Fëmijëria e krisur e vitit 1997

redaktor

 

Kujtimet e një 12-vjeçari mbi vitin 1997 në qytetin e Beratit. Taulant Ligori, një vit më parë boton librin “Berati kronikë nga ’97” ku me nota autobiografike rrëfen se çfarë ka ndodhur në qytetin e tij të lindjes. Rrëfimi në Dita i ish-studentit të “La Sapienza” në Romë

 

Nga Entela Resuli

Viti 1997 ka lënë gjurmë në vendin tonë. Shumë njerëz e kujtojnë të frikësuar atë periudhë, të tjerë, ende nuk e besojnë se si Shqipëria u pushtua nga ajo gjendje makthi, ku gjithandej dëgjoheshin krisma dhe një ditë pa të vrarë ishte një ditë e jashtëzakonshme.

Shqipëria u përfshi nga një gjendje të pazakontë, ku depot e armatimeve u hapën, ku pjesa më e madhe e familjeve kishin një armë në shtëpi dhe të dëgjoje krisma ishte gjëja mw e zakonshme.

Disa qytete e patën më të zhvilluar ‘luftën” mes tyre, si Vlora, Berati, Fieri.

Ata që kanë qenë fëmijë në atë vit, për habinë e shumëkujt kanë të fiksuar detaje që të rriturit ndoshta nuk u shkonte mendja.

Një nga fëmijët e ‘97-ës, Taluant Ligori, i cili është lindur dhe rritur në Berat sapo ka publikuar një libër pikërisht për atë periudhë.

“Berati kronikë nga ’97” e quan librin e tij Taulanti, i cili tregon shumë nga ajo çka kujton nga fëmijëria në rrugët e këtij qyteti, ku në vend të lodrave shihte tanke dhe në vend të fishekzjarrëve dëgjonte krisma armësh.

Ligori pas përfundimit të gjimnazit, shkoi në Itali për të vazhduar atje studimet e larta për Letërsi dhe Filozofi, në “La Sapienza” të Romës.

Pavarësisht viteve dhe jetës së tij jashtë vendit, ai nuk ka mundur asnjëherë të shkëpusë nga memoria e vitin 1997 ku qyteti i Beratit e ka përjetuar në mënyrë dramatike. Qindra njerëz janë vrarë edhe për një shikim apo fjalë goje. Në romanin e tij me nota autobiografike, 33-vjeçari rrëfen fëmijërinë e krisur ne këtë qytet. Histori vrasjesh dhe rrëmbimesh që ka dëgjuar e parë, por analizon gjithashtu se çfarë ka humbur ky qytet nga ky vit i mbrapsht…

 

Taulant Ligori
Taulant Ligori

-Taulant, përpara se të flasim për librin tuaj, na trego diçka për veten, ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj?

Unë kam lindur në qytetin e Beratit dhe fëmijëria ime është e mbarsur me farën e radhë shpirtërore të këtij qyteti. E them këtë sepse fëmijëria ime është krejt produkt i qytetit të Beratit, se si jetohet fëmijëria atje, me karakteristikat e tij zakonore, me vlerat e tij kulturore dhe fetare, të cilat i kam pasqyruar edhe në lirin tim “Berati kronikë nga ’97”.

Fëmijëria ime ka qenë si çdo fëmijëri e zakonshme e asaj kohe, pra vitet ’90. Ajo ka qenë e mbushur plot me lojëra, me zbavitje, me të qeshura, dhe, më lejoni një të qeshur tjetër, edhe me ndonjë sherr fëmijësh, natyrisht. Kam qenë shumë i tërhequr prej botës fantastike, përrallave, të cilat m’i rrëfente gjyshja ime, prej filmave dhe prej librave. Kam qenë shumë i dhënë pas shkollës dhe letërsisë, qysh fëmijë, dhe mund të them që shkolla e kryer në ato vite, ku për hir të së vërtetës ishte ende shumë e fortë dhe me mësues të kualifikuar mirë, ka ndikuar mjaft në formimin tim.

Pra mendimet e para të ndjeshme dhe me natyrë kritike, besoj se më kanë lindur si rrjedhojë e kontrastit midis botës së shkollës, të dijes, dhe të pranisë së mësuesve me botën e jashtme, jo me pak probleme në ato vite.

-Po sot, çfarë lidhje keni më qytetin e lindjes?

Me qytetin e lindjes kam lidhje të veçantë sepse ia njoh vlerat, dhe sepse vendi ku rritesh dhe formohesh mbetet kërthiza e botës. Berati më duket si një gjigant i moçëm, i mirë, i cili pret këdo me dashamirësi dhe urtësi, dhe nuk ka më fuqi të tregojë se sa shumë ka parë dhe dëgjuar. Dhe për ta thënë me një alegori, unë jam munduar të futem në mendimet e ngadalta të këtij plaku të moçëm – duke bërë kërkime, natyrisht – dhe kam nxjerrë që aty një pjesë të përgjithshme të thesareve dhe madhështisë së tij të fshehtë, për ta pasqyruar në veprën time.

-Pas gjimnazit ju jeni larguar për në Itali, pse zgjodhët këtë vend për studime?

Zgjodha Italinë për studime sepse ky ishte vendi që merrte më tepër studentë shqiptarë në atë kohë, dhe pse në Romë kisha disa të afërmit e mi.

-Tani që i keni përfunduar, mendoni se keni bërë mirë?

Padyshim që po. Do ta bëja prapë nga e para, madje më mirë. Nuk thuhet kot që dija e zbukuron njeriun dhe unë besoj në këtë.

-Për çfarë studiuat në Itali?

Studiova në fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë, në “La Sapienza” të Romës, dhe më pas kreva edhe specializimin dyvjeçar për Gjuhësi, po aty. Zgjodha këtë degë për dy arsye madhore. Kishte numrin më të madh të pranimeve për studentë të huaj në kohën kur aplikova për vizën e studimit dhe natyrisht, arsyeja tjetër lidhet me dëshirën dhe pasionin tim për letërsinë. Pra këto dy arsye, këto dy mundësi, më bënë që të pyesja veten në fund të fundit përse mos të ndjek frymëzimin tim? Më lejoni një buzëqeshje tjetër, por që shërben, sipas mendimit tim, edhe si një shembull se si dija dhe të lexuarit e ndihmojnë njeriun: në atë kohë lexoja Koelhon dhe u jepja rëndësi sinjaleve që ofronte realiteti për të realizuar vetveten.

-Ju jeni autor i librit “Berati kronikë nga ’97”. Çfarë keni dashur të tregoni nëpërmjet tij?

Po. Berati dhe gjithë Shqipëria kanë lënë gjurmë mbi mua. Gjurmë që me anë te librit dua të tregojë, në mënyrë që të tjerët t’i shohin dhe të ecin më mirë. Siç e kam thënë edhe herë të tjera, romani që unë kam shkruar është i shkurtër, vetëm 101 faqe, por mjaft i dendur me mendime dhe veprime, nga njëra anë simbolike, nga njëra anë gjithëkohore, që lipsin një lexim të ngadaltë dhe të thellë. Lexuesi mund të gjejë aty të shkrirë në dramën e personazhit protagonist gjithë kronologjinë e ngjarjeve kryesore të vitit 1997, si dhe informacione reale, gati antropologjike do të thoja, të fëmijërisë dhe historisë kulturore të viteve ’90.

Pra librin e kam shkruar në vetë të parë dhe e gjithë ngjarja filtrohet prej ndërgjegjes së Erjonit, protagonistit të romanit, te i cili dhe me anë të cilit, natyrisht, vihet në dukje edhe një pjesë e autobiografisë dhe personalitetit tim.

-Pse u fokusuat te viti 1997?

Jam fokusuar te viti ’97 sepse ky vit la gjurmë të thella psikologjike tek unë, dhe te një gjeneratë e tërë të rinjsh, besoj. Ngjarjet e papritura të atij viti, sidomos përhapja e armëve dhe e krismave në qytetin tonë, shënuan një krisje të vërtet në fëmijërinë time, ku realiteti i mëparshëm dhe realiteti që tashmë më rrethonte u vu fort në dyshim. Po të bëjë një përgjithësim shoqëror, për ta thënë me një term letrar, filozofik apo antropologjik, ai vit i dha shtyrje të re dhe më të madhe dukurisë së ç’kulturalizimit në Berat dhe Shqipëri.

Pra çrrënjosje nga vendbanimi, nga ambienti ku je rritur dhe vlerat që ke përftuar. Valët migruese që pasuan po me atë vit, janë një tregues konkret i fenomenit të ç’kulturalizimit që dua të shpreh.

-Për të gjithë Shqipërinë ky vit ka qenë i vështirë, por Berati ka kaluar vërtet situata të pazakonta. Ju vetë keni ndonjë histori personale me këtë vit?

Kam shumë histori personale me këtë vit. Me keqardhje mund të them, siç e kemi zakon ne shqiptarët, duke i lënë mënjanë intelektualizmat, që vetëm disa javë më parë u nda nga jeta në spitalin e Beratit për përdorim drogash të rënda një djalë i ri, i afërt në lagje dhe i afërt me familjen tonë, personazh simbol në romanin tim, i cili ishte djalë shumë i mirë dhe problemet me drogën i nisën pikërisht atë vit nga rrethanat dhe vrasja e një apo disa shokëve të tij të ngushtë.

Më kujtohet sikur të ishte dje, ngjarje të cilën e kam përshkruar edhe në roman, dita kur ai i përlotur dhe me sytë e një kafshe të kapur në cep të kafazit, na drejtohej neve djemve më të vegjël duke na thënë: – Po mos u drogoni, o kurva, mos u drogoni! Pati probleme për lidhje me bandat, por nuk kreu asnjë vrasje apo krim të rëndë, dhe e përsëris, ishte djalë i mirë në vetvete: – Jeta të bën, jeta!- janë fjalë të tjera të tij që nuk më harrohen.

-Çfarë tregoni ju në libër? Ngjarje apo keni zbuluar diçka me tepër se kaq?

Në libër, siç e lashë të kuptohet, përveç ngjarjeve që kam parë dhe dëgjuar vet, kam sjellë edhe shumë informacione mbi Beratin, mbi jetën e tij nëpër histori, si dhe kronologjinë e përgjithshme të vitit ’97 në Berat dhe në Shqipëri.

Pra me anë të leximit të disa librave të tjerë të njohur që kanë trajtuar këtë temë, jam dokumentuar dhe kam përmbledhur se çfarë ndodhi dhe si filloi e gjitha.

-Sipas jush, pse në Berat ky vit pati shumë viktima dhe duket se qyteti ishte në luftë civile?

Në qytetin e Beratit, ashtu si pothuajse në të gjithë Jugun e Shqipërisë, shteti u rrëzua. Nuk kishte më polici, as bashki apo institucione të tjera. Pra nuk mund të zbatohej më as Kushtetuta, ligji madhor. U krijua ndonjë komitet ndërqytetor, si ai i komitetit për shpëtimin e Jugut, me qendër në Vlorë në mos gaboj, por që realisht nuk kishte asnjë pushtet në jetën e përditshme. Në këtë situatë, me një boshllëk pushteti të theksuar dhe me armët e përhapura, erdhën duke u krijuar disa individë apo grupe kriminale që kishin si qëllim kontrollin për t’u pasuruar, në dëm të të mirave publike apo private. Në të vërtet qyteti nuk kaloi në një luftë civile sepse qytetarët beratas, nga ana e tyre etike, nuk u bashkuan numerikisht me ndonjë grup të caktuar për t’ju kundërvënë  njeri-tjetrit dhe këto banda mbetën të kufizuara, duke u vrarë kryesisht me njëra-tjetrën.

Pati përshkallëzime të mëdha si rrjedhojë e disa hakmarrjeve midis bandave apo individëve që banonin në lagje të ndryshme, deri sa u arrit të ndahej qyteti me një tank në mes të rrugës dhe me njerëz të armatosur që kontrollonin kalimin e qytetarëve nga një lagje në tjetrën, por mund të them që një luftë civile të vërtetë nuk pati. Ndërsa pati shumë viktima si rrjedhojë e krimit, e hakmarrjes, e vetëmbrojtjes, e gangsterizmit, por edhe si rrjedhojë e shumë aksidenteve me armë.

Problemet më të rënda dhe numrin më të madh të viktimave në qytetin tonë i prunë të lëshuarit nga burgjet, pas rënies së institucioneve. Bëhet fjalë për djem fare të rinj të cilët ishin dënuar për vrasje apo të tjera krime të rënda, me një rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilët u kthyen të lirë në qytet.

-Tani që kanë kaluar më shumë se 20 vite, a ka lënë pasoja ’97 ?

Besoj se pasojat kanë qenë të mëdha, jo vetëm nga ana materiale dhe institucionale por edhe nga ana psikologjike, kryesisht te të rinjtë. Formimi i modelit të gangsterizmit dhe të mafies si rrugë për t’u ndjekur, me qëllim pasurimin, besoj se pati jo pak përhapje.

-Keni bërë një kërkim se sa njerëz janë vrarë në këtë qytet, apo në zonën aty rrotull në këtë vit?

Nuk kam pasur mundësinë që të bëj një kërkim të hollësishëm mbi këtë argument, por në qoftë se në të gjithë Shqipërinë konflikti i vitit ’97 ka kushtuar rreth njëzetmijë viktima, besoj se në rrethin e Beratit kanë qenë me qindra.

-Cila ka qenë arsyeja më banale e një vrasje?

Edhe për ndonjë llaf goje, ndonjë shikim, apo ndonjë prezencë si dëshmitar okular në ndonjë ngjarje.

-Po tragjedi apo vrasja më masive?

Ka pasur disa, përfshirë ajo e Urës Vajgurore, por besoj që vrasja më masive ka qenë ajo e lagjes së “Gjashtëkaçit”, ku një bandë rivale hapi zjarr me kallashnikovë dhe armë të artilerisë së rëndë mbi një varg makinash të zëna në pritë. Nuk e di me saktësi numrin e viktimave, por ishin shumë.

-Çfarë dini për bandat e asaj kohe, çfarë është bërë me to tani?

Bandat e asaj kohe ishin të përbëra kryesisht nga ish të dënuar për krime të rënda, nga njerëz me precedentë penal ose të njohur si problematikë, nga banda vëllezërish, kushërinjsh ose shokësh me qëllime kriminale, por kishte edhe nga ata me qëllime hakmarrje.

Pjesa më e madhe e tyre mbetën të vrarë nëpër konfliktet e 97-ës, por edhe më pas. Nuk kam të tjera informacione konkrete, por besoj se nuk ka më banda, të 97-ës, por individë që u gjenden të përfshirë në një mënyrë në ato ngjarje dhe mbijetuan.

-A e meritonte Berati goditjen që mori nga viti 1997?

Një qytet si Berati që është ndër trashëgimitë botërore të UNESCO-s nuk e meritonte gjithë atë që ndodhi dhe as namin e keq që la më pas. Por, duke përdorur një tjetër personifikim, dua të them që ai ia hodhi edhe kësaj fatkeqësie historike të radhës, me durimin dhe urtësinë e tij.

-Mund të na tregoni një histori reale qe e keni përjetuar në atë vit?

Po, mund të tregoj kur grabitën komshiun tim 8-9 vjeçar, përpara lagjes. E kam përdorur në roman por me emra dhe personazhe të ndryshuar. Ishte një mëngjes vere i vitit 1997. Fëmijët luanin afër lagjes nën kontrollin e herë pas hershëm të prindërve. Unë isha duke zbritur shkallët e pallatit për të dalë, kur papritur dëgjova ulërimat e komshiut tim të vogël, Henrit, me të cilin shumë herë kisha luajtur. – O mami, o mami! – bërtiste ai duke ngjitur shkallët me vrap. Nuk pata kohë as që të mendoja mirë se çfarë po ndodhte kur u shkëmbeva me të nëpër shkallët e katit të dytë të pallatit, dhe një djalë me maskë të zezë në kokë dhe me pistoletë në dorë që po e ndiqte. Rrëmbyesi shtangu pak kur më pa, ai rregulloi maskën duke vazhduar të mbante pistoletën në dorë, ndërsa unë ndërkohë, instinktivisht, ia futa vrapit duke zbritur shkallët për të dal nga pallati. Djali me kapuç vazhdoi ta ndiqte Henrin, nën qarjet dhe ulërimat e tij të njëpasnjëshme. Unë, duke vrapuar drejt hyrjes tjetër të pallatit, bashkë me fëmijë të tjerë, për të gjetur ndonjë vend apo shtëpi ku të fshiheshim, dëgjova papritur disa të shtëna, dhe duke vrapuar, ndjeva se si adrenalina ime kërkoi në të gjitha shqisat se mos më kishte kapur ndonjë plumb, por rrëmbyesit kishin qëlluar në ajër, pasi kishin kapur Henrin, për të trembur njerëzit që të mos dilnin. Unë përfundova me të katra në depon e shtëpisë të një djali tjetër, me zemrën që gati po më hipte në fyt nga rrahjet, dhe gjyshja e tij na pa me çudi. Ndërkohë Henri ishte rrëmbyer dhe furgoni bashkë me të kishte dal prej lagjes. Filluan të dalin njerëz dhe pas një farë kohe zbrita edhe përpara lagjes edhe unë. Aty u fol se ç’kishte ndodhur dhe pashë gjyshen e Henrit, një grua shumë e mirë dhe bujare, me sy të pikëlluar dhe me këmbët zbathur, që ashtu siç ishte, në mënyrë rrëqethëse, u nis nëpër rrugë për të kërkuar nipin e saj të vogël.

Henri shpëtoi më pas. Disa të njohur të babait të tij ndërhynë dhe i vranë dy vëllezërit që e kishin rrëmbyer. Ata vëllezër kishin qenë djemtë e shoferit të babait të Henrit, i cili kishte qenë drejtor me pozitë të mirë sociale, dhe i pasur. Arsyeja e rrëmbimit me shumë gjasa ishte gjobëvënia në shkëmbim të pengut.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *