Depistimi, ose kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme, duke siguruar kështu mundësi që edhe trajtimi që duhet të ndjekin më pas të sigurojë mundësi më të mira në shërim.
Autoritetet e shëndetit publik thonë se aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese, për zbulimin e hershëm të kësja sëmundjeje, si: Pap testi, kontrolli pamor me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.
Ndaj sa më herët që të bëhen kontrollet, aq më të larta janë edhe shanset për të shmangur rrezikshmërinë dhe ndërlikimet që kjo sëmundje mbart. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, depistimi në vetvete nuk ka asnjë vlerë parandaluese nëse nuk lidhet me trajtimin e rasteve parakanceroze të qafës së mitrës.
Në disa raste, pjesët jonormale duhen hequr që të mos përparojnë në kancer të qafës së mitrës. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë dhe jo gjithmonë kërkon shtrim në spital. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të pasur fëmijë në të ardhmen. Gratë që janë trajtuar për parakancer të qafës së mitrës duhet të ndiqen dhe trajtohen pas 12 muajsh.
Nëse më pas shenjat e kancerit të qafës së mitrës janë të pranishme, mundësitë e trajtimit përfshijnë kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë.
“Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse: ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale, ka partnerë seksual të shumtë, ka partnerë të cilët kanë apo kanë pasur shumë partnere seksuale, ka apo ka pasur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, përdor në mënyrë abuzive duhanin apo ka imunitet të ulët”, vënë në dukje ekspertët e shëndetit publik në lidhje me kategoritë që rrezikojnë më tepër për t’u prekur nga kjo sëmundje. p.k/dita
