Eksplorim në një ndër mrekullitë shqiptare më të lakmuara nga të huajt

Mila Hysotoci

Tashmë ka ardhur vjeshta dhe kemi filluar të bëhemi kurioz për të zbuluar vende të reja turistike.

Ne ju sygjerojmë këtë fundjavë të vizitoni një ndër mrekullitë e natyrës shqiptare ku gjithçka duket si e pikturuar me dorë. Aty ku do të gjeni mikpritjen, bukurinë natyrore, por edhe ushqimin më të mirë që keni shijuar ndonjëherë. E ku tjetër mund ta gjeni këtë përveçse në zonën turistike të Gërmenj-Shelegurit.

Ku ndodhet kjo zonë turistike?

Rezervati natyror i Gërmenj-Shelegurit është një vend turistik, i cili ndodhet në rrethin e Kolonjës drejt rrugës për në Leskovik, i rrethuar me male dhe me një natyrë të virgjër tepër piktoreske. Për të shkuar drejt këtij vendi turistik duhet të ndiqni rrugën kombëtare Tiranë-Ersekë-Leskovik. Ajo ndodhet midis fshatit Radanj dhe Gërmenj, 25 km para se të mbërrini në Leskovik.

Një segment rrugor që mund të përshkohet me makinë, megjithëse duhet treguar kujdes në segmentin rrugor Ersekë-Gërmenj pasi është një rrugë shumë e ngushtë.

Çfarë na ofron kjo zonë turistike?

Rezevati Gërmenj-Shelegurit ndodhet në zemër të rrethit Kolonjës  në mesin e një natyre të mrekullueshme, ku ajri i pastër, qetësia dhe freskia janë një ftesë e hapur për të kaluar një fundjavë të paharrueshme.

Kjo është një zonë ndërkufitare në jugperëndim të qytetit të Ersekës, ku harmonizohen luginat e thella, ligatinat, përrenjtë e rrëmbyer, e sidomos pyje të dendur që ngjanë fiks si ato të përrallave që kemi lexuar dikur.

Gjelbërimi të shoqëron gjatë gjithë kohës dhe panorama piktoreske shfaqen njëra pas tjetrës. Bukuri të pafundme në çdo stinë të vitit.

Një nga bukuritë më tërheqëse në këtë zonë është edhe liqeni i Shelegurit.

Një panoramë e mrekullueshme , e cila ndërthuret me kreshtat e vargmaleve të Nemërçkës.

Gjatë rrugës që do të ndiqni për në këtë vend turistik, mes kanioneve të thella ndodhet edhe Ujëvara e Leskovikut, e cila është një mrekulli e natyrës.

Gjithashtu në këtë zonë ndodhen edhe rrënjë të vjetra ilire, me një vlerë të madhe historike, të cilat janë rreth 1km në jug të pyllit të Gërmenjit.

Në Gërmenj-Shelegur do të gjeni edhe ushqimet më të mira që keni provuar ndonjëherë, lakrorin në saç, apo mishin e pjekur që ka një shije të veçantë për shkak të kullotave që ka në këtë zonë të mbushura me lule të shumta.

Gjithashtu do të keni mundësi të provoni edhe një ushqim tradicional që nuk e gjeni askund tjetër.

Përveç kësaj kjo zonë është e preferuar edhe nga çiklistët, të cilët zgjedhin ta përshkojnë me biçikletë këtë rrugë.

Në sy do t’iu bien edhe rulotë e shumta të turistëve të huaj, të cilët ndoshta e kanë herën e tretë apo të katërt që vijën në këtë zonë, sepse thonë se kush e viziton një herë e dashuron dhe e sigurt që do të vijë sërish.

Piknikët në natyrë me miqtë apo familjarët tuaj janë një ide shumë e mirë.

Një natë në shtëpitë prej druri që ndodhen aty nuk duhet anashkaluar, apo dhe historitë  e treguara nga banorët e zonës teksa ngroheni rreth zjarrit të madh që ndizet në mbrëmje.

Fotot më të bukura padyshim që do t’i realizoni këtu dhe gjithë Instagram-i dhe miqtë tuaj do të çmenden pas tyre.

Çfarë duhet të marrim me vete?

Në këtë zonë do të gjeni gjithçka që ju duhet, që nga ushqimi, strehimi dhe deri tek guidat e posaçme. Gjithçka që ju duhet janë veshjet e trasha, pasi temperaturat janë relativisht të ulëta në orët e mbrëmjes, një aparat fotografik dhe nisuni për të kaluar fundjavën më të bukur të jetës suaj.

Nëse nuk keni pronotuar paraprakisht një dhomë në shtëpitë prej druri, apo në hotelin që ndodhet aty afër, mund të merrni me vete një çadër kampingu, një veprim që ndiqet shumë sidomos nga turistët e huaj./ IS

M.H/ Dita

Share This Article
1 Comment
  • Faleminderit M.H per kete shkrim sjell,qe mua gjysh 83 vjecar rreugeve te emigracionit(Toronto-kanada) me rinove
    Nje vit me pare plot 81 vjetori e lindies festoja.bera te mundur te vizitoja ate perle te natyre shqiptare.qe si shkruani ju e RALLE. Sa te tjera ka rreth atyre zonave te rralla me Radomin e Golikun e”Dangellise Naimjane” ” me luginenen e Osumit me “Ashikien” Kryevepre te natyres shqiptare….Faleminderi i nderuar mik qe na hap horisonte sa me pene dhe Kameren tuaj…
    Nga Toronto i permalluar;
    83 vjecari pesionist;
    Guri Naimit D,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *