Vickers për Berishën: Çdo qen ka ditën e tij

editor

Historiania e njohur angleze dhe njëherësh eksperte e çështjeve shqiptare dhe ballkanike, Miranda Vickers, e cila ka ndjekur me vëmendje prej më shumë se 20 vjetësh zhvillimet shqiptare në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’,  komenton votën plebishitare kundër regjimit të Berishës. Çfarë përfaqësoi Berisha për më shumë se dy dekada në politikën shqiptare, mënyra diktatoriale e sundimit të tij, katër arsyet e disfatës që pësoi në këto zgjedhje dhe pasojat që la për vendin dhe partinë që kryesoi. Pse ajo përmend shprehjen angleze se “çdo qen ka ditën e tij…” dhe pse Berisha duhet të tërhiqet nga politika. Si do të jetë e ardhmja e PD-së pa Berishën, këshillat për udhëheqësin e ri të PD-së dhe sfidat për qeverinë e kryesuar nga Edi Rama. Të gjitha këto në intervistën në vijim.

 

– Zonja Miranda, së të rëndësishëm e konsideroni rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri, ku aleanca e majtë fitoi një shumicë dërrmuese ndaj Berishës në pushtet? Çfarë mesazhi dha 23 qeshori, sipas jush?

– Rezultati i zgjedhjeve është një thirrje e fuqishme nga ana e popullit shqiptar për një ndryshim të drejtimit të vendit të tyre, i cili për një kohë shumë të gjatë është mbajtur peng nga një grup i vogël politikanësh që kujdeseshin vetëm për interesat e tyre dhe një udhëheqës autoritarist. Tashmë shqiptarët kanë mundësinë për të mësuar se politika është e lidhur pazgjidhshmërisht me angazhimin me shoqërinë – kjo nuk është një fjalë që nuk ka të bëjë me konfliktin, sherrin dhe korrupsionin. Fakti që këto zgjedhje kaluan pa protesta të zakonshme nëpër rrugë dhe pa konfrontim të përgjithshëm, do të thotë gjithashtu se këto zgjedhje kanë ndihmuar të bindin udhëheqësit europianë në Bruksel se Shqipëria është gati për fazën e ardhshme drejt bashkimit me BE.

Largimi i zotit Berisha ofron një shans për shqiptarët, të ecin përpara – një mundësi për t’i thënë lamtumirë së shkuarës. Z. Berisha ka përfaqësuar për shqiptarët gjithçka që ata janë përpjekur ta harrojnë, më së shumti stilin komunist të modës së vjetër, një sundim konspirativ, si dhe ngjarjet e tmerrshme të viteve 1997-1998. Nën sundimin e Berishës, Shqipëria ishte si një anije e ngecur në port me një spirancë të rëndë, të ndryshkur. Tani Shqipëria mund të niset në një lundrim në ujëra të freskëta, pa qenë e lidhur me të.

– Cili është mendimi juaj në lidhje me këto zgjedhje dhe sjelljen e popullit shqiptar?

Aspekti më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve të fundit është se ato kaluan butësisht, pa probleme dhe në mënyrë të rregullt. Ato ishin një tregues i rritjes së pjekurisë së popullit shqiptar dhe të reformave në sistemin zgjedhor. Shqiptarët me të vërtetë kanë treguar se ata tani kanë mundësi plotësisht të përqafojnë demokracinë duke pranuar rezultatet.

– Kryeministri Berisha dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij në Partinë Demokratike, por a mendoni që zoti Berisha është larguar përgjithmonë nga politika?

– Po, unë mendoj se Berisha do të ketë një zmbrapsje nga politika, nga tani e tutje për interes të Shqipërisë. Unë shpresoj se jam e saktë kur e them këtë. Kur mendoj z.Berisha, unë kujtoj një shprehje që e themi ne në Angli: “Çdo qen ka ditën e tij…”, dhe ai me siguri i ka gëzuar ditët e tij! Berisha është një njeri i lodhur, i rraskapitur, ai është i vjetër dhe jo i mirë, kështu që ai mund edhe të largohet dhe të gëzojë të gjitha paratë e familjes së tij, ndërkohë që ai ende mundet. Ai ka fituar vendin e tij në histori nga jetëgjatësia e tij politike, por unë mendoj se historia nuk do ta gjykojë atë për mirë.

Cila është trashëgimia e Berishës sipas jush, meqë përmendëm historinë?

Trashëgimia e tij është një luftë me synimin e vetëm që vazhdimisht të mbetej në pushtet, duke u ngritur mbi interesat e rindërtimit të një Shqipërie harmonike dhe të begatë post-komuniste. Berisha trashëgoi një shoqëri të ndarë në vitin 1992 dhe njëzet e një vjet më vonë ai la një vend po aq thellësisht dhe dhimbshëm të ndarë.

– Çfarë do të konsideronit si shkaqet kryesore të humbjes së tij në këto zgjedhje?

– Shkaqet e humbjes së zotit Berisha janë të shumta. Së pari, ai është një relike e së shkuarës dhe shqiptarët treguan se nuk duan të jenë vazhdimisht nën kujtimin e së shkuarës, ata duan të shikojnë nga e ardhmja. Së dyti, shqiptarët janë të lodhur nga stili gjithnjë e më autoritarist i udhëheqjes së Berishës. Së treti, njerëzit votuan për një fund të skandaleve të korrupsionit dhe stanjacionit ekonomik. Së fundi, shqiptarët donin ndryshimin dhe ata e dinin se kjo nuk do të ndodhte kurrë me Berishën.

– Si e shihni ju të ardhmen e Partisë Demokratike pa zotin Berisha?

– Dorëheqja e zotit Berisha si lider hap një kapitull të ri për Partinë Demokratike (PD). Megjithatë, unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë për PD-në për të gjetur një udhëheqës të ri, që nuk ka prishur të kaluarën ose që nuk ka lidhje me krimin e organizuar. Berisha e ka kontrolluar PD-në për 22 vjet me radhë dhe kjo e ka tharë Partinë nga politikanët e denjë dhe të rinj që aspirojnë, të cilët mund të shihen se një qendër e djathtë për Shqipërinë dhe që mund të punojnë së bashku me ata në të majtë. Çdo udhëheqës i ri i PD-së do të duhet të distancojë veten e tij ose nga kushdo që dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar, si dhe të jetë në gjendje për ta orientojë Partinë drejt nocioneve të tilla si ‘kompromis’ dhe ‘llogaridhënie’, të cilat munguan tmerrësisht nën Berishën.

– Si e shikoni perspektivën e një qeverie të re të majtë të kryesuar nga Edi Rama?

Rama nuk do të ketë një detyrë e lehtë, veçanërisht pasi Partia Socialiste nuk e ka rritur përqindjen e tyre të votës. Rama ka të ngjarë të gëzojë një periudhë muaji mjalti për pjesën e mbetur të këtij viti. Gjithkush tani do të shkojë për pushime në plazhe gjatë verës ndërsa demokratët janë në ethet e zgjedhjes së një udhëheqësi të ri. Problemet e vërteta do të vijë vitin e ardhshëm, ndërsa ekonomia vazhdon të pësojë rënie, jo vetëm në Shqipëri, por në rajonin e Ballkanit në tërësi.

– Faleminderit, zonja Vickers!

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *