Forcat Speciale të Policisë së Shtetit kanë vijuar aksionin blitz këtë radhë në Sarandë dhe Delvinë.
Ky aksion konsiston në kontrollin, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, pjesëtarë të grupeve kriminale.
Në përfundim të tij është arrestuar një 48-vjeçar në Sarandë, në kërkim ndërkombëtar për vjedhje të shumave të mëdha dhe trafikimit të kokainë.
Shtetasi Alek Çoba ishte në kërkim ndërkombëtar, si autor i vjedhjes së 400 mijë eurove në Greqi.
Ndërsa një tjetër shtetas u prangos nga aksioni i policisë , pasi qarkullonte pa leje drejtimi dhe u kap me 37.1 gramë kokainë. I arrestuari është Dritan Hyseni, 19 vjeç.
Policia lokale e mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ushtruan kontrolle në rrugë, lokale, e ambiente të tjera, ku 9 persona u shoqëruan për verifikim në komisariat.
Në të njëjtën kohë, forcat speciale kishin zbarkuar edhe në Lushnjë, ku pronari i një pike bastesh u arrestua pasi policia gjeti aty 12 doza kokainë. Në pranga u vu Redjon Caushi 24 vjeç
Gjatë operacionit u kontrolluan lokale nate dhe makina në rrugë.
12 persona u shoqëruan për verifikime të mëtejshme në komisariatin e Policisë!
Aksione të ngjashme blitz janë ndërmarrë nga forcat speciale të Policisë së Shtetit në disa qytete të vendit, me qëllim goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe vënien pranga të personave në kërkim apo që lëvizin me armë.
Policia e Shtetit thotë se aksionet e forcave të ndërhyrjes së shpejtë janë në vijim të një plani masash për “Kontrollin e territorit”.
l.h/ dita
