Cana: Shqipëria kërkon të shkruajë historinë

anazapta

Shqipëria është në pozitat ku nuk mund të gabojë më, për të fituar gjithçka ose humbur gjithçka në dy ndeshjet e radhës, në Slloveni dhe Islandë. Kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë në grup, por një shkarje këmbe mund t’i zbresë poshtë, pasi Islanda, Norvegjia, por edhe Sllovenia kanë ende shpresa, sado të pakta, për të arritur kualifikimin në botërorin brazilian, qoftë edhe me play-off. Në konferencën e djeshme për shtyp, kapiteni Lorik Cana dhe Ansi Agolli premtuan impenjim maksimal dhe përkushtim për të arritur rezultate pozitive. Të gjithë duan të arrijnë historinë, por gjithashtu kërkojnë që të gjithë të qëndrojnë me këmbë në tokë. “Jemi në një pozicion si kurrë më parë, por akoma nuk e kemi bërë historinë. Nuk dua të bëj premtime, sepse nuk jam politikan. Me Slloveninë është një ndeshje e vështirë që i ka të treja rezultatet brenda dhe për këtë arsye kemi shpresa, por qëndrojmë edhe me këmbë në tokë”, këshillon Cana. Kapiteni shton se, pavarësisht pozicioneve në renditje, kuqezinjtë nuk janë favoritë. “Ne nuk nisemi si favoritë, ashtu si edhe në shumë ndeshje të tjera. Por premtoj se do të japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv”. Mbrojtësi i Lacios, i cili rikthehet pas mungesës me Norvegjinë në qershor, nuk do të ketë në krah Mërgim Mavrajn, i dëmtuar gjatë një ndeshjeje me klubin. Cana thotë se kushdo që do të luajë do të jetë në lartësinë e detyrës, pasi forca e kombëtares shqiptare është grupi. I qetë është shfaqur edhe mesfushori Ansi Agolli: “Sllovenia ka lojtarë shumë të mirë si edhe një trajner me shumë eksperiencë, ne do të mundohemi të mos pësojmë gol në radhë të parë, por edhe të kundërpërgjigjemi, sepse nuk po shkojmë për shëtitje. Ata janë favoritë, megjithëse ne i kemi mundur në ndeshjen e parë të luajtur në Tiranë”.

 

 Urimi

Kapiteni i kuqezinjve uroi publikisht xhudisten Majlinda Kelmendi. Kosovarja fitoi medaljen e artë pak ditë më parë, në kampionatin botëror në Rio de Zhaneiro të Brazilit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *