Apokalipsi në Indonezi, gjenden mbi 1.200 trupa të pajetë pas tsunamit

Leda Hysa

Niveli i shkatërrimit në qytetin indonezian të Palu-së pas tërmetit dhe tsunamit të fuqishëm që e goditën të premten, po shfaqet gjithmonë e më qartë me kalimin e orëve.

Deri tani janë gjetur 1.203 trupa të pajetë .Autoritetet kanë nisur t’i vendosin viktimat në varre masive nga frika e përhapjes së sëmundjeve. Me dhjetëra vetë mendohet të jenë ende të gjallë nën gërmadha.

Në Palu, punonjësit e ndërhyrjes se shpejtë po presin mbërritjen e makinerive të rënda për të kërkuar në rrënojat e një hoteli dhe një qendre tregtare.

Pas-lëkundjet e tokës që nuk kanë reshtur në zonë, e kanë vështirësuar së tepërmi punën e tyre duke ua shtuar edhe rrezikun. Linjat e komunikimit janë dëmtuar dhe prania aq e nevojshme e këtyre makinerive është e ulet, nuk kemi mjaftueshëm pajisje për numrin e madh të ndërtesave të shembura, tha zëdhënësi i agjencisë kombëtare të katastrofave natyrore.

Një paralajmërim për tsunami u lëshua të premten pasi tërmetit me magnitude 7,5 sipas shkallës rihter. Lëkundjet e dhunshme të tokës u pasuan nga dallgë 6 metra të lartë që u përplasen me forcë në breg duke shkatërruar çdo gjë që u dilte përpara. Presidenti indonezian Joko Widodo e vizitoi personalisht rajonin e prekur me kërkesën që përpjekjet për gjetjen e të mbijetuarve të vazhdojnë pa reshtur ditë dhe natë.

Ndërkohë, rreth 1.200 indonezianë janë arratisur nga qelitë e burgut nga tri struktura ku qëndronin për të vuajtur dënimin në Sulawesi.

Një funksionar i ministrisë së Drejtësisë, ka thënë se “janë arratisur, sepse kishin frikë se do të goditeshin nga tërmeti, kjo është sigurisht një çështje jetë ose vdekjeje për të burgosurit”.

l.h/ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *