I ashtuquajturi “Breivik rus”, i cili në nëntor të vitit të kaluar vrau 5 kolegë dhe plagosi rëndë të dashurën e tij, ka rrëfyer para gjyqit se e kreu masakrën nga dëshpërimi për refuzimin e saj dhe për të treguar se nuk ishte një dështak. Por, hetimet mbi çështjen ia venë theksin një manifesti të urrejtjes ndaj racës njerëzore që kishte postuar në rrjet pak orë para sulmit
Dmitri Vinogradov, një avokat moskovit 29-vjeçar, më 7 nëntor të 2012-s qëlloi për vdekje 5 persona në prani të ish të dashurës, Ania Kaznikova, e cila i kishte dhënë fund marrëdhënies së tyre prej 10 muajsh.
Disa orë para sulmit të tij të çmendur ai kishte postuar në rrjet një manifest të mbushur me urrejtje ku shkruante se dëshironte të shkatërronte sa më shumë jetë që të ishte e mundur.
Hyri në studion farmaceutike ku punonte si avokat me dy armë (një në secilën dorë) dhe hapi zjarr duke lënë tre burra e dy gra të vdekura, si dhe plagosi rëndë ish-partneren e tij 24-vjeçare dhe një burrë tjetër.
Autoritetet policiore gjatë hetimeve kërkuan për motivet që e shtynë Dimitrin drejt krimit dhe pista e parë ishte ajo për shkak të mosmarrëveshjeve me znj.Kaznikova, por pasi panë manifestin e tij të postuar në rrjet, e krahasuan menjëherë këtë rast me atë të Anders Breivik, i cili vrau 69 njerëz në një kamp, në Norvegji.
Në manifestin e tij që përfshinte imazhe raciste, Vinogradov deklaronte: “E urrej shoqërinë njerëzore dhe ndjehem i pështirosur që jam pjesë e saj! E urrej pakuptimësinë e jetës! Shoh vetëm një mënyrë për ta justifikuar atë: duke shkatërruar sa më shumë mbeturina njerëzore. Kjo është e vetmja e drejtë që secili nga ne e ka, është mënyra e vetme për ta bërë botën më të mirë”. Ai i përshkruan pikëpamjet e tij si “ultra-konservative”, ndërsa si shprehje të preferuar ka: “Shpresa është e keqja më e madhe sepse i zgjat vuajtjet njerëzore”, nga Friedrich Nietzsche.
Së fundi, në gjyq Vinogradov ka deklaruar se Kaznikova, e cila punonte në sektorin e financave, ishte këshilluar nga kolegët e saj (viktima) që t’i jepte fund lidhjes mes tyre: “Unë dhe ajo jemi shoqëruar për një kohë të gjatë, por në janar të 2012-s u ndamë. U përpoqa ta bëja sërish për vete, por dështova. Kështu bleva një pushkë me 200 fishekë dhe një uniformë ushtarake… Kolegët e mi ishin fajtorë për ndarjen tonë. Hyra brenda në zyrë ku punonte Ania dhe i përshëndeta: Çkemi kolegë… ajo pa se si fillova të qëlloja mbi të gjithë ata fillimisht dhe pastaj mbi të… Doja të shihnin se sa i fortë isha. Më pas mendova të vras edhe veten”.
Kaznikova u plagos rëndë me një plumb që i përshkoi mushkëritë dhe një tjetër fytyrën. U shoqërua në spital me helikopter.
Në gjyq, i riu tha gjithashtu se herën e parë që tentoi të kishte marrëdhënie me Anian, nuk ia doli dot. Kjo situatë ishte e përsëritur edhe në raportet që kishte pasur me vajza të tjera. Por me Anian ishte ndryshe, ishte i dashuruar. Dhe pas këtij dështimi, ai ra në gjendje të fortë depresive. Iu nënshtrua një kure, por një ditë para sulmit nuk i kishte pirë ilaçet e tij.
Mamaja e 29-vjeçarit, Elena Vinogradova, tregoi se ai planifikonte ta çonte Anian në një udhëtim romantik në Skoci. Kishte paguar për biletat me destiancion Edinburgun dhe kishte menduar për gjithçka tjetër. Ajo nuk pranoi.
I diplomuar në 2009-n, në Universitetin e Juridikut në Moskë, Dimitri punoi si avokat në zinxhirin e farmacive “Rigla”. Tani është në pritje të dënimit, i cili i ka të gjitha mundësitë që të jetë burgim i përjetshëm./D.Gjuzi


vrit veten me mire sesa te vrasesh njerez se nuk tu ngref, ptu rrace e poshter.