Entela Resuli
Një person i cili është mësuar që çdo ditë të hapë derën e kazinosë apo të lotos sportive ku ai luan, prej 1 janarit nuk do e ketë më këtë mundësi. Ky vendim i Qeverisë me siguri i ka futur ethet atyre që janë frekuentues të rregullt të këtyre ambienteve.
Kumari është pa diskutim një nga zakonet më të vjetra në botë. Ky ves ka ekzistuar bashkë me njeriun. Edhe kur nuk kishte kazino, kishte lojëra të ndryshme për të cilat njerëzit vinin baste, duke futur këtu lojëra sportive, me kafshë etj.
Problemi është kur ndaj këtyre lojërave krijohet varësi dhe vritet koha duke shkatërruar punën dhe familjen. Asgjë e mirë s’mund të vijë nga lojërat që përditë avancojnë duke krijuar skllevër të kohëve moderne. Në këtë situatë në Shqipëri, do të mbyllen dyert e kazinove, kemi vendosur të merremi me ata persona që janë frekuentues të rregullt të lojërave të fatit. Kemi folur sot me një specialiste.
Ajo është Arlinda Shella, psikologe. Në këtë bisedë na ka shpjeguar më shumë se çfarë është varësia ndaj kumarit dhe se si mund të kalohet lehtë, pa dëme.
Ajo na thotë se ky vendim do të ndikojë në forcimin e familjes, pasi sipas saj një numër i madh divorcesh kanë si motiv pikërisht këtë; varësin ndaj kumarit, nga bashkëshorti. Por edhe ekonomia e familjes do të jetë në një situatë më të mirë, pasi ato para që shkonin në kotësi, do të shkojnë në buxhetin e shtëpisë. E ku ka më mirë! Mbi të gjitha shpresohet që këta persona që janë të varur nga ky ves të mos gjejnë një formë tjetër për të shpërdoruar të ardhurat e tyre…pasi edhe ata vetë e dinë që kjo është në dëm jo vetëm të atyre si individ, por edhe të familjes.
-Arlinda, kryeministri ka lajmëruar se nga 1 janari, vitin e ardhshëm nuk do të ketë më kazino apo lojëra fati të ndryshme, të hapura në Shqipëri. Ka shumë njerëz që janë frekuentues të tyre. Çfarë do të ndodh me këta nga ana psikologjike?
Frekuentimi i shpeshtë i lojërave të fatit, ekspozimi i tyre pa kriter është kthyer në një problem të madh. Ky problem nuk është thjesht një problem social apo psikologjik, por teksa ky problem bëhet kaq prezent, atëherë kthehet në fenomen social.
Dhe kur një problem kthehet në fenomen nuk është më vetëm përgjegjësia e atyre që ushtrojnë këtë biznes me qëllime përfitimi, dhe e atyre personave që frekuentojnë këto lojëra duke krijuar varësi të plotë, por bëhet përgjegjësi e të gjithë shoqërisë. Bllokimi i kazinove do të tregoi se po vendoset një rregull në këtë vend, se s’mund të kesh më shumë kazino në lagje sesa supermarkete.
Shpeshtësia e madhe e këtyre bizneseve në çdo njësi banimi krijonte pa diskutim një varësi ndaj ambientit ku sigurisht ata më të varurit ndaj këtyre lojërave i përgjigjeshin më së miri, aq më tepër kur këto ambiente ishin lehtësisht të aksesueshme.
Ju më pyesni se çfarë do të ndodh me këta persona nga ana psikologjike. Dhe unë po ju them me siguri se do të pësojnë një shok psikologjik.
Vetëm tek ne ishte krijuar një situatë kakofonie për sa i përket ndërtimit dhe hapjeve të kazinove në zonat e banimit. Ato i gjen kudo, poshtë pallateve, në lagje të populluara.
Por s’duhet të harrojmë se në të gjithë botën këto kazino janë shumë larg zonave të banimit dhe në të gjithë botën ka kritere shumë të rrepta për të qenë pjesëmarrës i këtyre lojërave. E për ta theksuar akoma këtë argument, në gjithë botën nuk sheh fëmijë si në Shqipëri pjesëmarrës të këtyre lojërave dhe këtu çështja bëhet më serioze.
-Por çfarë është varësia ndaj lojërave të fatit, ndaj kumarit?
E drejtë, le të japim një definicion të përgjithshëm të asaj se çfarë konsiderohen lojëra fati. Në kuptimin e përgjithshëm, lojëra fati konsiderohen ato lojëra në të cilat pjesëmarrësve u jepet mundësia e fitimit në para apo sende me synim që rezultati i lojës të mos varet nga dija apo mjeshtëria e pjesëmarrësit në lojë, por nga rastësia. Tashmë nuk ka më diskutim se këto lojëra luajnë me hallet, me shqetësime e streset e njerëzve, jam shumë e sigurt se një target grup i konsiderueshëm i këtyre lojtarëve janë njerëzit e papunë, që mendojë dhe ushqejnë veten me shpresë të rreme duke u bërë pjesë e këtyre lojërave.
Në fakt duke futur veten në një tjetër problem më madhor sesa papunësia, duke krijuar një varësi psikologjike, një varësi të cilën ata jo vetëm s’e pranojnë, por mendojnë se e kontrollojnë. Tundime të tilla si paratë e fituara pa mund rrisin shumë fort adrenalinën dhe ata s’jetojnë më dot pa këtë adrenalinë. Prandaj të gjithë e përshkruajnë varësinë ndaj bixhozit si një sjellje vetëshkatërruese, ku njerëzit shpenzojnë shumë kohë dhe para duke i shkaktuar vetes dhe familjes shumë dëm. Ata bëhen të varur nga sjellja e tyre ndaj kumarit dhe nuk ndalojnë edhe kur fitojnë një shumë të madhe. Por edhe kur nuk fitojnë, ata shesin çdo gjë madje, jo të pakta janë rastet të cilat kemi dëgjuar kur shesin dhe shtëpitë duke shkatërruar plotësisht dhe jetën e familjarëve.
-A është ky një nga veset më të këqij për njeriun dhe deri ku mund të shkojë një person që vuan nga kjo varësi?
Po, sigurisht që është një nga veset më të këqija për një logjikë shumë të thjeshtë. Nëse droga, alkooli, duhani shkatërrojnë shëndetin fizik vetjak të personit dhe kjo bëhet e dukshme sepse vijnë një sërë sëmundjesh, madje dhe vdekja, ndërsa tek varësia ndaj kumarit pasojat nuk bëhen kaq të dukshme pasi shkatërrohet shëndeti psikologjik jo vetëm i atij që ka këtë varësi, por edhe i të gjithë familjarëve të tij.
-Për ata që kanë një të njohur apo të afërme të varur nga ky ves. Si duhet të sillemi në këto momente me këta persona?
Sot, është e vështirë të gjesh njeri që nuk ka luajtur qoftë dhe një herë të vetme, pasi vetë lojërat s’janë më primitive, përkundrazi kanë evoluar, janë modernizuar, janë shumëfishuar mundësitë dhe mënyrat për t’i përdorur. Janë bërë atraktivë më së miri sa për të krijuar skllevërit e kohës. Megjithatë, lidhur me të afërmit dua të theksoj se është shumë e rëndësishme që mos i braktisim këta persona në asnjë moment, nëse ne i braktisim i kemi çuar me duart tona drejt dyerve të këtyre lojërave.
Është e rëndësishme të jemi shoqërues të mirë, të jemi komunikues të mirë , të kuptojmë zanafillën e streseve të këtyre njerëzve, t’i angazhojmë me sa më shumë punë, pra t’i mbajmë të zënë, t’i orientojmë drejt sporteve, sidomos moshat e reja.
-A ka ndikuar fakti që këto kazino janë frekuentuar kaq shumë, duke u nisur nga aksesmi i lehtë i tyre. Dmth mjafton të zbresësh poshtë pallatit ku banon dhe e gjen lehtë një kazino?
Sigurisht, duhet të jenë larg syrit dhe kontaktit të përditshëm. Pas mbylljes se tyre jam shumë e sigurt që numri i të “infektuarve” ndaj kësaj varësie do të ulet. A do pasohet kjo me depresion? Po edhe mundet, por do shtohet përgjegjësia e familjarëve për t’i asistuar më shumë dhe për të marrë shërbimet e duhura psikologjike. Do të ulet numri i divorceve. Të jeni të bindur që një numër i madh çështjesh për zgjidhje martese që vijnë në Gjykatën e Tiranës një prej motiveve kanë edhe këtë, faktin që bashkëshorti i harxhon lekët në kumar. Shpresojmë që kjo nisme të reflektoj në forcimin e familjes, pasi varësia ndaj lojërave të fatit, sidomos e kryefamiljarit e ka bërë më të dobët atë.
Fenomeni
“Pacientët” më të vështirë…
Për psikologen, ata që kanë krijuar varësi ndaj kumarit dhe që i drejtohen specialistit janë të rrallë, por nuk mungojnë. Të trajtosh një person që shkon rregullisht në një kazino dhe të bësh atë të mos e shohë më atë derë është një sfidë me vete për psikologun. Pa dashur të flas konkretisht, ajo na tregon se këta janë pacientët më të vështirë me të cilët mund të merresh. Por ja që ndodh të kemi një të afërm apo person të familjes që ka këtë “pasion”, si t’ia bëjmë? Psikologe Arlinda ka këtë këshillë: “Është e rëndësishme të jemi shoqërues të mirë, të jemi komunikues të mirë, të kuptojmë zanafillën e streseve të këtyre njerëzve, t’i angazhojmë me sa më shumë punë, pra t’i mbajmë të zënë, t’i orientojmë drejt sporteve, sidomos moshat e reja”.
Shenjat dhe simptomat e problemit të kumarit
Varësisë ndaj kumarit, i referohen si një ‘sëmundje e padukshme’, për shkak se nuk ekzistojnë shenja të dukshme fizike apo simptoma si te përdorimi i drogës dhe alkoolit. Kumarxhinjtë zakonisht e mohojnë ose e zvogëlojnë problemin. Ata madje shkojnë shumë larg për të fshehur zakonin e keq të kumarit. Për shembull, kumarxhinjtë shpesh largohen nga njerëzit e dashur, hyjnë pa u ndjerë në shtëpi dhe gënjejnë për vendet ku kanë qenë.
A kam probleme me kumarin?
Ju mund të keni probleme me kumarin nëse:
- Nëse ndieni nevojën ta mbani kumarin të fshehtë. Nëse ju e fshihni faktin kur luani kumar ose gënjeni rreth frekuencës kur luani, me mendimin se të tjerët nuk do t’ju kuptojnë ose nëse doni t’i habisni ata me një fitim të madh.
- Keni probleme me kontrollin e kumarit. Kur fillon të luash kumar, a mund të largohesh? Apo jeni të vendosur që të luani edhe qindarkën e fundit, duke shtuar bastin që të fitoni çfarë keni humbur?
- Luani edhe kur s’keni para. Një shenjë e keqe është kur bëheni gjithnjë e më të dëshpëruar për të rikuperuar humbjet tuaja. Do të luani derisa të shpenzoni gjithçka keni me vete, paratë, çeqet, kartat e kreditit, makinën madje edhe gjëra që s’janë tuajat. Mund të ndiheni në presion për të marrë borxh, shitur apo vjedhur gjëra që të bëni para për kumar. Është një rreth vicioz. Ju mund ta besoni me të vërtetë se do të fitoni çfarë keni humbur, por jeni duke shkuar drejt një vrime të zezë.
- Familjarët dhe miqtë janë të shqetësuar për ju. Mohimi e bën problemin e kumarit të vazhdojë. Nëse familja dhe miqtë janë të shqetësuar dëgjojini me kujdes. Mendojeni mirë sesi kumari po ndikon në jetën tuaj. Nuk është dobësi të kërkoni ndihmë.
Trajtimi për problemin e kumarit
Çdo kumarxhi është unik dhe kërkon një program përmirësimi të veçantë për të. Çfarë funksionon për njërin, nuk është e thënë të funksionojë për të gjithë.
Hapi më i mirë për trajtimin është të kuptosh se ke një problem me kumarin. Kjo kërkon fuqi të madhe dhe tepër kurajë, sidomos nëse keni humbur shumë para dhe ju është shkatërruar jeta. Shumë të tjerë kanë qenë në gjendjen tuaj dhe ia kanë hedhur. Të kalosh varësinë ndaj kumarit nuk është kurrë e lehtë, por shërimi është i mundshëm nëse i përmbaheni trajtimit dhe kërkoni ndihmë.
Terapia për kumarin
Terapia e sjelljes konjitive (njohëse) për problemet me kumarin fokusohet në ndryshimin e sjelljeve dhe mendimeve të pashëndetshme si arsyetimi dhe besimet e pavërteta. Kjo mund t’u mësojë kumarxhinjve problematikë si të luftojnë dëshirën për të luajtur, si të përballen me emocione të pakëndshme në vend që të vrapojnë drejt basteve dhe si të zgjedhin problemet financiare, të punojnë dhe të rregullojnë marrëdhëniet e prishura prej varësisë. Qëllimi i terapisë është të rilidhin neuronet e trurit të varur duke menduar për kumarin në një mënyrë të re. Një variacion i terapisë konjitive të sjelljes quhet “Programi me katër hapa” dhe është shumë i suksesshëm në rezultate. Synimi i kësaj terapie është të ndryshojë mendimet dhe besimet tuaja rreth kumarit në katër hapa: riemërim, rishikim i tipareve, ripërqendrim dhe rivlerësim. Kërkesa për një terapist nuk do të thotë se jeni të dobët apo që nuk mund të përballeni me problemet tuaja. Terapia është për njerëz që janë mjaftueshëm të zgjuar për të kuptuar se u duhet ndihmë. Mund t’ju japë mjetet dhe ndihmën për të rikuperuar jetën tuaj.
Ndryshimi i stilit të jetës dhe zgjedhjet
Një rrugë për t’u larguar nga problemet me kumarin, është të analizoni se çfarë zgjedhjesh të shëndetshme ju duhen në jetën tuaj.
Katër elementët që i japin jetë problemit të kumarit janë:
- Vendimi: përpara së të luani kumar, ju merrni një vendim. Nëse ju lind ideja të luani, ndalojeni atë që po bëni, telefononi dikë, mendoni për pasojat, qortojeni veten dhe gjeni diçka tjetër me të cilën të merreni.
- Paratë: zakoni i keq i kumarit nuk vazhdon pa para. Largojini nga vetja paratë dhe kartat e kreditit, lini dikë tjetër të menaxhojë para tuaja dhe aktivizoni pagesat automatike nga banka.
- Koha: ata që luajnë, kanë kohë të lirë të mjaftueshme. Krijojini vetes një agjendë të ngjeshur e cila do t’ju japë edhe mundësi për të punuar edhe gjëra me të cilat do të argëtoheni. Mos harroni t’i kushtoni rëndësi familjes suaj.
- Një lojë: pa një lojë apo aktivitet ku mund të vini baste, nuk mund të tundoheni. Ndaj qëndroni larg këtyre mjediseve, që të mos ju ngacmohet dëshira për të luajtur.
Kumari dhe vetëvrasja
Kur ata që luajnë shumë lojëra fati ndihen të pashpresë, rreziku që të kryejnë vetëvrasje është i lartë. Është shumë e rëndësishme t`i merrni seriozisht bisedat ose mendimet për vetëvrasje tek personat e varur nga kumari. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi kërkoni ndihmën e specialistëve ose metoda të tjera bashkëkohore në internet.

Me siguri do te gjejne menyra te tjera per te luajtur. Nuk eshte kaq e lehte sa e paraqisni ju.
Bravo Entella,
Ke shkruajtur artikullin interesant. Ne historine e gazetarise nuk jane bere kurre shkrime per kumarin. Ti je e para. Biles as ne Europe nuk eshte trajtuar kurre kjo teme shume interesante. E lexova me nje fryme. Intervista fantastiche.
Disa gazetar ( natyrishte me te dobet se ty) e quajne Europen ….Plake ! Une nuk e kam kuptuar psene. Ti duhet ta dishe, natyrishte.
Kjo Europa plake nuk e ka hequr kumarin me ligj. Une prap nuk e di psene. Ti duhet ta dishe natyrishte
Sallake
Evropa martin dhe burrat
Meriton dhe gratë mes tyre
Çiftet nderojnë partnerët në grup4 e më shumë
Ti si sallaks i DJATHTË SI thua
O më i keq kumari apo kot të tjerët
Shife e fut moj gur me karambol në bilardo me stekën e ….