Berisha rrëfen një tjetër histori për punën e emrit të Partisë Demokratike. Në një intervistë me gazetarin e preferuar për “rrëfime”, B.Fevziu në TV Klan, ai thotë që PD-në e ka themeluar që në datën 11 dhjetor në një dhomë të qytetit studenti. Kurse për thirrjet pro Ramiz Alisë thotë që “ishin një strategji për të shmangur dhunën”. Gënjeshtër naive po të mendosh që i njëjti rezultat do ishte edhe sikur mos t’i thoshte ato fjalë. Dhe për më tepër, këto ditë ka dhënë po vetë, një tjetër variant të themelimit të PD-së. Cilin Berishë të besojmë?
B.Fevziu: Zoti Berisha, rreth orës 9 të mbrëmjes më 11 dhjetor, ajo që quhej përfaqësia e studentëve, u kthye nga takimi me Ramiz Alinë, ku mori sigurinë për pluralizëm politik, u deklarua që do të krijohej një shoqatë e studentëve. Menjëherë sapo u kthyen Arben Imami, foli dhe tha se do të krijohet një parti e dytë dhe më pas folët ju. Për se folët, ju nuk ishit në takim?
S.Berisha: Interesi im ishte pluralizmi politik. Mora fjalën dhe theksoj se partitë nuk i ndajnë por i bashkojnë kombet rreth vlerave. Aty unë me Arben Imamin, Gramoz Pashkon, Preç Zogaj, Azem Hajdari, etj., ne shkuam në një dhomë këtu në Qytet Studenti dhe u ulëm dhe nisëm diskutimin për themelimin e Partisë Demokratike dhe aty e themeluam Partinë Demokratike. Këtë e bëmë, pikërisht për të mos humbur asnjë minutë kohë. Sepse të nesërmen e të pasnesërmen, regjimi do të bënte gjithçka për ta frenuar një gjë të tillë.
Për se e quajtët Partia Demokratike?
U diskutua gjatë aty, për ta quajtur lidhje, apo parti dhe u vendos ta quanim Parti Demokratike, që u vendos me unanimitet.
Po në atë kohë keni deklaruar se do të ktheheni në spital dhe nuk do të merreni me politikë?
Jo tamam kështu. Kam thënë që nuk ju ndahem studentëve, por a do kem rol drejtues apo jo, kjo është tjetër gjë. Ato ditë ishin ditë shpërthimi të një entuziazmi të paparë, por edhe dhune e terrori të paparë. Ramiz Alia, mbajti një fjalë në Komitetin e Partisë, ku na quajti ne armiq të vërtetë të vendit dhe të socializmit.
Ndërkohë që në një farë mënyre, ju vazhdonit t’i bënit elozhe Ramiz Alisë…
Ishte një strategji që kërkonte çështje kohe ku forcat demokratike duhet me çdo kusht të shmangnin përballjen me dhunë…
