndaj botës dhe ka vendosur e zhvillon marrëdhënie shumë të mira me shumë vende, ka zhvilluar ekonominë e vet dhe po konsolidon gjithnjë e më shumë një sistem demokratik qeverisjeje përmes zgjedhjeve të lira, të cilat zhvillohen periodikisht e në mënyrë të rregullt.
Evans: Sigurisht, ato lloj skemash piramidale dhe bumet ekonomikë artificialë nuk janë aspak një fenomen ekskluzivisht shqiptar. Në fakt, një nga skemat piramidale më të vjetra ka ekzistuar në atë vend, në të cilin ju keni shërbyer më parë si ambasador, në Hollandë.
Tarifa: Po, është evërtetë. Fondet investuese të tipit “bëhu i pasur shpejt” (get-rich-quick), të cilat funksionojnë si skema piramidale të tipit “Ponzi” nuk ishin një shpikje e shqiptarëve. Ato kanë ekzistuar edhe këtu, në Shtetet e Bashkuara, në vitet 1920. Të tilla skema false u krijuan pothuajse në të gjithë vendet ish-komunistë të Europës Lindore: në Rusi, në Rumani, në Bullgari, në Maqedoni. Nuk është, pra, se shqiptarët ishin më naivë se popujt e tjerë europiano-lindorë, që të besonin se kjo është mënyra se si funksionon në të vërtetë kapitalizmi. Plethora e skemave “bankare” piramidale në Shqipëri, të cilat u përhapën në çdo qytet të saj në mes të viteve 1990, ofronte një shpresë sado të vogël për shqiptarët, në një kohë kur shkalla e papunësisë ishte shumë e lartë dhe pagat e punonjësve shumë të ulëta. Këto skema u dukën fillimisht si një mjet shpëtimi nga situata shumë e rëndë ekonomike në ato vite për dhjetëra-mijëra familje shqiptare, sidomos po të kihet parasysh edhe qëndrimi laissez-faire i qeverisë shqiptare në atë kohë, e cila i toleroi ato dhe nuk e monitoroi funksionimin e tyre. Seriozitetin e pasojave që do të shkaktonin kriza dhe rrëzimi i skemave piramidale në atë kohë nuk e parashikuan dot as qeveria shqiptare e Sali Berishës, as institucionet financiare ndërkombëtare. Ajo që ndodhi më 1997, pas shembjes së tyre dhe humbjeve kolosale të kursimeve të qytetarëve, ishte një situatë tepër dramatike, e cila pothuajse e çoi Shqipërinë në një luftë civile.
Evans: Javën e kaluar, gazeta The Wall Street Journal akuzonte disa individë këtu për të njëjtën mënyrë veprimi. Por, më lejoni t’ju pyes mbi një temë tjetër. Feja në Shqipëri. Si është situata sot? Është një fakt tepër kurioz ai që, në një periudhë të dhënë, Shqipëria deklaroi zyrtarisht se ishte i vetmi vend ateist në botë, në të cilin ateizmi u bë fe zyrtare. Edhe pse shumica e njerëzve mendojnë se pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri aderojnë në fenë islame, ju, me sa di unë, jeni shprehur disa kohë më parë se islamizmi nuk është, në fakt, feja dominuese në Shqipëri.
Tarifa: Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1976, e ndaloi ligjërisht fenë dhe ushtrimin e çdo besimi fetar në vend. Shqipëria u bë kështu—praktikisht dhe zyrtarisht—vendi i parë në botë i deklaruar ateist. Kjo situatë ndryshoi në vitin 1990. Feja është kthyer sërish në Shqipëri. Por, ndërkohë, demografia e shoqërisë shqiptare ka ndryshuar. Mua nuk më vjen mirë që çdo tekst ose burim informacioni i referohet Shqipërisë si një vend, popullsia e të cilit është 70 për qind myslimane. Kjo nuk është e vërtetë.
Më lejoni të ndalem pak në këtë çështje dhe të bëj disa arsyetime sociologjike për ata që mund të jenë të interesuar. Shoqëria është një organizëm i gjallë dhe ndryshimet demografike, sociale e kulturore kanë sjellë dhe sjellin pashmangshmërisht, sidomos në kushtet e globalizimit të sotëm, edhe ndryshime në mozaikun fetar të vendit tonë, si edhe të çdo vendi tjetër.Censusi i fundit zyrtar në Shqipëri, në të cilin shqiptarëve u është kërkuar të deklaronin përkatësinë e tyre fetare, është kryer në vitin 1929. Qysh nga ajo kohë, pra, për 75 vite me radhë, asnjë census tjetër i organizuar zyrtarisht në Shqipëri nuk ka përmbajtur një pyetje mbi besimin fetar të qytetarëve. Në vitin 1929, popullsia e Shqipërisë ishte 800 mijë; sot Shqipëria ka mbi 3.5 milionë banorë. Në vitin 1929, rreth 70 për qind e popullsisë shqiptare ishin myslimanë, rreth 20 për qind ishin të krishterë ortodoksë dhe rreth 10 për qind ishin të krishterë katolikë.
Qysh nga viti 1929, kohët dhe rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Gjatë 45 viteve të sundimit komunist, në Shqipëri kanë lindur e janë rritur dy breza, të cilët u edukuan dhe u socializuan si jobesimtarë, ose si ateistë, ose u detyruan qëtë mos ushtronin asnjë besim fetar, ndërkohë që popullsia u rrit rreth katër herë. Gjatë pothuajse një gjysmë shekulli nën regjimin komunist nuk ekzistoi asnjë statistikë mbi përkatësinë fetare të shqiptarëve, për shkak se kjo konsiderohej e “panevojshme”, ngaqë të gjithë qytetarët presupozohej se ishin jobesimtarë, ateistë dhe, madje, ligji i detyronte të ishin të tillë.
Zhvillimet demografike në vend, tipar kryesor itë cilave ka qenë e mbetet rritja e shpejtë e popullsisë dhe mosha shumë e re mesatare e saj, kanë sjellë ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën e popullsisë për sa u përket besimeve fetare të saj. Nocioni se Shqipëria është një vend 70 për qind mysliman nuk pasqyron zhvillimet historike, politike, ekonomike, kulturore e shoqërore të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Shqipëria nuk është, pra, një vend mysliman, edhe pse 70 për qind e familjeve të saj mund të kenë një origjinë fetare myslimane. Porfeja nuk është një çështje origjine. Besimi fetar nuk është një karakteristikë me të cilën njerëzit lindin. Askush nga ne nuk lind as me idetë gjeometrike karteziane, as me idenë e Zotit. Këto ne i mësojmë dhe i bëjmë (ose jo) pjesë të botëkuptimit tonë gjatë jetës, në varësi të rrethanave ekonomike, sociale e kulturore në të cilat socializohemi e risocializohemi.
Duke qenë botëkuptim, feja subjektivizohet te çdo individ i veçantë në formën e një besimi individual. Feja nuk është si kombësia, të cilën njeriu e trashëgon nga prindërit e tij. Një individ nuk është mysliman, katolik, ose protestant sepse të tillë janë ose kanë qenë prindërit apo të parët e tij, por sepse me këtë ose atë fe të caktuar ai identifikohet si individ. Njeriu mund të besojë në fe, por edhe mund të mos besojë në të. Dhe nëse beson në një fe të caktuar, kjo mund të mos jetë domosdo e njëjta fe tek e cila besojnë prindërit e tij, por një fe tjetër. Në Shqipëri kanë qenë të njohura rastet kur, në të njëjtën familje të krishterë, një ose disa anëtarë të saj u konvertuan në fenë islame, ndërsa të tjerët mbetën të krishterë. Prandaj, edhe nëse 70 për qind e shqiptarëve e kanë pasur, deri 70 vite më parë, origjinën e tyre fetare në fenë myslimane, kjo nuk do të thotë se 70 për qind e shqiptarëve të sotëm janë myslimanë.Natyrisht, asgjë të keqe nuk ka të jesh një vend mysliman, por e vërteta është se Shqipëria nuk është një vend i tillë.
Në vjeshtën e vitit 1991, unë isha i pari studiues shqiptar që, në të parin sondazh të opinionit publik në vend, në bashkëpunim me Agjensinë e Informacionit të Shteteve të Bashkuara (United States Information Agency—USIA), u kërkuam të intervistuarve tanë, ndër të tjera, të pohonin edhe përkatësinë e tyre fetare. Sondazhi u krye me 1000 individë, të zgjedhur në mënyrë rastësore nga të gjitha krahinat e vendit, duke përfaqësuar karakteristikat demografike e sociale të popullsisë, me një limit gabimi 3 për qind.
Për habinë time dhe të drejtuesve të atij sondazhi në Uashington, rezultoi se vetëm 26 për qind e të intervistuarve u identifikuan si myslimanë, 14.7 për qind e tyre si të krishterë ortodoksë dhe 6.9 për qind si të krishterë katolikë. 52.4 për qind, pra më shumë se gjysma e subjekteve të intervistuar, u shprehën se nuk besonin në asnjë fe. Gjetjet e atij sondazhi thyen, për të parën herë, klishenë e një Shqipërie 70 për qind myslimane. Edhe pse sondazhi në fjalë u krye në një periudhë shumë të veçantë për vendin tonë, kur tranzicioni demokratik sapo kish nisur dhe kur feja në Shqipëri sapo ishte çliruar nga interdikti që i kishte venë shteti komunist për dekada me radhë, unë mendoj se rezultatet e atij sondazhi pasqyronin, në atë kohë, më saktë se çdo sondazh tjetër, realitetin shqiptar. Më vjen mirë që, më në fund, një raport i Departamentit të Shtetit, i publikuar vjet, për herë të parë e vlerësoi përqindjen e popullsisë myslimane në Shqipëri në masën 48 për qind, shumë më të vogël sesa ajo që është pranuar konvencionalisht deri më sot.
Pavarësisht nga sa thashë më sipër, ajo që ka më shumë rëndësi të vihet në dukje për popullin shqiptar është se ai, historikisht, është karakterizuar nga një tolerancë fetare shembullore. Edhe pse e ndarë në tri komunitete të mëdha fetare, Shqipëria nuk ka njohur asnjëherë në historinë e saj ndonjë luftë fetare, asnjë natë si ajo e Shën Bartolomeut dhe asnjë konflikt fetar me popujt fqinjë të saj. Kjo është një karakteristikë e mrekullueshme e popullit shqiptar.
Evans: Dhe, natyrisht, ne dëgjojmë mbi situatën e popullsisë shqiptare që banon jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Unë besoj se shumica e amerikanëve filluan të mësojnë më shumë për shqiptarët në kohën e krizës në Kosovë.
Tarifa: Kjo është e vërtetë. Kosova është një vend, 90 për qind e popullsisë së të cilit janë shqiptarë. Pjesa që mbetet përbëhet nga serbë dhe minoritete të tjerë. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, Kosova ishte një ndër krahinat (vilajetet) e saj. Edhe në atë kohë, ajo banohej në pjesën dërrmuese të saj nga shqiptarë, ashtu si dhe pjesë të Maqedonisë e të Malit të Zi. Shumica e amerikanëve, sigurisht, dëgjuan për herë të parë, ose mësuan më shumë mbi shqiptarët gjatë krizës së Kosovës. Popullsia e Kosovës është në masën dërrmuese e fesë myslimane; kjo është e vërtetë edhe për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni. Këta tri grupime të mëdha të popullsisë shqiptare—banorët e Republikës së Shqipërisë (që unë përfaqësoj si ambasador në Shtetet e Bashkuara), popullsia shqiptare e Kosovës dhe komuniteti numerikisht shumë i gjerë i shqiptarëve në Maqedoni (në Malin e Zi dhe në Greqi shqiptarët përbëjnë minoritete më të vogla)—janë pjesë e të njëjtit komb shqiptar. Ata flasin të njëjtën gjuhë dhe ndajnë të njëjtën trashëgimi kulturore.
Sidoqoftë, gati një shekull më parë, këto pjesë të kombit shqiptar u vunë në mënyrë të detyruar në një situatë të tillë, që i pengoi ata të kishin një jetë politike dhe ekonomike të përbashkët. Kjo ndodhi në vitin 1912, kur Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha europiane të asaj kohe vendosi, në Londër, të përcaktonte kufijtë shtetërorë të vendit tonë. Shqipëria u njoh si një shtet i pavarur me kufijtë shtetërorë që ka sot; gjysma e territoreve të banuara nga shqiptarët u lanë jashtë kufijve shtetërorë të saj—në Kosovë, nëMaqedoni, në Maline Zi dhe nëGreqi. Pas afro një shekulli që ka kaluar qysh nga ajo kohë, shqiptarët në Ballkan jetojnë njëlloj të ndarë. Ndërkohë, Kosova, e cila, pas Konferencës së Londrës mbeti administrativisht pjesë e territorit të Serbisë, sot nuk është më nën kontrollin e Serbisë. Qysh nga qershori i vitit 1999, Kosova është një protektorat i Kombeve të Bashkuara. Ky vend po krijon dhe konsolidon institucionet e veta politike demokratike e po përgatitet për një jetë të pavarur si shtet sovran. Shqiptarët e Maqedonisë kanë fituar disa prej të drejtave të tyre dhe mbeten një faktor i rëndësishëm politik dhe ekonomik brenda Maqedonisë. Pavarësisht se shqiptarët në Ballkan vazhdojnë të mbeten të ndarë në pesë shtete, gjendja e tyre sot është krejt tjetër nga ajo e disa viteve më parë.
Evans: Kjo është vërtet e rëndësishme. Ju faleminderit. Në vazhdim të emisionit tonë do të dëshironim të na thonit se çfarë duhet të jenë të përgatitur të gjejnë në Shqipëri amerikanët që dëshirojnë të vizitojnë vendin tuaj, si dhe të flasim diçka më shumë mbi problemet që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara po përballojnë së bashku, veçanërisht lidhur me luftën kundër terrorizmit, si dhe mbi një varg çështjesh të tjera aktuale, për të cilat dy vendet tanë po bashkëpunojnë ngushtë. Unë dëshiroj t’u kujtoj edhe një herë atyre që na ndjekin në këtë emision se një ekspozitë pikture e djalit tuaj është hapur sonte në Kolegjin këtu në Sandhills, si një ilustrim i artit dhe i kulturës shqiptare me njëfarë ndikimi nga Karolina e Veriut. Ne do të flasim mbi jetën kulturore e artistike në Shqipëri për t’u thënë teleshikuesve tanë, që eventualisht mund të vizitojnë vendin tuaj, se çfarë duhet të jenë ata të përgatitur të gjejnë në Shqipëri dhe, për të gjitha këto, do të flasim fill pas kësaj reklame.
(vijon nesër)

Nje ambassador Klasi i pare. Nuk vijne me keta diplomate qe e ngriten nivelin e vendit në nje shkolle te larte ku u njoh Shqiperia nga gjithe USA