Fshiu serverin e kryeministrisë më 21 janar, emërohet drejtor tek ILDKP

editor

Njeriu i akuzuar për fshirjen e serverit të kryeministrisë me pamjet e vrasjes së 4 protestuesve më 21 janar, emërohet në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në ditën që zyrtarisht Sali Berisha iku nga kryeministria, Armando Kaso shpërblehet me një tjetër post.

zogu sales n gjyq

Burime të besueshme i thanë TemA-s se Kaso është emëruar drejtor IT tek institucioni i drejtuar prej Zana Xhukës, që ka milituar dhe ka bërë karrierë gjatë qeverisë së Partisë Demokratike. Emërimi i Armando Kasos është bërë gjatë ditës së martë, ndërkohë që pak kohë më parë ai u shpall i pafajshëm nga gjykata ndaj akuzës për shpërdorim detyre dhe për pengim në zbulimin e së vërtetës për ngjarjet e 21 janarit.

Gjykata u shpreh se në rastin e Kasos nuk ka asnjë shkelje ligjore. Për rrjedhojë, Armando Kaso është shpallur i pafajshëm pavarësisht se akuza kërkoi dënimin e tij me dy vite burg. Provat e ardhura nga laboratori i FBI-së flisnin se në serverin e kryeministrisë ishin fshirë pamjet e 21 janarit. Në to ishin vetëm pamjet e datës 22 janar 2011, ku dukeshin disa prokurorë që mblidhnin prova jashtë dhe brenda rrethimit të kryeministrisë.

Megjithëse këto prova u cilësuan nga gjykata si të dobishme, në fund u vendos pafajësi.

Grupi i hetimit në prokurorinë e Tiranës ndoqi gjurmët e këtyre filmimeve, të cilat të çonin tek disa zyrtarë të Këshillit të Ministrave dhe të Gardës së Republikës. Këta të fundit dyshoheshin se kishin “frenat” e zyrës së serverit, pas disa shkresave të mbërritura në prokurori. Por personi përgjegjës ishte pikërisht Kaso, i cili u procedua penalisht dhe pas dy vitesh nën hetim e gjykim mori një vendim të formës së prerë për pafajësi.

Akuza, gjatë hetimeve për këtë rast, mori një sërë punonjësish në pyetje, teksa shkoi deri tek disa punonjës të Gardës së Republikës, të dyshuar se kishin marrë një kopje të filmimeve.  Vetë Kaso ka pohuar para hetuesve se “një kopje ia kishte dhënë punonjësve të Gardës”.

Madje ai ka thënë se ka marrë urdhër që një kopje tjetër të këtyre filmimeve t’ua japë disa zyrtarëve të Këshillit të Ministrave, eprorë të tij, që e kishin urdhëruar të bënte kopjimin e pamjeve në një CD. Ai tha se nuk i kishte fshirë pamjet nga serveri, por e kundërta e kësaj deklarate u zbulua në laboratorët e FBI-së, sipas të cilëve, në serverin në fjalë ishte ndërhyrë duke fshirë këto pamje.

berish bash prendi 22 janar

Për heshtjen e tij Kaso është shpërblyer me postin e drejtorit të IT në një institucion, ku pas humbjes së zgjedhjeve nga Partia Demokratike, kanë filluar reprezaljet për hapjen e vendeve të punës.

Pak kohë më parë, kreu i ILDKP-së shkarkoi katër drejtues kryesorë të administratës së institucionit, që Xhuka që drejton prej janarit të këtij viti. Largimin e tyre, punonjës të këtij institucioni e komentojnë vetëm me faktin e hapjes së vendeve të reja të punës për të ‘papunët’ e opozitës së re.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Gjithçka shpërblim për heshtjen kriminale! Po u çel ky gurmaz të shpie ne çerdhen e urdheruesve të vrasjeve. Ky gurmaz duhet të çelet…?

  • VR ! Gjithçka shpërblim për heshtjen kriminale! Po u çel ky gurmaz të shpie ne çerdhen e urdheruesve të vrasjeve. Ky gurmaz duhet të çelet…?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *