Meksiko Siti- Gjatë incidentit më të fundit të dhunës lidhur me bandat e narkotrafikut, që goditi vendin javën e kaluar, të gjithë 111 milionë banorët e Meksikës humbën jetën pas një këmbimi zjarri mes karteleve rivale të drogës.
Sipas burimeve, dhuna shpërtheu pas dështimit të një pazari droge për shitjen e rreth 20 kilogramëve hashash. Duke mos u marrë vesh për çmimin, disa anëtarë të rangut të ulët të kartelit Sinaloa hapën zjarr ndaj një grupi shitësish lokalë në Kuliakan.
Brenda sekondash, të shtënat u përhapën në Çiuaua, Miçoakan, Jukatan, dhe në më pak se çerek ore, edhe në 27 shtetet e tjera meksikane, duke lënë të vdekur top çdo banor të vendit.
“Ende nuk i dimë detajet”, thanë zyrtarë të antidrogës amerikane, që e ndoqën ngjarjen përmes satelitëve, “por besohet se incidenti nisi si një raprezalje e dy ushtarëve të kartelit Los Zetas ndaj atij të Sinaloas. Pastaj kartelet e Gjirit dhe të Tihuanas u kundërpërgjigjën, por hasën në reagimin e Familjes Miçoakana dhe Los Negros. Pas këtij momenti, dëshmitarë okularë deklaruan se kishin dëgjuan 357 milionë të shtëna, kohë gjatë të cilës popullata e Meksikës u zu në mes të shkëmbimit të zjarrit dhe humbi jetën”.
Mësohet se dy agjentë amerikanë që kanë zbritur në terren, kanë gjetur edhe një qese me 4 gramë kokainë.
Prej pak ditësh, tërë sipërfaqja e Meksikës prej 1.91 milionë kilometrash katrorë, është shpallur vend krimi dhe është rrethuar me shirit të verdhë nga DEA amerikane.
Nga hetimet që sapo kanë filluar, është zbuluar se rreth 20 milionë prej viktimave u vranë nga plumba qorrë teksa ngisnin makinën, biçikletën ose motorin; 8 milionë të tjerë teksa shihnin se çfarë po ngjiste nga dritaret dhe ballkonet; 1 milion të tjerë ishin djemtë që dolën të armatosur për të marrë hakun e prindërve dhe u vranë gjithashtu; 20 milionë plus ishin viktima të pengmarrjeve që plasën anembanë vendit, dhe që u vranë sepse të afërmit nuk sollën paratë e kërkuara. Në fakt, të afërmit ishin vrarë më parë.
Duhet thënë se presidenti meksikan në largim, Enrique Pena Nieto, doli në ekran dhe deklaroi gjendjen e emergjencës, por nuk arriti ta mbaronte fjalimin sepse u vra nga trafikantë që rastësisht kalonin atypari.
Ndërkaq, ngjarja ka shokuar tregtarët amerikanë të drogës, të cilët nuk dinë se me këtë të kontaktojnë për të tërhequr sasitë e pamata të narkotikëve që kanë mbetur në territorin meksikan.
Gjithsesi, ata e siguruan publikun amerikan se po bëjnë të pamundurën që tregut të mos i mungojë asgjë në këto ditë të vështira.
Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Meksika është shëndoshë e mirë. Për momentin.

E ku eshte kumori ketu?!
Humori qe s’ishe, nuk e kap dot sarkazmen? Nje pazar droge, shkon ne reaksion zinxhir? Vritet gjithe popullata? Droga vret popujt, te ardhmen e tyre? Dhe Amerika qe gjithe hallin e ka kush do e furnizoje? Nuk kupton asgje? Hic? Zero?
Lad-o, ta kishin shkruar si e shkrove ti do e kuptoja.
Ashtu si e kane shkruar, kaq dobet, nuk e fut dot ne kategorine e humor/sarkazmes. Duhet ca art aty, apo jo?
Kjo rubrike ka plot humor/sarkazme te goditur!
Ndoshta jo gjithmone goditet…
Kjo gazete perfundimisht ka falimentuar.