Prof. Fatos Tarifa
Gazeta Dita boton për të parën herë në shqip një bisedë të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Uashington, Prof. Fatos Tarifa, mbajtur për publikun amerikan, me gazetarin Mark Evans, në studion e Televizionit 44WYBE, në Southern Pines, Karolina e Veriut (SHBA), më 23 mars 2004. Ky dokument është përkthyer nga kjo redaksi dhe botohet këtu si një shembull i një diplomacie publike të informuar dhe efektive nëshërbim të interesit kombëtar.
Mark Evans: Të kalojmë në një temë tjetër. Ç’mund të thoni për shikuesit tanë mbi qeverinë e Shqipërisë, mbi presidentin dhe kryeministrin aktual të vendit tuaj?
Fatos Tarifa: Shqipëria është një republikë parlamentare. Zgjedhjet për Parlamentin e vendit zhvillohen nëçdo katër vite, ndërsa zgjedhjet për organet e pushtetit lokal një herë në tre vite. Presidenti i vendit, i cili është Kryetar i Shtetit, zgjidhet nga Parlamenti për një periudhë pesëvjeçare. Presidenti aktual është zgjedhur në vitin 2002. Partia që aktualisht ka mazhorancën në Parlament dhe drejton qeverinë është Partia Socialiste. Kjo parti, në koalicion me pesë parti të tjera të vogla të qendrës dhe të së majtës është në drejtim të shtetit qysh nga viti 1997. Edhe pse kabinetet qeveritarë kanë ndërruar shpesh gjatë kësaj periudhe, Shqipërinë vazhdon ta drejtojë i njëjti koalicion qeveritar për gati shtatë vite. Zgjedhjet e fundit lokale u zhvilluan në fund të vitit 2003. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në verën e vitit që vjen.
Zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Shqipëri tashmë janë bërë një gjë e zakonshme, si në çdo shoqëri demokratike. Ato zhvillohen në mënyrë periodike e të rregullt, si pjesë e lojës politike që alternon partitë në pushtet. Qytetarët shqiptarë tashmë janë mësuar që, një herë në disa vite mund të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament, ose në organet e pushtetit lokal dhe, po kështu,politikanët shqiptarëi kanë mësuar e i ushtrojnë më mirë rregullat e lojës demokratike. Zëvendësimi i partive në pushtet në Shqipëri nuk ndodh më në mënyrë të dhunshme. Zgjedhjet janë paqësore dhe përgjithësisht të lira.
Evans: Si akademik, ju keni studiuar procesin e tranzicionit postkomunist—me sa di unë, në një nga librat tuaj, ju i referoheni atij si “shtet postsocialist”—dhe ky tranzicion shoqërohet me një varg problemesh, që janë specifikë për të gjithë vendet në tranzicion. Edhe pse qytetarët në këta vende janë të përkushtuar ndaj idesë së lirisë, ata ndeshen me problemin se duhet t’i përshtaten lirisë, dhe vetë kjo është njëfarë përshtatjeje.
Tarifa: Ajo çka duhet të mbajmë parasysh, para së gjithash, është se tranzicioni drejt demokracisë liberale dhe tregut kapitalist në Europën Lindore nuk mund të ishte—dhe realisht nuk ka qenë—një proces linear, ose uniform për të gjithë vendet e rajonit, por do të kishte, siç edhe ka pasur, specifika të veçanta në secilin vend.
Të gjithë e dimë se komunizmi i atomizoi shoqëritë europiano-lindore, duke shkatërruar pothuajse të gjitha institucionet autonome të veprimtarisë kolektive, të cilave, shpesh, u referohemi si “shoqëri civile”, duke lejuar fare pak hapësirë në sferën publike për çdo lloj forme të iniciativës së lirë private apo të grupit. Sidoqoftë, jo të gjitha shoqëritë europiano-lindore ishin njëlloj të regjimentuara prej totalitarizmit komunist dhe as shoqëria civile nuk u shkatërrua kudo në të njëjtën shkallë. Dallime të theksuara kanë ekzistuar nga njëri vend në tjetrin, me Poloninë dhe Hungarinë në njërin krah, atë më liberal, të kontiniumit të shoqërisë civile dhe Shqipërinë e Rumaninë në krahun tjetër ekstrem.
Në Poloni, për shembull, struktura formale vetëmbrojtëse, si Kisha Katolike, organizata shoqërore që vepronin në fshehtësi, shoqata gjysmautonome, grupe aktive të punëtorëve etj., kanë ekzistuar për një kohë të gjatë në periudhën e socializmit shtetëror. Aktivitetet e tyre luajtën një rol shumë të rëndësishëm në vetëçlirimin e shoqërisë civile në Poloni, çka nga ana e vet, u bë një faktor vendimtar për transformimin politik të këtij vendi. Pas Polonisë, Hungaria ishte vendi tjetër europiano-lindor në të cilin një opozitë e organizuar, edhe pse jo aq efektive si opozita polake, luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e një hapësire lirie, që do të shmangte përplasjet mes shtetit e shoqërisë dhe që çoi në ringjalljen e shoqërisë civile.
Ndryshe nga këta vende të Europës Qendrore, ekzistenca e një shoqërie civile në vendet e komunizmit të ashpër në Ballkan ishte thuajse e paimagjinueshme. Përveç rolit më represiv të shtetit, një faktor tjetër këtu ka qenë trashëgimia e sundimit osman. Vendet e Europës Juglindore, të cilat mbetën nën sundimin osman deri në fundin e shekullit të 19-të (Shqipëria deri në fillimine shekullit të 20-të), kanë qenë në kushte krejt të tjera nga vendet e Europës Qendrore, veçanërisht përsa i përket zhvillimit të shoqërisë civile. Edhe ato forma të organizimit social autonom që filluan të krijohen në vendet e Ballkanit në fundin e shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të u shkatërruan, me përjashtim të Greqisë, kur ato ranë në sferën e influencës staliniste.
Edhe ndër vendeve ballkanike, diferencat nuk kanë qenë të vogla.Jugosllavia, e cila ka qenë shumë më e hapur ndaj Perëndimit, ishte shumë më e lirë nga restriksionet politike e ideologjike të komunizmit dhe lejoi ekzistencën e një sërë elementesh të shoqërisë civile, që ishin pothuajse inekzistentë në shtetë të tjerë të Ballkanit.Është një fakt i njohur se, nga të gjithë vendet ish-komunistë, Shqipëria dhe Rumania kishin regjimet më shtypës. Asnjë vend tjetër në Europën Lindore nuk provoi në mënyrë të pandërprerë atë represion që George Orwell vetëm e fantazoi në romanin e tij 1984.
Megjithatë, ndërsa edhe në Rumani, madje edhe në kushtet më të disfavorshme gjatë periudhës së sundimit të Çausheskut, disa elementë të shoqërisë civile mundën të mbijetonin, në Shqipëri pothuajse asnjë shenjë e shoqërisë civile nuk mbeti në memorien kolektive të saj. Simboli i fundit i shoqërisë civile në Shqipëri u shkatërrua me ndalimin e plotë të fesë në mesin e viteve 1960.Eksperimenti komunist në Shqipëri u realizua deri në ekstrem dhe thuajse asgjë nuk ndryshoi në organizimin politik të shoqërisë shqiptare dhe në raportet e shtetit komunist me shoqërinë deri në vdekjen e Enver Hoxhës më 1985. Shqipëria ishte dhe mbeti i vetmi vend i Europës Lindore që shmangu çdo lloj mendimi revizionist dhe u qëndroi presioneve për hapjen dhe liberalizimin e shoqërisë, përfshirë edhe Gllasnostin dhe Perestrojkën në gjysmën e dytë të viteve 1980.
Dallimet mes vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore ishin të theksuara edhe në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, çka përcaktoi parakushtet e favorshme për disa vende dhe të disfavorshme për disa të tjerë, kur erdhi puna që të fillonin reformimin ekonomik të shoqërive të tyre. Edhe pse pothuajse të gjithë këta vende ishin “shoqëri në zhvillim” dhe ekonomikisht të integruar në ekonominë sovjetike e të dominuar prej saj, duhet pasur parasysh se ekonomia hungareze, për shkak të reformave që ndërmori regjimi i Kadarit, të njohura si “mekanizmi i ri ekonomik” nga viti 1968, gjatë viteve 1970 dhe 1980 njohu një “bum ekonomik” dhe vlerësohej nga shumëkush si parajsa liberale e konsumeriste e Europës Lindore.
E njëjta gjë mund të thuhet, ndonëse në një masë më të kufizuar, edhe për Poloninë në kohën e Gierekut, në vitet 1970 dhe gjatë pesë viteve të fundit të Jaruzelskit në gjysmën e dytë të viteve 1980. Si Hungaria, ashtu dhe Polonia, ishin lidhur në një shkallë të konsiderueshme me Perëndimin shumë kohë më parë sesa të fillonin ndryshimet në vendet e tjerë të bllokut sovjetik. Shpërbërja e sistemit komunist në Poloni e në Hungari kishte filluar përpara se në krye të Bashkimit Sovjetik të vinte Gorbaçovi. Në fakt, Gorbaçovi s’bëri gjë tjetër veçse ndoqi skenarët e reformave që kishin nisur më parë polakët dhe hungarezët. Kur, në gjysmën e dytë të viteve 1980, pas Perestrojkës së Gorbaçovit, në Europën Lindore filluan të diskutonin seriozisht për reforma ekonomike, vende të veçanta u ndodhën në stade të ndryshme zhvillimi dhe përgatitjeje për transformimin e ekonomive të tyre.
Aftësia për të iniciuar reformat dhe për të përballuar veçanërisht fazën e parë kritike të tranzicionit postkomunist u kushtëzua kështu, nga shkalla në të cilën regjimet e përmbysur komunistë kishin toleruar gjatë viteve të fundit si relaksimin politik, ashtu dhe liberalizimin ekonomik të shoqërive të tyre. Siç vura në dukje edhe më parë, në Poloni dhe në Hungari transformime të thella politike dhe ekonomike kishin filluar të kryheshin shumë kohë para vitit 1989. Për pasojë, në këta vende nuk ndodhi një “big bang” i vetëm ndryshimi revolucionar, por njëfarë “revolucioni i negociuar”, të cilin, në versionin e tij hungarez, Timothy Garton Ash e ka cilësuar “reVorm”, ose “reFolution”. Në fundin e viteve 1980, si Hungaria, ashtu dhe Poloniakishin ecur përpara me reformat e tyre ekonomike.
Këta dy vende kishin, gjithashtu, lidhje të qëndrueshme dhe shkëmbime tregtare të gjalla me tregjet dhe institucionet perëndimore, të cilat u ruajtën e u zgjeruan. Po kështu, Polonia dhe Hungariakishin një traditë të gjatë në studimin e teorive ekonomike perëndimore. Literatura ekonomike e politike perëndimore ishte më e përhapur dhe shumë më e njohur sesa në vendet e Europës Juglindore. Për këto arsye, në këta dy vende ishte shumë më e thjeshtë të vihej në pikëpyetje—dhe më vonë të hidhej poshtë—parimi themelor i socializmit, ai mbi epërsinë e pronës kolektive socialiste mbi mjetet e prodhimit ndaj pronës private, për të mos thënë që, në Poloni, pjesa më e madhe e tokës bujqësore kishte mbetur në duart e pronarëve privatë gjatë gjithë periudhës së socializmit shtetëror. Për të gjitha arsyet e mësipërme, në Poloni dhe në Hungari ishte e lehtë të provohej e të pranohej efektiviteti i mekanizmave të tregut të lirë dhe, prandaj, kërkesat për decentralizimin e ekonomisë dhe për liberalizimin e çmimeve nuk ishin një gjë e re, siç ishin ato në Shqipëria, nëRumania, ose Bullgaria, fjala vjen.
Më lejoni të theksoj se, shumë nga problemet me të cilat ndeshemi sot në Europën Lindore, në Shqipëri veçanërisht, janë të reja e të panjohura për ne. Vendet ish-komunistë kishin ekonomi të centralizuara e të komanduara nga shteti, jo ekonomi tregu. Në këtë vështrim, transformimi i tyre postkomunist ishte jo vetëm një transformim politik nga një sistem komunist njëpartiak në një sistem demokratik pluralist, por edhe një transformim ekonomik nga një sistem i ekonomisë së komanduar shtetërore në ekonomi të tregut të lirë; pra një transformim i dyfishtë, politik dhe ekonomik, pa përmendur që ai është shoqëruar, gjithashtu, me një transformim rrënjësor—dhe ndonjëherë shumë të vështirë—të ndërgjegjes e të mendësive të qytetarëve.
Disa aspekte të transformimit politik kanë qenë deri diku të njohur për ne përmes eksperiencave të vendeve të tjerë që kanë kryer një tranzicion të ngjashëm nga regjime autoritaristë në sisteme demokratikë, siç kanë qenë disa nga vendet e Mesdheut (Spanja, Portugalia dhe Greqia) në mesin e viteve 1970, ose shumë vende të Amerikës Latine në vitet 1970 dhe 1980. Dallimi mes tranzicioneve të tyre demokratikë dhe tranzicionit postkomunist ishte se, ndërsa të parët ishin vende kapitalistë, me një ekonomi tregu të konsoliduar, vendeve ish-komunistë u mungonte ky sistem ekonomik. Sidoqoftë, pothuajse të gjithë vendet ish-komunistë të Europës Lindore kanë mundur të realizojnë tranzicionin e tyre në ekonomi të tregut të lirë dhe në sisteme demokratikë qeverisjeje në një kohë relativisht të shkurtër…
Evans: Ju faleminderit për këtë analizë kaq të mirinformuar, z. ambasador. Unë mund të them se, edhe në këtë vend, njerëzit shumë herë harrojnë se Shtetet e Bashkuara kanë pasur edhe ato tranzicionin e tyre, nga periudha e Revolucionit Amerikan përmes kapitujve të Konfederatës, para se të adoptohej Kushtetuta dhe se, për shumë vite me radhë, Shteteve të Bashkuara u është dashur të kërkojnë e të gjejnë rrugën e tyre në një territor të pashkelur.
Tarifa: Përvojat e vendeve të tjerë, që kanë kaluar përmes një procesi të ngjashëm tranzicioni, janë të dobishme për ne. Siç thoni ju në Amerikë, ne nuk naduhet “të rishpikim rrotën”. Sidoqoftë, tranzicionet demokratikë janë gjithnjë specifikë, në varësi të kushteve konkrete të çdo vendi. Në veprën e tij klasike Demokracia në Amerikë, Alexis de Tocqueville ka argumentuar se popuj të ndryshëm do të ndiqnin rrugë të ndryshme për të arritur në demokraci. As Shqipëria dhe as ndonjë nga vendet e tjerë të Europës Lindore nuk mund të adoptonin të gatshme përvojën amerikane, ose përvojat franceze, spanjolle, kiliane apo greke të tranzicionit demokratik. Përvojat e vendeve të tjerë janë të dobishme, megjithatë, çdo vendi i duhet të realizojë tranzicionin e vetnë përputhje e në varësi të kushteve të tij historike, politike, ekonomike e shoqërore. Këtë po bëjmë edhe ne në Shqipëri. Dhe, 13 vite nuk janë një periudhë e gjatë kohe në kalendarin historik të një kombikur është fjala për një transformim kaq të thellë të shoqërisë.
Evans: Dhe ç’mund të na thoni për Tiranën, kryeqytetin tuaj? Si është ajo?
Tarifa: Tirana është sot, ndoshta, qyteti më dinamik në Ballkan. Dymbëdhjetë vite më parë, kur unë u largova nga Shqipëria, Tirana kishte një popullsijo më shumë se 250 mijë. Sot popullsia e saj është afro një milion. Transformimi ekonomik e shoqëror i vendit ka çuar në ndryshime të thella demografike, karakteristikë kryesore e të cilave është shpërngulja e njerëzve nga zonat e thella dhe krahinat e pazhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjerë, kryesisht përgjatë bregdetit ose rreth tyre. Kjo është një dukuri që ka ndodhur e vihet re në të gjithë vendet në zhvillim. Tirana mund të cilësohet si një qytet në ndërtim e sipër, ose si një kantier gjigand ndërtimi; ajo po pëson një bum të vërtetë urban.
Kryeqyteti ynë është veçanërisht atraktiv për brezin e ri. Këtu ka më shumë mundësi për punë dhe punë që paguhen më mirë. Tirana ka një aktivitet ekonomik dhe një jetë kulturore shumë të gjallë e të larmishme. Sa për pozicionin e saj, oh, ç’t’ju them: njëzet milje larg saj, në veriperëndim, ndodhet Durrësi, qyteti më i madh bregdetar i vendit në bregdetin e Adriatikut dhe i dyti në popullsi pas Tiranës, ndërsa po aq larg, në lindje, mund të ngjitesh në Malin e Dajtit. Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë qysh nga vitit 1920. Ndërsa atëherë ishte një fshat i vogël, sot Tirana është një kryeqytet metropolitan.
Evans: Cila është, sipas jush, surpriza më e madhe me të cilën mund të ndeshen amerikanët që mund të vizitojnë vendin tuaj?
Tarifa: Hëm, më mirë t’ua lë këtë atyre vetë që ta zbulojnë. Sidoqoftë, unë mendoj se amerikanëve që do të dëshironin të vizitojnë Shqipërinë mund t’u shkaktojnë surprizë të këndshme veçanërisht dy gjëra: e para, ndoshta, habia e tyre kur të kuptojnë se sa të painformuar kanë qenë deri më sot për këtë vend; e dyta, sa e pasaktë mund të ketë qenë për ta edhe ajo njohuri e kufizuar që mund të kenë pasur për Shqipërinë. Ata amerikanë që e vizitojnë Shqipërinë për herë të parë mund të mbeten të habitur kur të konstatojnë se sa perëndimore është shoqëria shqiptare. Të rinjtë janë të arsimuar mirë dhe mendjehapur; ata flasin gjuhë të huaja, para së gjithash, anglisht. Dëshiroj të them, gjithashtu, se një lidhje shumë e ngushtë njerëzore ekziston mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.Një komunitet gjysmëmilionësh shqiptaro-amerikan jeton në këtë anë të Atlantikut dhe lidhjet e tyre me Shqipërinë krijojnë një urë të fortë bashkëpunimi human mes dy vendeve tanë.Kjo është, veç të tjerash, një ndër ato arsye që shpjegon pse shqiptarët vlerësohen si populli më proamerikan në botë.
Evans: Dhe si do të jetë e ardhmja e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë? Ku i shihni ju dy vendet tanë pas disa vitesh?
Tarifa: Vendet tanë do të mbeten miq e do të zhvillojnë marrëdhënie edhe më të ngushta mes tyre. Me hyrjen e Shqipërisë në NATO, ata do të bëhen aleatë edhe më të fortë për njëri-tjetrin. Do të ketë më shumë tregti,shkëmbime ekonomike dhe, ndoshta, në një të ardhme jo të largët, pse jo edhe një marrëveshje të tregtisë së lirë mes dy vendeve tanë. Vitin e kaluar Shqipëria nënshkroi dymarrëveshje shumë të rëndësishme me dy korporata amerikane: Lockheed Martin dhe General Electric. Po ashtu, vitin e kaluar, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje dypalëshe mbi transportin ajror (Open Skies Agreement). E ardhmja, besoj unë, do të shohë një bashkëpunim më të madh ekonomik e tregtar midis dy vendeve tanë.
Evans: Dhe ç’mund të na thoni për të ardhmen tuaj? Ku e sheh ambasadori Tarifa veten e tij në të ardhmen? Ju keni qenë profesor, akademik, përpara se të bëheshit ambasador, në fillim në Hollandë dhe tani në Shtetet e Bashkuara. A jeni i interesuar të merreni me politikë? Si e shihni, pra, ju vetë, të ardhmen tuaj?
Tarifa: Përpara se të nisnim këtë bisedë në studion tuaj, kur kamerat nuk ishin ende në punë, ju vetë më thatë se nuk ju pëlqen të bëni parashikime. Po kështu dhe mua. Unë nuk mund të bëj parashikime për të ardhmen time dhe, në fakt, kurrë nuk kam qenë në gjendje të parashikoja se ç’kurs do të merrte jeta ime. Deri më sot unë kam pasur dy karriera në jetë: një karrierë akademike, duke kryer studime e duke dhënë mësim nëshkencat sociale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, fillimisht në vendin tim, në Shqipëri, në Universitetin e Tiranës, e më vonë në Hollandë dhe në Karolinën e Veriut, si dhe një karrierë diplomatike, duke shërbyer si ambasador i vendit tim në Hagë dhe në Uashington. Unë, sigurisht, i kam jetuar aktivisht dhe i kam shijuar gjashtë vitet që jetova, studiova dhe punova në Karolinën e Veriut. Unë kam bërë një jetë edhe më aktive si ambasador në Uashington. Uashingtoni është kryeqyteti ku mund të mësosh e të bësh diplomacinë më të mirë, duke i shërbyer popullit dhe vendit tënd më shumë e më mirë se kudo gjetkë. Nuk mund të them dhe as të parashikoj se ku do më marrë jeta pas kësaj.Jeta e çdo njeriu është e mbushur me tranzicione. Jeta ime në Chapel Hill, në vitet 1990, ishte një ndër këto tranzicione, siç është një periudhë tranzicioni edhe shërbimi im në Uashington. Mua më mbetet të pres se ç’tranzicion tjetër do të më duhet të bëj në jetën time.
Evans: Unë shpresoj se me këtë kalendar të ngjeshur tranzicionesh dhe në këtë udhëtim interesant të jetës suaj, cilido që të jetë shtegu që do të merrni paskëtaj ju do të gjeni mundësinë të ktheheni përsëri në Sandhills dhe të na vizitoni, pasi ka qenë një kënaqësi e vërtetë për ne t’ju kishim sonte të ftuar në emisionin tonë.
Tarifa: Unë do të dëshiroja të kthehesha përsëri. Dhe do të kthehem sërish në Sandhills. Ju premtoj.
Evans: Ju faleminderit. I ftuari ynë sonte ishte ambasadori i Shqipërisë, Dr. Fatos Tarifa. Djali i tij, Sidriti, është një artist i ri, veprat e të cilit janë ekspozuar sonte në Kolegjin Sandhills. Ekspozita e tij do të qëndrojë e hapur për një javë dhe unë uroj që ju të keni rast ta vizitoni. Dhe unë jam Mark Evans që ju ftoj të ndiqni emisionin tim “Mark my Words”.
Fund
(Kjo bisedë është marrë dhe përkthyer në shqip nga libri Fatos Tarifa, To Albania, with Love (Lanham, MD: Hamilton Books, 2007, ff. 62-79). Titulli original i saj në libër është Albania has All It Needs to Become ‘A Great Little Country’, or ‘A Little Great Country’).
