Diktatura dhe Demokracia (II)

Leda Hysa

 

Prof. Xhelal Gjeçovi

(Vijon nga numri i kaluar, mund ta lexoni KËTU)

E, ku është këtu gjenocidi që, për turpin e tuaj, latë nam, duke e përdorur, në mënyrë spekulative, për vite të tera, pa ia ditur kuptimin? Të paktën të kishit parë Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, të miratuar në demokraci, që ta mësonit këtë gjë elementare e të mos bëheshit gazi i botës.

Ndonjëri mund të thotë, po dënimet e persekutimet e njerëzve, ku i çon? Asgjëkund nuk i çoj; i dënoj sikurse dhe ju. Por, aq sa kane qenë, jo të shumëfishuara e të manipuluara, siç i paraqisni ju, dhe as en bloc, se njerëzit, pra dhe të dënuarit kanë individualitet e tyre, që shfaqen dhe në raste të tilla, në veprat e kryera, për të mirë apo për të keq. Megjithatë, nuk besoj se shoqëria është e interesuar që të hapen defterët e vjetër e të bëhen llogari të tilla, sepse nga ato, të mos mendojë kush se mund të dale i larë e i kënaqur.

Shoqëria shqiptare sot ka nevoje që ato të hidhen prapa krahëve; ka nevojë për qëndrime që ndihmojnë e kontribuojnë në afrimin e pajtimin e njerëzve, për kapërcimin e “mureve ndarës”, për të ndërtuar ura komunikimi, që të shohim njëri- tjetrin në sy, siç ka bërë me kohë Europa, ku duam të shkojmë. Ky është sot imperativ i kohës që jetojmë.

Në Europe nuk shkohet me kampe e monumente gjasme kujtese, që ngazëllejnë ata, që në vend t`i futen punës, si shumica e moshatarëve të tyre për t’u rritur intelektualisht, u qepen arkivave me një qëllim të vetëm, që të zbulojnë krimet e diktaturës, se ato ju kërkon politika, ato ju duhen për të kapur shoqata, ku ka para e bëhet politikë.

Me marifete të tilla, mund të mbushësh xhepat, në shoqërinë  tonë ende rrumpallë, por dinjiteti dhe e ardhmja, nuk ndërtohen me trillime e spekulime, me të cilat është mbushur tregu i gënjeshtrave. Jam shpresëplotë, se një ditë shteti do t’i rikthehet kësaj veprimtarie, për të parë  ç’është bërë me dokumentet arkivore, si janë përdorur ato, për studime shkencore apo për të bërë politikë, për të përgatitur botime tendencioze, me përzgjedhje, seleksionim e ndoshta dhe asgjësim, pa menduar për dëmin që i sjellin ato historisë.

Çërcilli, një figurë e njohur dhe e madhe e politikës botërore, menjëherë pas lufte, theksonte: “Në luftën e Dytë Botërore janë kryer krime e masakra, që nuk janë parë që nga koha e pushtimeve mongole, në shekullin e 13. Fajtorët duhet të ndëshkohen. Por, pasi të jetë kryer kjo siç duhet, duhet t`i jepet fund ndëshkimit. Ne të gjithë duhet t’u kthejmë shpinën tmerreve të së kaluarës dhe duhet të shohim nga e ardhmja. Nëse Europa do që të shpëtojë nga mjerimi i pa fund, duhet të vijë tek ky akt besimi, tek ky akt harrese ndaj të gjitha krimeve dhe marrëzive të së kaluarës”.

Ringritja e kampeve, e burgjeve dhe propaganda plot helm që e shoqëron, a janë akte besimi në mes njerëzve, akte harrese ndaj krimeve e marrëzive të së kaluarës, siç këshillonte Çerçielli, apo një shfrim i papërmbajtur i mllefeve e i ndjenjës së hakmarrjes së kokave të nxehta, që kanë nevojë të freskohen e të qetësohen?

Europa ka kohë që është larguar nga qasje të tilla të rëndomta. Pas lufte e në vazhdim, ajo ka ecur në mënyrë të vendosur në drejtim tjetër, të kundërt. Para pak ditësh në Gjermani u dha njoftimi se ishte arrestuar nazisti i fundit që kishte shërbyer në kampet vdekjes, ku vdiqën të masakruar miliona hebrenj. Mu kujtua në këtë rast qëndrimi i shqiptarëve, familjeve të thjeshta e të varfra shqiptare, që pa marrë parasysh rreziqet, i mbrojtën, i strehuan e i ushqyen, duke ndarë bukën e kalamajve me ta, një shembull i rrallë humanizmi në ato kohë të vështira, kur për gjëra më të vogla të shkonte koka, jeta, familja, pasuria,gjithçka kishe të shtrenjtë.

Ky është një moment që na nderon si komb. Bota demokratike e ka çmuar këtë akt, ndërkohë që hebrejtë vazhdojnë të shprehin mirënjohje. Kurse këtu, përtej këtij realiteti, pasardhësit e kolaboracionisteve bëjnë të kundërtën, duke u përpjekur të mohojnë e të errësojnë çdo gjë, që na nderon si popull e si komb, duke krahasuar të pakrahasueshmet, kampet e diktaturës me kampet naziste të shfarosjes e duke etiketuar atë që diktatura ngriti në Tepelenë, si “Aushvici Shqiptar”, duke menduar se në këtë mënyrë, në këtë rruge do të arrish të bësh pis një zonë me tradita të shkëlqyera patriotike, njëra ndër qendrat më të ndezura të Rezistencës Antifashiste në vend.

Unë ende nuk arri të kuptoj, çfarë fshihet realisht prapa restaurimit të burgjeve e kampeve të diktaturës. Mos po kërkohet e po synohet që përmes tyre të ringjallen nostalgjitë e dashuritë e vjetra për nazistët e për kohet e invazioneve nazifashise, të cilëve u qenë bashkuar dhe kolaboracionistët shqiptarë?

Edhe krerët nazistë po të ishin gjallë do të çuditeshin me krahasimet e me qëndrimet e demokratëve shqiptarë, pasi ata i konsideronin kampet e vdekjes një gjetje fantastike, por origjinale, që meritat u takonin vetëm atyre dhe askujt tjetër; Siç u çuditën dhe parlamentarët frëng kur u njohën me thirrjen që Ali Këlcyra, Mustafa Kruja etj.,i drejtuan Musolinit nga Grenobeli, në Francë ku qenë vendosur, duke i kërkuar që të ndërmarrë inkursionin ushtarak ndaj Shqipërisë, vendit të tyre, një gjë e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë, që ai të çlirohej gjasme nga një sundimtar injorant e satrap, siç ishte ish mbreti Zog.

Dhe, kur kjo kërkesë u plotësua, i dërguan telegram përshëndetje ku mburrnin veprën grandioze të ushtrisë së tij famëmadhe, likuidimin e pavarësisë e të sovranitetit të vendit të tyre. Deputeti i së majtës frënge Henri Valloni, i shastisur nga ky qëndrim, do të deklaronte se të djathtët, në çdo vend po përpiqen me çdo mjet e rruge, që të zgjerojnë kufijtë e shteteve të tyre, të djathtët në Shqipëri bëjnë të kundërtën, duke i kërkuar Musolinit që të pushtojë vendin e tyre dhe ta përfshijnë atë në kufijtë e shtetit fashist italian.

Kjo është fytyra e kolaboracionistëve shqiptarë, që sot po u ngrihen monumente, po shpallen qytetarë nderi e po dekorohen nga presidentet e radhës.

Unë nuk jam marrë posaçërisht me kampet e burgjet e diktaturës, një temë që po diskutohet me pasion, mbarë e mbrapsht. Por, jam i vetëdijshëm për vuajtjet e atyre, që ju kufizua për vite të tëra liria, aq më shumë kur dihet që shumica e tyre paguanin një haraç që s`u takonte, për shkakun apo fajet e të tjerëve, të afërmeve, prindërve apo kushërinjve. Por edhe në këtë rast, në trajtimin e kësaj teme, mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm e të ndershëm, që gjërat të mos i fryjmë e të mos i politizojmë, të mos i përdorim për të bërë politikë, për të mbrojtur kauza të dështuara e të marra fund. Kjo temë ka një sërë problemesh komplekse, por njëri prej tyre, dhuna, përdorimi i saj më qëllim që të sjellë apo të çojë në vdekjen apo gjymtimin e të dënuarve, do veçuar e trajtuar me seriozitetin e duhur, sigurisht për kampet, që ndryshe nga burgjet, kam përshtypjen se ishin ambiente më të hapura e më të lira.

Një sugjerim i tillë, më duket se vjen dhe nga të dhënat kontradiktore të dëshmive të jo pak vuajtësve në kampe, ku disa pohojnë se dhuna ka qenë e pranishme në të gjitha kampet, kurse të tjerë, biles të dënuar në kampin e Tepelenës, të cilësuar si më i vështiri, thonë të kundërtën, se në kamp nuk ka patur dhunë, e se ndaj nesh ajo nuk është përdorë. Unë jam i prirur t’u besoj këtyre të fundit, që provuan mbi kurrizin e tyre vuajtjet në kampin, siç u thuhet më të vështirë, e jo demagogëve të mësuar e te specializuar, për fabrikim e përhapje gënjeshtrash. E besoj dhe për një arsye tjetër, se me përdorimin e dhunës, shteti nuk fitonte gjë, as brenda e as jashtë, veçse bëhej objekt diskutimi e ndoshta dhe penalizimi nga institucionet prestigjioze ndërkombëtare që vëzhgonin këtë fenomen.

Duhet kuptuar se burgje e kampe ka patur në çdo vend; ato janë elementë të domosdoshëm të çdo shteti për të kryer detyrat në fushën e sigurisë kombëtare. Por, kampet naziste nuk mund të krahasohen me asnjë kamp, në asnjë vend, pasi në to dhuna ishte ngritur në sistem dhe konsiderohej si mjet për arritjen e qëllimit dhe qëllimi ishte që asnjë prej tyre të mos dilte i gjallë.

Diktatura këtu kishte të tjera motive e synime. Dihet tashme, se ajo dyshonte për çdo gjë e për gjithkënd, një marrëzi e kohës kjo. Për rrjedhoje, përpiqej që këtë kategori ta mbante të grumbulluar, në izolim e në vëzhgim, duke menduar se kështu parandalohej çdo mundësi, për t`u lidhur me të afërmit në arrati apo dhe me njerëz të tjerë që shteti i konsideronte kontigjente të prirur ose të përfshirë në veprimtari kundër tij.

Rikthimi i vëmendjes në këto institucione, trajtimi i të dënuarve en bloc, të tërë njësoj, si në vathë, sikur të mos ishin njerëz, bëhet për dy qëllime; së pari, që të rritet artificialisht numri i të dënuarve dhe së dyti, që të mbulohet duke i bashkuar me “tufën” kolaboracionistët, diversantët, terroristët, të dënuarit për krime që dënohen kudo e në çdo kohë.

Duhet mbajtur parasysh se kolaboracionistët u dënuan me të drejtë në të gjitha vendet demokratike, në lindje e perëndim. E Shqipëria, sigurisht nuk mund të bënte përjashtim. Nuk mund të bënte këtë dhe për një arsye tjetër. Vendi i sapo dalë nga një lufte shkatërrimtare, rënkonte e vuante tek shihte gjithçka të rrënuar, të rrafshuar, të djegur e të shkatërruar; shihte nënat shamizeza që prisnin djemtë e vajzat, por ata s`po vinin, s`po u ktheheshin. Dhe nuk ishin pak, 28 mijë të rinj e të reja, jeta e të cilëve u këput në lulen e rinisë nga plumbat e nazistëve, por dhe të bashkëpunëtorëve të tyre; shihte më në fund,veteranët e sotëm që u kullonin ende plagët e marra në luftë, pasi kishte qenë e pamundur të mjekoheshin e të mbylleshin pa mbaruar ajo, pa u çliruar vendi. Ishte kjo një pamje e llahtarshme që përcillej me thirrjen që ushtonte ane e mbanë vendit “Hakmarrje, hakmarrje”. Në ato kushte, një rrethanë e tillë sigurisht ka ndikuar e nuk mund të mos ndikonte në qëndrimin ndaj tyre. Dënimi i tyre ishte i drejtë, i merituar; tjetër gjë është masa e dënimit, që gjithnjë është e diskutueshme, e bashkë me të dhe mundësia e diferencimeve dhe në radhët e tyre. Por, duhej durim e kohë, e mbi të gjitha vullnet për ta bërë këtë, për të seleksionuar e peshuar gjërat, që të shfrytëzohej kjo mundësi, nga e cila do kurseheshin të paktën disa figura të njohura të kulturës kombëtare. E, me këtë shpëtonin jetët e tyre, fitonte dhe vendi, pasi një pjesë ishin kapacitete në fusha të caktuara, fitonte dhe vetë shteti, jo vetëm nga shfrytëzimi i tyre në dobi të vendit, por dhe për imazhin e besimin që duhet të krijonte, që të mos shihej që në nisje si diktaturë, kur në fakt nuk ishte i tillë, pasi do të duhej edhe një copë rrugë që të arrinte aty, që të merrte tiparet e diktaturës. Por, kjo nuk u bë, as këtu e as në vendet e tjera, pasi atmosfera e përgjithshme e rënduar tej mase, e bënte thuajse të pamundur.

Gjithsesi, sot pas tre dekadash nga përmbysja e sistemit, në gjykimin e institucioneve dhe fenomeneve të diktaturës, si dhe të njerëzve të përplasur me të, duhet të jemi të qetë, të ndershëm, që të shmangim sa të jetë e mundur politizimin e paragjykimin, që çojnë ne deformim të realiteteve. Opinioni është i interesuar që në çdo rast të pasqyrohet e vërteta, realiteti siç ka qenë, pasi vetëm kjo të jep mundësi që të nxirren mësimet e duhura, për të mos u pajtuar me asnjë lloj diktature, qoftë e majtë apo e djathtë; zogiste, komuniste apo balliste, por dhe për të mos i fryrë e shpërfytyruar ato më shumë se ç`kanë qenë, e akoma më keq, për të mos i shfrytëzuar e përdorur për të ndezë sherre, që u fryjnë ndarjeve e përçarjeve, nga të cilat ka vuajtur jo pak vendi.

Meqë po bisedojmë për dekomunistizimin, se fundi marrim vesh se opozita, edhe ashtu siç është në hallet e veta, e hallakatur, pa ide e pa kokë, këto dite njoftoj se paskësh përgatitë një projekt ligj që synon vendosjen e censurës mbi krijimtarinë letrare e artistike në diktaturë. Kështu, në bazë të ligjit, nëse ai miratohet, do të duhet të kalojë në gjykimin e politikës, të politikanëve zhurmëmëdhenj e sherrxhinj, si Alibeaj, Noka, Selianji, etj., krijimtaria e kolosëve të letërsisë dhe arteve shqiptare, me të cilët krenohet vendi, si I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, N.Jorgaqi, M. Dhrami etj.

Ky të jetë vallë vizioni i opozitës, për demokracinë e për zhvillimin e letërsisë dhe arteve në demokraci? Problemet që u trajtuan në pjesën e parë mjaftojnë për të nxjerrë konkluzionin mbi nevojën që ka shoqëria për një njohje e reflektim të sinqertë ndaj historisë, që gjeneratat e reja të mos vazhdojnë të ushqehen me gënjeshtra e iluzione. Më së pari, duhet kuptuar se Lufta ka marrë fund, duke i dhënë secilës palë atë që meritonte. Përfundimet e saj askush nuk mund t`i prekë e t`i ndryshojë, pasi ato qëndrojnë në themelet e Europes së Re, Europës së Bashkuar, si garanci për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen demokratike të njerëzimit.

Nga ana tjetër është thënë e stërthënë, se Lufta dhe pas lufta janë etapa që vijnë, njëra pas tjetrës, por nuk janë e njëjta gjë, e se ato dallohen qartësisht për shkak të rrethanave e kushteve krejt të ndryshme e po kështu dhe problematikave, politikave e synimeve gjithashtu të ndryshme. Injorimi i tyre, vënia në një plan, shikimi e trajtimi en bloc, në mënyrë shabllone pa mbajtur parasysh veçoritë, dallimet e ndryshimet esenciale, siç ka vënë në dukje shkrimtari Ismail Kadare, përbëjnë një largim të qëllimshëm nga historizmi, për të kaluar në politikë, për t`i shërbyer asaj.

Tërë preokupimi e angazhimi i tyre është që të goditet e të zhvlerësohet lufta që të justifikohet rruga që ndoqën kolaboracionistët, e po ashtu dhe krimet e diversantëve pas saj, pasi gjasme ishin kundër diktaturës, biles kundër çdo diktature.

Po, ku ishin këta trima me fletë, pas rrëzimit të diktaturës komuniste, si nuk i dëgjuam që të kundërshtojnë arbitraritetin e aktivitetin, hapur në shkelje të ligjeve, të demokratëve pasi morën pushtetin që nisi të marrë shpejt tiparet e një diktature të re, meqenëse paskëshin qenë luftëtarë të paepur, kundër çdo diktature?

Sot, pas gati tre çerek shekulli nga mbarimi i luftës dhe gati tre dekadave të rrëzimit të diktaturës, duhet të jemi më të kthjellët për të bërë dallimin në mes asaj që nuk i shmangeshe dot, që ishte e drejtë, e domosdoshme, siç ishte dënimi i kolaboracionistëve e i diversantëve, i veprimtarisë së tyre kriminale, nga shtrirja e saj dhe tek pasardhësit e tyre, që padyshim do të kishte qenë mirë për ta e për vendin që të shmangej. Një politikë më e matur do të kursente vuajtjet e tyre, që po paguanin një haraç të rëndë, që s`u takonte, për fajin e paraardhësve të tyre, pavarësisht nëse kjo do t`i bënte me paqësore e më të arsyeshëm në gjykimin e të kaluarës. Kjo ishte e vështirë t`u kërkohej e të pritej.

Ndërrimi i sistemit, vendosja e rendit demokratik, hapi një faqe e një perspektive të re për zhvillimin demokratik të vendit. Ndryshimi nuk ishte i rastit dhe as një çështje personash. Atë nuk e sollën Azemi  me Saliun e mbështetësit e tyre, që nuk dinin çfarë kërkonin, e ku do të shkonin. Por atë nuk mund ta ndalnin as Shehu me Alinë. Kjo duhet kuptuar mirë e të mos kemi kurrfarë iluzioni. Ajo që ngjau ishte produkt i një reflektimi e akumulimi në vite, i një realiteti të agravuar e të përgatitur për ndryshim; një realiteti që bart në vetvete ligjësitë objektive të ndryshimit e të zhvillimit, e si i tillë kur piqen kushtet, kthehet në domosdoshmëri e bëhet i pashmangshëm.

Nuk ishte e rastit që forca kryesore që goditi sistemin ishin vetë komunistët, baza e tyre reformatore. Kurse udhëheqja e vendit, u hapi rrugë proceseve demokratike, përndryshe futej në një rruge të rrezikshme e pakrye. Në fund të fundit nuk ishte arsye ta bënte këtë, pasi mendohej se ato do të çonin në ndërrimin e sistemit, kalimin nga diktatura në demokraci, një aspiratë e kërkuar dhe e shtruar që në Konferencën e Pezës, 16 shtator ‘42. Aq më shumë kur kemi parasysh gjendjen e vendit, të mbetur si “dominoja e fundit” pas ndryshimit të sistemit në të gjithë Lindjen Komuniste. Në rrethanat e krijuara u bë e pamundur që të përballohej presionit i botës tashmë njëngjyrëshe, me kërkesën permanente, ndërrimin e sistemit një partiak, që t’i hapej rruga ndërtimit të rendit pluralist demokratik.

Natyrisht rendi i ri shoqëror nuk mund të ndërtohej mbi shinat dhe strukturat e vjetra të regjimit që lamë pas. Ai do të kërkonte ndryshime adekuate, qe demokracia të hidhte rrënjët në shtratin e vet dhe të rritet e shëndetshme. Mirëpo duhet thënë se shenjat, veprimet e qëndrimet nuk do të ishin premtuese. Në to dallohej lehtësisht, preokupimi më së pari për pushtetin e pasurinë, siç e kanë zakon shqiptarët e pastaj çfarë mbetej dhe për demokracinë. Nga kjo traditë nuk do të bënin përjashtim as demokratët.

Kësisoj vendi do të përballej me problematika që s`i kish njohur në të kaluarën, siç janë manipulimi skandaloz i zgjedhjeve të ‘96-tës, që ia kalonte dhe atyre të Zogut, i dënuar rreptësisht nga institucionet ndërkombëtare, dhuna e hapur dhe e pandërprerë ndaj opozitës socialiste, krijimi firmave mashtruese piramidale që do t`u grabisnin kursimet e do të shkatërronin jetën e qytetarëve shqiptarë, e krahas tyre dhe fushata e sulmeve ndaj historisë, ndaj të kaluarës, e shoqëruar dhe me rehabilitime e dekorime kolaboracionistësh, bashkëpunëtorëve të fashizmit etj., për të arritur në vitin e mbrapshtë ‘97, me rrënimin total të shtetit dhe zhytjen e vendit në kaos, në pragun e një lufte civile.

Në rrethana të tilla, demokratët që u kishin rënë puplat pas këtij dështimi spektakolar, iu vunë punës për kërkuar e gjetur një zgjidhje që të justifikojë pasojat e keq qeverisjes, duke ja faturuar të tjerëve përgjegjësitë për dramat që përjetoi vendi. Po kujt, do të thoni ju? Kujt tjetër veç komunizmit e komunistëve, pavarësisht se kishin vite që qenë larguar nga pushteti e jo pak prej tyre dhe nga jeta.

Për këto qëllime të mbrapshta u sajua rreziku komunist dhe nevoja e dekomunistizmit të shoqërisë, që të shpëtohej demokracia, që gjasme kërcënohej prej tyre. Kështu i ashtuquajturi  dekomunistizim, do të konceptohej e përdorej si kamxhik, për të goditur kundërshtarët politikë, për të trembur e zbrapsur forcat e demokratike, që kërkonin largimin e tyre nga pushteti dhe një fillim të ri të punës për ndërtimin e një demokracie të vërtetë që nuk synon përjashtimin e askujt, por angazhimin së bashku në ndërtimin e saj.

Historia thuhet se përsëritet e kjo u provua dhe në këtë rast. Siç kishte ndodhur në vitet e luftës me ballistët e legalistët, që, për të justifikuar turpin që bënë duke u lidhur e bashkëpunuar me nazistët për të luftuar e asgjësuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare, shpikën të ashtuquajturën luftë civile, e cila gjoja, u mbylli çdo rrugë e mundësi për të mbijetuar e për t`i shpëtuar terrorit komunist. Në rrethana të tilla, ballistëve, sipas shpjegimit të Ermenjit e Qukut, nuk u mbeti tjetër rrugë, veç shkuarjes, me këmbët e tyre në strehën e ofruar nga gjermanët.

Të njëjtin gjë do të bënin dhe demokratët. Për të mbuluar turpet e mëkatet në demokraci, shpikën të ashtuquajturin rrezik komunist dhe ndërmorën dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, duke larë duart si Pilati, nga dështimet, nga fajet e përgjegjësitë. Kështu komunizmi dhe e kaluara komuniste, si lufta civile në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të përdoren si “kokë turku”, për të justifikuar e mbuluar mëkatet, për të kaluar lumin, për t’i shpëtuar përgjegjësive, për t’ja hedhur ato të tjerëve.

Ky është pra vendi ynë, vendi i çudirave. Dhe loja nuk mbaron këtu. Ndoqa para ca kohe në televizion, një debat mbi dekomunistizimin. Të ftuarit, njerëz të ditur, analistë e historianë të njohur, njëzëri theksuan se shkaku i ndodhive dhe ekseseve që dëmtojnë ende imazhin e demokracisë, duhet kërkuar në faktin që nuk u çua deri në fund dekomunistizimi dhe përgjegjësi për këtë, sipas tyre, e kishin dy partitë e mëdha që kanë qeverisur vendin pas rrëzimit të komunizmit.

Të them të drejtën nuk po kuptoja çfarë po kërkohej, për çfarë ishte fjala. Çfarë kish mbetur vallë sipas këtyre burrave të mençur, pa u bërë në këtë vend të shkretë? A thua u harrua kaq shpejt ‘97-ta, pasojat e së cilës po i vuan dhe sot vendi? A thua vërtetë të ftuarit besojnë se komunizmi është sot rreziku që kërcënon demokracinë e brishtë shqiptare? Nuk e dinë e nuk e kuptojnë vallë këta se zhurma për të është një loje e një kurth për të goditur të kaluarën, si dhe kundërshtarët politikë?

Në rrethana të tilla, përse na u dashkan pas Bunkartit të ringrihen dhe kampet e diktaturës, një investim jo i vogël në fonde, në njerëz e mjete të tjera, jo i lehtë, sidomos për një vend të vogel e të varfër. Kujt i duhen këto pas tre dekadave nga rrëzimi i sistemit? Çfarë ere e çfarë fryme synojnë të mbjellin e të sjellin ato? Cilat janë ato forca që duan t`i lënë peshqesh PS problemet që krijojnë? Mjaftojnë problemet që mund të sjellin në çështjen e unitetit, aq të nevojshëm, për të përballuar sfidat e kohës, për t`i thirrë mendjes e për të mos vazhduar lojën që kërkon të imponojë opozita, e cila kur ishte vetë në qeverisje, nuk përfilli e nuk plotësoi asnjëherë kërkesa të tilla dhe mirë bëri, pasi në thelb ato nuk bëhen e nuk i shërbejnë ndonjë kauzë të dobishme, që ja vlen të sakrifikohet.

Vendi sot nuk është as i pushtuar dhe as në diktaturë. Armiqtë, ndaj të cilëve duhet drejtuar goditja, sot janë korrupsioni që e mbollën ata që shajnë të kaluarën; diferencimet e frikshme pasurore, që gjithashtu i krijuan po ata, që pasuruan veten e varfëruan njerëzit e thjeshtë, duke i detyruar të lënë vendin për të siguruar jetën e të ardhmen e fëmijëve. Ky është sot problemi që duhet të preokupojë vendin, e jo lojërat politike.

Vendi ka nevoje për atë që thoshte Çurçilli, për akte besimi, harrese, e faljeje, për të shikuar dhe ecur përpara, e jo për sherre e sherrxhinj, që me sloganin “kujtesë”, për të mos harruar gjasme të kaluarën, duan të mbajnë vendin të mbërthyer në sherre pafund, që të humbasë të tjera shanse në rrugën e pakthyeshme  drejt Bashkimit Europian. Ne kemi nevojë për një kulturë e kujtesë të përbashkët, siç e kanë vendet e qytetëruara, që çmon e respekton të kaluarën e të sotmen, përpjekjet  dhe kontributet e patriotëve dhe forcave patriotike në çdo kohë, pa dallim e paragjykim, pasi vetëm mbi këtë bazë, mbështetur dhe në to, vendi mund të ecë përpara, siç ka ecur Europa, drejt së cilës synojmë dhe ne.

Goditjet më të fundit të Policisë së Shtetit ndaj krimit të organizuar, janë sinjale të forta shprese se ky vend bëhet e do të bëhet, jo me llogje e me thashetheme, jo me kokën prapa, por me shikimin përpara, me punë të ndershme e me angazhim të sinqertë në betejën me krimin.

Historinë, ngjarjet e se kaluarës t’ua lëmë historianëve e studiuesve seriozë e të përgjegjshëm e jo politikës e politikanëve dhe as mediave të kazanit, që, në garë me njëra- tjetrën, për të siguruar shikueshmëri më të lartë, jo pak, por tre-katër herë në javë, me debate për problematika shumë herë jashtë kohe, pa ndonjë interes e dobi, bombardojnë  trurin e teleshikuesve me ide e zhurmë shurdhuese, duke shtuar konfuzionin dhe sherret mbi çështjet e historisë.

 

Share This Article
6 Comments
    • @Mark. Mesa po shoh nuk e ke idenë se kush është Xh. Gjeçovi. E ngatërron me siguri ne ndonjë prift katolik nga ata që Enveri u mori jetën. Sa për dijeni Enveri nuk i bëri asgjë atij dhe s’kishte sesi. Xhelal Gjeçovi ishte i ri komunist. Në vitet ’60 ishte sekretar i Rinisë së Universitetit të Tiranës, student i të cilit ishte dhe vetë, në degën e shkencave politike. Mbas mbarimit të fakultetit, ose më parë, u pranua në Parti dhe u emërua pedagog po aty dhe më pas në Shkollën e Partise, institutin e Historisë e kështu me rradhë, gjithmonë në këto fusha, ku e zuri 1990-ta. Pra siç e sheh ai ishte misionar i marksizëm-leninizmit dhe dishepull i Enverit. I tillë mbetet edhe sot dhe këtu nuk shoh ndonjë të keqe. Ai është nga skota militante e PPSh dhe Enverit dhe është në të drejtën e tij të jetë. E keqja e tij se çdo gjë e sheh nga ky prizëm, duke deformuar qëllimisht, realitete të tjera, jo se nuk i njeh ato, por sepse ndryshe, i duhet që të lëpijë ato që ka pështyrë për 40 vjet në auditoret ku u ka shpëlarë trurin rinisë studentore, duke i bërë hosana enverizmit dhe “socializmit të tij krijues”. Kështu që, aq sa drejtohet gunga e gungaçit, aq drejtohet dhe ky soj!

  • Nje analize e perkryer. Njerez me mendje te kthjllet e te ditur i duhet ketije vendi, qe po degradon cdo dite nga plehrat e politikaneve, qe per pushtet e para po i pijne gjakun popullit. Te pershehdes z.Gjecovi.

  • Gjecovi eshte nje akademik mendje hapur,gjithmone i qarte,asgje nuk ka perfituar nga diktatura,dhe as eshte pergojuar per pune te pista.Kush ka mend le ta kuptoje,kush ka mellefe le ta mallkoje,por e verteta eshte ashtu sic thote ai.

  • I PARI SHQIPTAR kto tridhjet vjet demokraci qe e thot gjen cop dhe kap thelbin e problemit sot qe i çjerr masken mashtrusve dhe batakçinjve qe duke ven berihain per komunizmin ndiellin gjullurdin rremujen per perfitime personale dhe per ta mbajtur kte vend rrumpallhane qe plerat dhe llumi i kti vendi qe jan ne politik sot ne gazetari dhe televizione te perfitojn dhe te pasurohen sa te munden nga mungesa shtetit , RRESPEKTE ZOTI GJEçOVI jeni i vetmi kto 30 vjet qe keni kapur thelbin e problemit ne kte vend se anal isyey jan vetem per lloqe por nuk e kan nivelin per te kapur problemin ku duhet ose e len me qellim ne renie te lir problemin se i intereson.

  • I PARI SHQIPTAR kto tridhjet vjet demokraci qe e thot gjen cop dhe kap thelbin e problemit sot , qe i çjerr masken mashtrusve dhe batakçinjve qe duke ven berihain per komunizmin ndiellin gjullurdin rremujen per perfitime personale dhe per ta mbajtur kte vend rrumpallhane , qe plerat dhe llumi i kti vendi qe jan ne politik sot ne gazetari dhe televizione te perfitojn dhe te pasurohen sa te munden nga mungesa shtetit , RRESPEKTE ZOTI GJEçOVI jeni i vetmi kto 30 vjet qe keni kapur thelbin e problemit ne kte vend se anal istet jan vetem per lloqe , e nuk e kan nivelin per te kapur problemin ku duhet , ose e len me qellim ne renie te lir problemin se i intereson.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *