Mjafton që dikush të fitojë për të bërë të lumtur Kliton Bozgon, i cili uron që ndeshja midis Sllovenisë dhe Shqipërisë të mos përfundojë në barazim. Ish-sulmuesi nga Berati ka luajtur 18 herë me fanellën kuqezi, ndërkohë që karrierën si profesionist e ka ndërtuar në Slloveni, ku edhe jeton aktualisht dhe është punonjës i federatës sllovene, si trajner i kombëtares U-16. Natyrshëm që është një njeri i kërkuar nga shtypi në prag të këtij takim, të cilin ai e konsideron si “më të rëndësishmin në historinë e futbollit shqiptar”. “Të dyja skuadrat duan fitoren. Me ardhjen e Sreçko Katanecit, Sllovenia është shumë më mirë se më parë dhe do të luftojë për të marrë tri pikët”, thotë Bozgo. “Nga ana tjetër, Shqipëria është në vendin e dytë dhe shumë pranë kualifikimit në botëror, ku nuk ka qenë kurrë më parë. Nuk ka dyshim që do të jetë luftë e fortë”. Nga kampi shqiptar është deklaruar se në Slloveni shkohet për të bërë lojë sulmuese e për të marrë maksimumin, megjithatë, përtej deklaratave të nxehta të vigjiljes, Bozgo pret një lojë ndryshe. “Mendoj se shqiptarët do të përqendrohen në mbrojtje dhe do të përpiqen të kundërsulmojnë. E dinë që Sllovenia është e detyruar të luajë në sulm dhe mund të preferojnë të qëndrojnë në pritje të momentit të duhur. Ndonëse do të pëlqeja të kundërtën, mendoj se do të jetë ndeshje taktike, e cila do të vendoset nga detajet e vogla”. Bozgo shprehet se Shqipëria është e gjitha e ndezur për kombëtaren, edhe pse humbja me Islandën dhe barazimi i çasteve të fundit me Norvegjinë ende qahen si humbje që mund të kushtojnë shtrenjtë kur të bëhen llogaritë përfundimtare. “Të gjithë janë optimistë, edhe pse në ndeshjen e fundit pësuan gol në minutat e fundit dhe u detyruan të kënaqen me një pikë të vetme. Shqipërisë i mungojnë tri-katër pikë, pasi pësuan humbje në shtëpi me Islandën dhe mendoj se do të përpiqen t’i kompensojnë në Lubjanë. Të gjithë janë të kënaqur edhe me trajnerin De Biazi. Ai është një trajner tipik italian, që i kushton shumë rëndësi taktikës dhe mendon gjithçka me detaje, për të mos dalë zbuluar. Ndaj nuk është surprizë që Shqipëria ka pësuar shumë pak gola kohët e fundit”. Pyetja më delikate për Bozgon është ajo se me cilën skuadër do të jetë të premten. Nuk është e vështirë të kuptohet se për kë i rreh zemra, megjithatë, si një diplomat i mirë, përgjigjet me shumë kujdes: “Do të isha më i lumturi në botë sikur Shqipëria dhe Sllovenia të kualifikoheshin të dyja në Kupën e Botës. Për fat të keq, kjo nuk është e mundur. Nëse përfundon në barazim, nuk do t’i vlente as Shqipërisë dhe as Sllovenisë dhe dikush tjetër mund të përfitojë. Ndaj, uroj që njëra nga skuadrat të fitojë, mjafton të mos jetë barazim”.
Karriera
Kliton Bozgo ka luajtur 18 herë me fanellën e Shqipërisë. Në Slloveni ka luajtur me Mariborin, Olimpija, Mura dhe Drava Ptuj. Me 110 gola të shënuar, është shënuesi i dytë më i mirë në historinë e Mariborit.

Legjende dhe perfaqesimi me i mire i Shqiptarise.
Sa modest ke qene gjate gjithe karrieres tende Bozgo edhe pse me rezultatet me te larta nder futbollistet shqiptare. Legjende e heshtur.
Legjendat e futbollit shqiptar I ka pasur vetem nje Ekip……….Flamurtari
Ndersa lojtaret ne ekipet e tjera ishin vetem per …..Iventar