Qeveria e re, Nishani takon Ramën, pritet mandatimi si kryeministër

redaktor

Presidenti Bujar Nishani pritet të mandatojë sot kreun e PS Edi Rama për krijimin e qeverisë së re.

Kreu i Shtetit ka pritur në orën 09:56 kryeministrin e propozuar Edi Rama për ta ngarkuar me detyrën e krijimit të qeverisë së re.

Propozimi për emërimin e zotit Rama, si Kryeministër i Shqipërisë, iu dorëzua një ditë më parë kreut të shtetit nga kryetari i Partisë Socialiste, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mbështetur në nenin 96, pika 1, të Kushtetutës së vendit.

Pas emërimit nga ana e presidentit, Rama dhe qeveria e ardhshme do të votohet në Kuvend.

Kushtetuta

Në nenin 96 të Kushtetutës përcaktohet qartë procedura e formimit të qeverisë së re.

“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në nenin 96 të Kushtetutës.

Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama. Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për kryeministër. Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e sotme.

“Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, thuhet në Kushtetutë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *