Duke filluar nga numri i djeshëm, Dita boton një bisedë me sociologun e njohur Fatos Tarifa, zhvilluar me redaksinë e kësaj gazete, për një ndër subjektet më sensitivë e më tabu në shoqërinë tonë, siç është emancipimi erotik i shoqërisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë bisedë Prof. Tarifa i zhvillon më gjerësisht në një studim monografik, që e ka titulluar “Erosi dhe Demokracia” dhe që pritet të botohet së shpejti.
Intervistoi Erion Habilaj
Seksi i mirë është rruga drejt një shoqërie të mirë dhe një seksualitet vibrant është një parakusht për një demokraci vibrante /Wilhelm Reich
Është e kuptueshme se të gjitha këto ndryshime lidhen me modernitetin. Me krijimin dhe përdorimin e mjeteve kontraceptivë artificialë, marrëdhëniet seksuale me siguri filluan të shiheshin nga një tjetër këndvështrim moral e shëndetsor, çka duhet të ketë sjellë ndryshime të tjera të rëndësishme—edhe pse jo të menjëhershme—në vlerat morale tradicionale të shoqërive perëndimore dhe në selljen seksuale të njerëzve.
Pa dyshim. Në atë periudhë filloi të ulej gradualisht mosha në të cilën nis puberteti, çka bëri të mundur rritjen e interesimit për moshën e adoleshencës, e cila shoqërohet me një konfuzion seksual dhe me rreziqe që lidhen pikërisht me këtë periudhë tranzitore në zhvillimin hormonal të individit. Këto rrethana, të marra së bashku, vunë në një fokus të ri edhe vetë institucionin e martesës, i cili filloi të shihej si një marrëdhënie që mund të krijohet për shkak të dashurisë dhe jo thjesht për të realizuar një funksion ekonomik ose riprodhues.
Sidoqoftë, duhet vënë në dukje se këto ndryshime u kryen shumë ngadalë, duke ndeshur në çdo hap me pengesa të mëdha, që kishin të bënin me traditën konservatore evangjeliste të shekujve të 18-të dhe 19-të dhe me moralin seksual mbizotërues të epokës viktoriane në Angli dhe në shumë vende të tjera gjatë shekullit të 19-të. Kjo ishte një periudhë e puritanizmit seksual dhe e deseksualizimit të femrës, gjatë së cilës, njerëzve, në radhë të parë vajzave dhe grave, u mohohej çdo dëshirë për kënaqësi seksuale. Injoranca në çështje të seksit dhe pasiviteti seksual çmoheshin si tipare esenciale të feminitetit të respektuar dhe të dashurisë heteroseksuale. Në mentalitetin dominues mashkullor të kohës, gratë e mira nuk duhej domosdoshmërisht ta shijonin seksin. Kjo gjendje nuk përfaqësonte vetëm një ideal mashkullor, por ishte një besim gjerësisht i përhapur edhe te vetë gratë, të cilat, pasivitetin seksual të tyre e projektonin si pritshmëri dhe e kërkonin me fanatizëm edhe te gratë e tjera, dhe jo vetëm te vajzat e virgjëra. Kjo mbetej një normë edhe pas martesës dhe vazhdoi të jetë e tillë deri aty nga fillimi dhe mesi i shekullit të 20-të. Njohuritë për seksin, iniciativa dhe eksperimentimet seksuale konsideroheshin si diçka e natyrshme vetëm për meshkujt.
Siç dihet, moraliteti seksual viktorian i shihte seksin dhe kënaqësitë seksuale të lidhura vetëm me martesën dhe, prandaj, kërkonte që të rinjtë, si meshkujt, por kryesisht femrat, t’i përmbanin impulset e tyre seksuale. Për shkak se marrëdhëniet seksule para martesës përmbanin rrezikun e madh të shtatzanisë së padëshiruar dhe, ipso facto, rrezikun e abortit e të braktisjes, shumica e femrave bëheshin seksualisht aktive vetëm pas martesës. Madje, edhe në martesë, seksi kishte si funksion që t’i jepte kënaqësi vetëm burrit, ndërsa gruaja besohej se nuk kishte aftësi të ndiente kënaqësi seksuale. Gjatë epokës viktoriane ndalohej rreptësisht publikimi i çdo letërsie ose vepre arti që konsiderohej vulgare, si dhe publiciteti ose shitja e çdo mjeti kontraceptiv.
Brenda martesës, marrëdhëniet seksuale duhej të ishin të përmbajtura, pasi aktiviteti seksual “i tepruar”, veçanërisht orgazma, besohej se ndikonin negativisht në shëndetin e njerëzve, sidomos të meshkujve. Mjekët në atë periudhë besonin gjerësisht se humbja e spermës te meshkujt është po kaq e dëmshme për shëndetin e tyre sa edhe humbja e gjakut. Shumë prej tyre, madje, mendonin se marrëdhëniet seksuale intensive mund të bëheshin shkak për sëmundje psiqike, ose edhe mund të çonin në vdekje të parakohshme, pa përmendur sëmundjet veneriane që mund të shkaktonin marrëdhëniet seksuale jashtë martesës.
Por a kishte në atë kohë përpjekje për ta studiuar dhe kuptuar seksualitetin human shkencërisht?
Seksi ka qenë e mbetet një subjekt i përhershëm i filozofisë, i psikologjisë, i mjeksisë, i sociologjisë, i letërsisë, i arteve dhe i interesimeve më të gjera të njerëzimit në të gjitha epokat e historisë së tij, për shkak se ai ka qenë dhe mbetet një ndër forcat më motivuese e më misterioze në jetën e çdo individi dhe të çdo shoqërie, efekti i së cilës ka qenë dhe mbetet kryesisht konstruktiv. Sidoqoftë, thelbi dhe format e shfaqjes të seksualitetit human filluan të bëhen objekt i studimeve shkencore në fundin e shekullit të 19-të dhe në fillimin e shekullit të 20-të, kryesisht nga dy psikanalistë të shquar austriakë: Sigmund Freud dhe Otto Gross, të cilët, në nivel idesh, nuk dallonin shumë prej njëri-tjetrit. Si njëri dhe tjetri besonin se normat morale që rregullonin seksualitetin në atë kohë mbështesnin një sistem kulturor që krijonte shqetësime të mëdha—dhe kishte pasoja të rënda—si për individin, ashtu dhe për vetë shoqërinë dhe të dy ata besonin se një sistem i tillë normash duhej ndryshuar.
Në atë kohë, edhe një sociolog i shquar, si Max Weber, tregoi një interesim të veçantë për shpjegimin e instikteve seksuale tek individi njerëzor, por ai shprehej vendosmërisht kundër një mënyrë jetese emocionalisht erotike dhe u bë një kritikues i ashpër i pikëpamjeve të Gross-it. Megjithatë, nga fundi i jetës së tij, Weber u bë më i interesuar për “efektet e një eroticizmi të çliruar nga normat shoqërore në personalitetin e individit si i tërë”, pasi, në analizë të fundit, ishte personaliteti i individit në tërësinë e vet ai që kishte rëndësi për të.
Në vitin 1898, në veprën e tij Seksualiteti në etiologjinë e neurozave (Sexuality in the Aetiology of the Neuroses), Sigmund Freud për herë të parë trajtoi gjerësisht çështjen e antagonizmit mes qytetërimit dhe jetës instiktive.Ai dalloi tri faza në historinë e seksualitetit përgjatë qytetërimeve të ndryshëm: (i) fazën kur instinktet seksuale shpreheshin lirshëm; (ii) fazën kur instinktet seksuale ndrydheshin dhe kur seksi kryhej vetëm për qëllim riprodhues; dhe (iii) fazën kur riprodhimi u reduktua dhe u legjitimua vetëm kur ai realizohej në marrëdhënie monogame. Freud erdhi në përfundimin se, përmes ndrydhjes dhe shtypjes së jetës seksuale me anë të moralitetit seksual “të qytetëruar”, që sundon në shoqërinë moderne, qytetërimi ka luajtur dhe luan një rol shkatërrues në jetën e individit dhe të mbarë shoqërisë. Në këtë vepër, ai formuloi tezën se, “shkaqet më imediate e më të rëndësishme të çdo sëmundjeje neurotike gjenden në faktorë që kanë të bëjnë me jetën seksuale”.
Kjo ide duhet të ketë qenë shokuese për establishmentin mjeksor, akademik dhe politik të asaj kohe.
Në fakt, kjo tezë frojdiane shënonte një paradigmë të re në shkencat sociale dhe në ato që quhen life sciences. Tronditja ishte e madhe, siç ishte i menjëhershëm edhe efekti i saj. Në vitin 1905, Freud botoi vëllimin Tri ese në teorinë e seksualitetit (Three Essays on the Theory of Sexuality), i cili, krahas veprës tjetër të tij, Interpretimi i ëndrrave (The Interpretation of Dreams),konsiderohet si një ndër kontributet më origjinalë e më të rëndësishme në historinë e njohjes njerëzore.
Në vitin 1908, Freud botoi esenë Moraliteti seksual ‘i civilizuar’ dhe sëmundja nervore moderne (Civilized’ Sexual Morality and Modern Nervousness). Në këtë ese, ai argumentoi se morali seksual i qytetërimit të sotëm mbështetet në shtypjen e instinkteve dhe në ndrydhjen e jetës seksuale të individit, dhe se, sjellja seksuale e një qenieje njerëzore shpesh përcakton mënyrën e të gjitha reagimeve të tij ndaj jetës. Freud e mbyll esenë e tij me pyetjen “nëse morali ynë seksual ‘i qytetëruar’ ia vlen saktificat [neurozat] që ai imponon mbi ne”. Edhe pse, si mjek, Freud mendonte se nuk i përkiste atij që të propozonte reformimin e sistemit shoqëror ekzistues, duke argumentuar dëmin që shkakton moraliteti seksual i shoqërisë në shtimin e sëmundjeve të sotme nervore, ai vetë e mbështeste një reformim të tillë si “të domosdoshëm”.
Freud e shihte qëllimin e psikanalizës në çlirimin e seksualitetit human, por ai besonte se seksualiteti nuk duhet lënë absolutisht i lirë, jashtë çdo kufizimi. Përkundrazi, sipas tij, seksualiteti duhet vënë nën një lloj kontrolli të ri racional, ngaqë asnjë qenie njerëzore nuk duhet të dominohet nga impulset e veta seksuale.Freud ishte ai që, siç është shprehur në mënyrë metaforike W. Bertram Wolfe, “e gjeti seksin një jetim të braktisur në kasolle dhe e bëri atë një mysafir të nderuar në dhomën e miqve”.
Paralelisht me Freud-in, në Angli, problemet e seksualitetit kishin filluar të studioheshin nga mjeku dhe psikologu i njohur Havelock Ellis, veprat e të cilit Analizë e impulsit seksual, Dashuri dhe dhimbje, Impulsi seksual te gratë(Analysis of the Sexual Impulse; Love and Pain; The Sexual Impulse in Women), 1903, Seleksioni seksual te burrat (Sexual Selection in Man),1905, Seksi në raport me shoqërinë (Sex in Relations to Society), 1910, etj., edhe pse jo aq sa vepra e Freud-it, kanë pasur një ndikim afatgjatë në studimin e seksualitetit human, sidomos në periudhën mes dy luftrave botërore.
Kjo duket se ka qenë periudha kur problemet e seksualitetit u bënë pjesë e axhendës së studimeve akademike.
Jo, kjo ka ndodhur më vonë, por problemet e seksualitetit u bënë, pa dyshim, pjesë e një lëvizjeje sociale e politike, veçanërisht në Europë, dhe shërbyen si baza ideologjike që përgatiti revolucionin seksual pas Luftës së Dytë Botërore. Periudhës midis dy luftrave botërore i përket, sidomos, vepra e psikanalistit të shquar frojdian austriak Wilhelm Reich, Seksualiteti në luftën kulturore, botuar në gjermanisht në vitin 1936 dhe përkthyer e botuar pas Luftës në anglisht, me titullin Revolucioni seksual (The Sexual Revolution: Toward a Self-Governing Character Structure). Në vitet 1930, Reich besonte se ëndrra e emancipimit erotik të njerëzimit është e lidhur me atë të emancipimit politik të tij. Në këtë libër, Reich argumentonte se neurozat dhe “sjellja masive irracionale” ose “patologjike” burojnë nga i njëjti shkak: represioni seksual, të cilin ai, ashtu si Freud, e shpjegonte si një konflikt të pandërgjegjshëm mes nxitjes instinktive të individit për kënaqësi seksuale dhe presionit moral që i mban nën kontroll energjitë e tij seksuale.
Me idetë e tij radikale dhe avantguardiste se në shoqëritë kapitaliste perëndimore, moralizmi seksual kishte pësuar fiasko, se normat morale të sjelljes seksuale ishin zëvendësuar nga një “moralitet seksual-ekonomik” (sex-economic morality), se institucioni i martesës së detyrueshme është “baza e kontradiktave në jetën seksuale”,dhe se përmes martesës së detyrueshme, familjes, ideologjisë dhe “strukturave kolektive” të saj shoqëria ushtron një “represion seksual” mbi anëtarët e saj, Reich u bë një ndër intelektualët frymëzues kryesorë, madje “the father” i “revolucionit seksual” të viteve 1960.
Me sa dimë—dhe nuk hezitoj të them se dimë fare pak—Reich ka qenë një autor dhe një personalitet shumë kundërthënës, që pati një fat shumë tragjik.
Reich emigroi në Amerikë në vitin 1939. Ai u ndoq për shumë kohë nga FBI dhe vdiq në burg. Në librin e tij Funksioni i orgazmës (The Function of the Orgasm), botuar fillimisht në gjermanisht, në vitin 1942, dhe përkthyer e botuar në botën anglofone pas vdekjes së tij, Reich argumentoi se shprehja seksuale (kryesisht orgazma) është një gjendje e natyrshme, dhe se kontrolli shoqëror mbi energjitë seksuale të individit (përmes familjes, moralitetit të institucionalizuar seksual dhe shtetit) është shkatërrues. Sipas tij, ndrydhja dhe shtypja seksuale e shtrembërojnë zhvillimin psikologjik të individit dhe çojnë në sjellje autoritariste (si, për shembull, fashizmi), pikëpamje kjo, të cilën ai e kishte zhvilluar më parë në veprën e tij Psikologjia masive e fashizmit (The Mass Psychology of Fascism), botuar në vitin 1933, kur Hitleri mori pushtetin në Gjermani.
Rezultatet e praktikës së tij klinike dhe studimet e tij mbi seksualitetin human dhe mbi shumë patologji sociale çuan në zhvillimin e asaj që njihet si “sociologji e së pandërgjegjshmes”, ose e “seksualitetit antisocial”. Bindja e tij se çlirimi seksual përbënte një faktor të rëndësishëm për t’i rezistuar fashizmit, i cili, në vitet 1930, po përhapej kudo në Europë, bëri për vete një masë të madhe njerëzish edhe në Shtetet e Bashkuara. Më vonë, pikëpamja e tij se seksi i mirë është rruga drejt një shoqërie të mirë dhe se një seksualitet vibrant është një parakusht për një demokraci vibrante, fitoi momentum në këtë vend.Në një ese shumë të njohur që kam lexuar pak kohë më parë, me titull Brezi i ri i humbur (The New Lost Generation), autori, James Baldwin, i përshkruante vitet 1950 dhe 1960 në Amerikë si një periudhë kur njerëzit iu larguan idesë se bota mund të bëhej më e mirë përmes politikës, dhe përqafuan idenë se “bota do të fillonte të bëhej më e mirë nëse njerëzit do të kujdeseshin për shëndetin e tyre psiqik dhe seksual”.
Për shkak të rolit të madh që luan feja në Shtetet e Bashkuara, shoqëria amerikane vazhdon të jetë, përgjithësisht, më konservatore sesa shoqëritë europiane. Reich duhet të ketë shkaktuar vërtet një tronditje sizmike në moralitetin dhe në politikën amerikane të kohës.
Jo vetëm në Amerikë, por kudo. Pothuajse në të njëjtën kohë që Wilhelm Reich publikonte pikëpamjet e tij radikale, një antropolog anglez, J. D. Unwin, botoi dy libra të rëndësishëm, Rregullat seksuale dhe sjellja njerëzore(Sexual Regulations and Human Behavior) dhe Seksi dhe kultura (Sex and Culture), në të cilët mbronte pikëpamjet tradicionale mbi seksin, martesën dhe familjen. Unwin argumentonte se “energjia sociale” e çdo shoqërie është rezultat i kufizimeve në sjelljen seksuale të anëtarëve të saj. Me fjalë të tjera, sa më të shumta kufizimet mbi individin, aq më të mëdha arritjet kulturore të shoqërisë. Sipas tij, sjellja kulturore e një shoqërie varet sa nga vetë natyra e organizimit njerëzor, aq edhe nga “gjendja e energjisë në të cilën ka arritur shoqëria, si rezultat i rregullave kufizuese që ajo ka vendosur mbi sjelljen seksuale të anëtarëve të saj”. Kufizimin e mundësive për kënaqësi seksuale ky autor e shihte si shkakun e progresit kulturor të çdo shoqërie.
Por ju keni plotësisht të drejtë. Nëse marim parasysh frymën e asaj kohe, mund të thuhet, pa asnjë ekzagjerim, se idetë e Reich-it kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në radhët e rinisë e të intelektualëve amerikanë në vitet 1950 dhe 1960, si edhe në kulturën amerikane të asaj periudhe. Në fakt, “revolucioni seksual” në Shtetet e Bashkuara nisi nga njerëz që ndanin të njëjtin besim me Reich-in (edhe nëse nuk i kishin lexuar librat e tij), lidhur me ndikimin shkatërrues të represionit seksual. Sidoqoftë, Reich ishte ai që, ndoshta më shumë se çdo filozof tjetër i seksit, i dha entuziazmit erotik të viteve 1960 një justifikim intelektual dhe hodhi bazat teorike të asaj epoke.Në mesin e viteve 1960, revista Time, madje, e cilësoi atë një “profet”.Jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europën Perëndimore, Reich dhe pikëpamjet e tij u bënë një manifest i lëvizjeve studentore dhe i “revolucionit seksual” që po përhapej ngado. Në Universitetin e Frankfurtit, studentët e 1968-ës kishin këtë moto: “Lexo Reich dhe bëj siç thotë ai”.
Dhe Herbert Marcuse?
Marcuse ishte një tjetër intelektual i shquar, idetë e të cilit patën një ndikim shumë të madh në ngjarjet e viteve 1960. Vepra e tij, Erosi dhe qytetërimi (Eros and Civilization: A Philosophical Enquiry into Freud), botuar në vitin 1955, mund të konsiderohet si një përpjekje që synon të bashkojë në një sintezë të vetme Marx-in dhe Freud-in. Kjo vepër e bëri Marcuse-në intelektualin europian më të adhuruar në radhët e rinisë amerikane në gjysmën e dytë të viteve 1960, periudhë kjo, kur protestat kundër Luftës në Vietnam dhe radikalizimi i lëvizjeve për të drejtat e zezakëve dhe për çlirimin e gruas çuan gradualisht në ngjarjet e mëdha të vitit 1968, vit që me të drejtë është cilësuar si Annus Mirabilis.
Erosi dhe qytetërimi, ashtu si dhe influenca e padiskutueshme që kishin në atë kohë në radhët e rinisë dhe të intelektualëve amerikanë e Majta e Re (the New Left) dhe, sidomos, sociologu radikal dhe rebel, C. Wrigt Mills, shërbeu si një frymëzim ideologjik për lëvizjet sociale të kohës. Në këtë vepër, Marcuse jo vetëm imagjinon mundësinë e një shoqërie të çliruar nga puna e tjetërsuar, por edhe ofron imazhin e një çlirimi total që, më në fund, do ta shuante antagonizmin mes intelektit dhe arsyes, nga njëra anë, dhe kënaqësive sensuale, të lidhura me libidon, nga ana tjetër. Ky antagonizëm primordial, sipas Marcuse-së, mund të zgjidhet përmes krijimit të një sinteze të re, që ai e quante “arsye sensuale” (sensuous reason), ose “moral libidinal” (libidinal morality).
Edhe pse Erosi dhe qytetërimi zakonisht vlerësohet për rolin që ky tekst ka luajtur në frymëzimin e revolucionit seksual të viteve 1960, si “një ndër manualet filozofikë kryesorë” të atij revolucioni, në qendër të analizave të Marcuse-së në këtë vepër është ideali marksist për krijimin e një shoqërie të çliruar nga domosdoshmëria e punës. Kjo vepër dallon mjaft pothuajse nga e gjithë tradita e mëparshme e letërsisë marksiste-frojdiste. Marcuse ishte shumë kritik ndaj Reich-it dhe Fromm-it. Reich, sipas tij, u fokusua shumë në një koncept të ngushtë, siç është çlirimi seksual, ndërsa lidhja që ai shihte mes fashizmit dhe represionit seksual ishte sempliste.
(vijon nesër)
