KLSH merr nën hetim dosjen e parkingut në QSUT

anazapta

Pas kërcënimeve të bëra nga mjekët për ndërprerjen e operacioneve të planifikuara, nëse do vijojnë më tej punimet e prishjes së lulishtes së spitalit për zgjerimin e parkingut, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Ministrit të Shëndetësisë në “ikje”. Përmes një shkrese zyrtare titullari i këtij institucioni Halim Kosova ka bërë të ditur se e gjithë dosja e firmës që ka fituar koncesionin i është kaluar Kontrollit të Lartë të Shtetit për hetim të imtësishëm. Duke siguruar mbështetjen e kauzës së mjekeve, ministri Kosova është angazhuar dhe ka pohuar se do të kërkojë transparencë në lidhje me procedurat e ndjekura për dhënien me koncesion të këtij parkingu. “Me urdhër të ministrit Kosova u dërgua dje tek Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrata dhe dokumentacioni përkatës në lidhje me këtë koncesion, procedurat e të cilit janë ndjekur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se parkingu është dhënë me koncesion në fundin e vitit 2012, ndërsa kontrata është lidhur në 15 Mars 2013 nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Vlerësojmë se procedurat të cilat i përkasin drejtimit të mëparshëm të ministrive reciproke duhet të bëhen transparente nga ana e KLSH-së, e cila do të shqyrtojë koncesionin si dhe kontratën për parkingun”, citohet në deklaratën zyrtare të dikasterit të shëndetësisë. Konflikti mes mjekëve të shërbimit të urologjisë e kirurgjisë, si dhe firmës nisi rreth katër ditë më parë, kur zbritën në terren punimet për prishjen e lulishtes me qëllim kthimin e saj në një parking të madh për personelin shëndetësor. Punime, të cilat pas protestës së stafit mjekësor janë pezulluar menjëherë nga drejtoria e spitalit deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër të kësaj problematike. Mjekët konfirmuan se nuk janë kundër sistemimit të qarkullimit të automjeteve në QSUT, i cili është kthyer në një makth të vërtet, që jo vetëm po pengon punën e tyre, teksa po dëmton edhe shëndetin e pacientëve si rrjedhojë e zhurmave të forta, nivelit të lartë të ndotjes dhe pengesave që hasen në sjelljen e rasteve urgjente. Mjekët kërkuan që ndërtimi i parkingut të mos bëhet në kurriz të asaj pak sipërfaqeje të gjelbër që ka mbetur pa u zënë nga lokalet dhe shërbimet e tjera private. Faji për situatën e krijuar sipas drejtuesve të QSUT-së u takon drejtuesve paraardhës, të cilët kanë firmosur lejen për nisjen e punimeve për zgjerimin e parkingut. Lokalet dhe kioskat e hapura në ambientet e QSUT-së gjatë viteve të fundit janë të panumërta, për të cilat vetë mjekët pohojnë se janë më të shumta në numër se sa klinikat. Duke kërkuar edhe rishikimin e tyre, mjekët kërkojnë që të mos veprohet në dëmtim të shëndetit të pacientëve, por të përdoren hapësirat bosh për sistemin e parkingut, si dhe lirimin e qarkullimit të makinave nëpër rrugicat e klinikave.

 

Kioskat dhe lokalet pushtojnë klinikat e QSUT-së

Personeli mjekësor i QSUT-së vë në dukje se qendra spitalore gjatë viteve të fundit është uzurpuar nga lokalet dhe kioskat e panumërta të cilat kanë zënë stolat e pushimit dhe lulishtet, në të cilat pacientët nxirreshin për clodhje dhe ajër të pastër. Tashmë një praktikë e tillë pothuajse nuk ekziston pasi nga gjelbërimi i dikurshëm nuk ka mbetur asgjë. Madje, drejtuesit e shërbimeve shkojnë edhe më larg duke e krahasuar këtë qendër spitalore më shumë me një qendër tregtare se sa një qendër spitalore. “Qendra Spitalore, në pamje të parë i ngjan më tepër një qendër tregtare, se sa një qendre spitalore. Këtu ka një dyndje trafiku të paparë. Lulishtja, që është përballë blloqeve të operacioneve, nuk duhet të prishet për faktin se ndotet ambienti me tymra dhe me gazra. E dyta interferojnë të gjithë zhurmat e makinave me aparaturat e blloqeve të informacionit. Në spital ka më shumë karrige për t’u ulur në klube se sa shtretër për të sëmurë, kjo është një fatkeqësi. I ftojmë zotërinjtë që do të marrin qeverisjen që të kthejnë sytë nga Qendra Spitalore se është në mjerim”, deklaron shefi i shërbimit të kirurgjisë, Nikollaq Kacani. Për të shuajtur këtë skandal drejtoria e QSUT-së ka ngritur një grup pune për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët për ngritjen e parkingut, që mesa duket do të jetë e vështirë. Mjekët denoncojnë edhe pushtimin e qendrës spitalore nga lokalet dhe kioskat e panumërta, për të cilat kërkojnë rishikimin e tyre.

 

Share This Article
1 Comment
  • Shume te drejta kerkesat e pretendimet e mjekeve e te shefave per problemin e territorit te spitalit, por spitali ka prej kohe madje vite probleme edhe me te renda brenda pavioneve ku nuk egziston as uji i ngrohte per te bere nje banje pacientet qe rrine edhe nje muaj palare,nuk ka ilacet me elementare si antibiotike dhe as aspirine nuk gjen ne pavion kur te dhemb koka, mjeku rojes e ka dollapin e infermierise bosh fare kur ben roje naten dhe i lutet zotit qe mos te kete ndonje krize i semuri se ska me se ta qetesoje , kryeinfermieret marrin ilace ne librin e barnave por askush nuk kontrollon se ku shkojne keto ilace e sa merren ne farmaci nese jane ato ilace qe shenojne mjeket apo te tjera.Ne depot e farmacive ka ilace plot ne prag te skadimit e pastaj ato hidhen ne plehra me nje proces verbal te thjeshte.Te semureve nuk u matet si rregull as temperatura as pulsi as nuk peshohen kurre.Spitali ka vetem nje ashensor ku mbahen edhe ushqimet e te semureve edhe plehrat.Ne dhomat e te semureve ka nje turme te madhe familjaresh qe rrine aty e nuk lene te semuret te qetesohen.Administrata e spitalit ka me shume personel se cka tere ministria e shendetesise..E per keto e te tjera plot … keta shefa pse nuk e ngrinin zerin ne kohen e Berishes por rrinin squke.Pse u bene trima tani si kofini pas te vjelave?? Mendoj se duhet nje spastrim radikal i te paafteve qe kane zene rrenje ne spital me miq me para, dhe me nepotizem…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *