Prej kohësh, shkencëtarët kanë filluar ta lidhin higjienën maksimale me shfaqjen e disa sëmundjeve. Kohë më parë, një teori e hedhur nga studiuesit amerikanë sugjeronte se pastërtia absolute si pasojë e përdorimit të produkteve të pastrimit mund të ishte një nga arsyet e shfaqjes së sklerozës së shumëfishtë. Studiuesit e argumentuan teorinë e tyre, duke u shprehur se një ambient steril e “vinte në gjumë” sistemin imunitar, duke mos e lënë të zhvillohej dhe rrjedhimisht edhe organizmi bëhej më i dobët.
Një teori e ngjashme është hedhur nga ekspertët e Universitetit të Kembrixhit, të cilët kanë vënë re një lidhje mes vendeve me higjienë më të lartë sanitare dhe numrit të madh të pacientëve me Alzajmer.
Nga shifrat del qartë se britanikët janë të prirur të preken më shumë nga Alzajmeri sesa ata që jetojnë në vendi si Kenia dhe Kamboxhia. Sipas shpjegimit të tyre, pastërtia maksimale e zhbalancon sistemin imunitar dhe e bën të paaftë për të luftuar disa lloj bakteresh.
Studimi analizoi të dhënat e 192 vendve dhe arriti në përfundimin se aty ku rreziku i infeksionit ishte më i madh, numri i pacientëve me Alzajmer ishte më i vogël.
Studiuesit thonë se mungesa e kontaktit me bakteret çrregullon zhvillimin e rruazave të bardha të gjakut dhe në mënyrë të veçantë ato që njihen me emrin qelizat T, të cilat janë çelës për sistemin imunitar. Ky zhbalancim lidhet me llojet e inflamacionit që gjenden në trurin e pacientëve me Alzajmer. / G.Sokoli

Shkrim ekselent dhe arsyetim po kaq ekselent .
Por do te shtoja qe jo vetem ALZAJMERI ,por edhe semundje te tjera cfaqen nga “GJUMI ” , i LEUKOCITEVE !