Të përballësh një sfidë

Ornela

Nga Petrit Ruka

Ndonjëherë ndodh që midis vërshimit të madh të librave poetikë, botuar këtyre viteve në shqip, ta humbasësh fillin prej “mërisë” me poezinë e t’i thuash vetes, vafshin në djall tërë këto dengje librash, nuk po lexoj më, se jam deri në fyt! Dhe kështu “bashkë me të thatin digjet dhe i njomi”, duke humbur rastin e bukur, të mbetesh pa lexuar ata pak libra të mirë, ku lumturisht hyn edhe libri “Ma gjeni një diell” i poetes Edlira Llukaçaj.

Nuk ndodh shpesh me librat poetikë të ta bëjnë një natë të bukur, siç qëlloi të jetë kjo e imja duke lexuar poezinë e Edlirës. Të ndihesh i ngopur me sinqeritetin e një zemre gruaje, e cila ka bërë një pakt të sinqertë me veten, të rrëfejë poetikisht ndjesitë e veta vetanake, t’i sjellë ato thjesht dhe me një sinqeritet që të prek e të bind se gjithmonë kënga kërkon të jesh besnik i përjetimeve të tua, i jetës tënde. Të jesh një shpirt unik, i papërsëritshëm për t’u dhënë fjalëve zjarrin tënd, besueshmërinë, freskinë dhe origjinalitetin.

Poezia e Edlirës të befason me thjeshtësinë e saj, gjuhën e rrjedhshme, larminë e pafundme të ndjenjave femërore, elegancën dhe fnesën me të cilën e përdor fjalën, këtë pasuri të çmuar, të cilës jo gjithmonë ia dimë masën dhe vezullimin farfuritës të nuancave të pafundme.

Një poezi që vjen plot dritë, dhembshuri, gëzim, dëshpërim, dhembje dhe krenari të pabujë për njerëzit dhe vendin e saj. Por mbi të gjitha, gjithandej gjen gruan; këtë univers të pafund ndjenjash të përziera si një qiell yllësish pa fund. Duke shkruar në një gegërishte të ëmbël, të qartë, melodioze, Edlira përballon kështu një “sfdë” tjetër me gjuhën shqipe për lexuesin, duke të bindur se poezia ka vetëm një burim; zemrën dhe një talent të lindur për të kënduar.

E kanga nuk njeh kurrfarë kornizash, mjafton të të mbushë me gëzimin që mbart në vetvete si një misionare shpëtimtare për të çliruar shpirtin nga tërë ajo pafundësi ndjesish që rrotullohen brenda qenies tënde.

E mbyll një libër si ky i Edlira Llukaçaj dhe ndjehesh në paqe me veten, duke ripohuar për të kushedi të sajtën herë bindjen se poezia e bukur nuk do të të zhgënjejë kurrë dhe se ajo do të të gjejë edhe në ditët më të trishtuara të “inflacionit” të saj, duke të thënë: Ja ku jam! Veç “ma gjeni një diell” midis jush!…

 

 

Share This Article
1 Comment
  • Tre momente qe me kenaqen sa lexove i deruar Petrit Ruka,pergjeruar per figuren tuaj, njohur ne rinine tuaj
    Hyria e keti shkrimi koment,Titulli zgjedhu:Ja ku jam vec:”ma gjeni ne diell”-mes jush.Per mua gjysh, jeni JU-dielli im vite ndare..Petrit Ruka..
    Autoren Edlra i uroj suksese me sfidat e saj.

    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *