GJIROKASTER / Balua krejt indiferent për mundimet e Laros, ha si oligark

redaktor

Me një sjellje qartazi indiferente ndaj klimës së paqartë fiskale, mësohet se qeni gjirokastrit i racës pastor, Balo, prej muajsh kullufit sasi të pafundme ushqimi, a thua se jeton në Europën perëndimore të epokën e bumit ekonomik të viteve 60.

Lajmin e konfirmuan për Gojët e Liga burime familjare me Balon, konkretisht i zoti i shtëpisë Laro Babakoko. Kështu, bëhet e ditur se pastori 4 vjeçar nuk ka as ndjesinë më të vogël të tronditjes që po kalojnë tregjet financiare, e aq më pak të krizës ku është zhytur prej vitesh vendi fqinj, vetëm pak kilometra larg kufirit.

“I blej Balos një thes të madh me ushqim qensh çdo javë. Mistreci e mbaron në çast racionin dhe vjen e më fërkohet se do prapë, a thua se jetojmë në kohën kur dhrahmia ishte një me pesë me lekun. Me një ngrënie të tillë të papërgjegjshme, nuk e di ku do përfundojmë”, theksoi Laro Babameto, 43 vjeç, ekspert kontabël për disa firma private.

“Po që është bërë kapriçioz?”, shtoi ai, “nuk e fut në gojë ushqimin e thatë, po nuk e përzieva me copa mishi dhe pak lëng”.

Pronari i qenit deklaroi për mediat se qëllimisht e ka lënë disa herë televizorin ndezur tek lajmet ekonomike, tek të dhënat e papunësisë në qark dhe tek rritja e listave të borxhlinjve në marketet e qytetit, por ka arritur në konkluzionin se Baloja nuk jeton fare me realitetin.

“Mirë që unë deri tani ja kam dalë mbanë me punën që kam. Po sikur të falimentojnë ato firma që u përgatis regjistrat, ku do përfundojmë? Tre vakte të plota në ditë, plus qumësht, biskota, copa kockash e më the të thashë; as oligarkët nuk hanë kështu. Shpenzimet e Balos po tejkalojnë ato të djalit tim, Shametit”, u ankua pronari.

“Hej ç’na gjeti. Punon Larua, të hajë Balua”, shtoi i trishtuar Babakoko.

Fakti është që familjarët e kuptojnë se nga një qen, qoftë edhe pastor, nuk mund të presësh shumë. Sipas bashkëshortes së Laros, Balashe Babakoko, do të mjaftonte vetëm një sens përmbajtjeje dhe respekti nga ana e Balos, për situatën që po kalojmë.

“Unë e kuptoj që ai qen është tek e fundit; por ka një kufi. Balua ha si kafshë, gjysmën e ushqimit e derdh nga tasi, nuk ka as instiktin më të vogël të kursimit dhe kostot e mbajtjes së tij po rriten me 2% në muaj. Çfarë dreqin ka nuk shkon me të?”, shfryu e zonja e shtëpisë.

Tentativa të kota për të kuptuar sjelljen e Balos, bëri edhe veterineri i lagjes dr. Pertef Kallogreja, sipas të cilit metabolizmi i tij dhe aktivitetet ditore nuk e justifikojnë këtë konsum galopant.

“Të thuash se ka një stan për t’u kujdesur, apo se u këput duke ruajtur shtëpinë natën, mbase do ta justifikoja. Por Baloja rri shtrirë gjithë ditën pa bërë asnjë punë. E vetmja lodhje e tij, është shkërmoqja e qeseve të plehrave duke bërë helaq gjithë lagjen. Shkenca nuk e shpjegon dot këtë sjellje”, tha Kallogreja.

“Eh Balo, Balo! Taksirati i Laros thuaj!”, e mbylli prononcimin e tij veterineri.

 

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike me sens kursimi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *