Shërbimi i infektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet vijon të përballet me një fluks të lartë urgjencash të shkaktuara nga virozat e stinës. Duke mohuar prezencën e ndonjë virusi të ri në qarkullim, mjekët e këtij shërbimi pohojnë se pjesa dërrmuese e rasteve përbëhen nga virozat e stinës, të cilat bëhen edhe më të dukshme si pasojë e luhatjeve të temperaturave. Çdo ditë 90-110 pacientë paraqiten pranë këtij shërbimi për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, si rrjedhojë e komplikacioneve të shfaqura prej virozave të stinës. Pjesa dërrmuese e pacientëve manifestojnë simptoma të tilla që kanë të bëjnë me probleme në rrugët e frymëmarrjes, diarre, temperatura të larta, të vjella si dhe shqetësime të tjera të aparatit tretës. Sipas mjekëve ky fluks i lartë në shumë raste vjen edhe nga preferencat që bëjnë mjekët e spitaleve rajonale, të cilët i referojnë shtrimet drejt kryeqytetit. Për të shmangur këtë mbingarkesë në shërbim, mjekët apelojnë që pacientët të mos neglizhojnë marrjen e kujdesit mjekësor pranë mjekut të familjes, dhe jo të shihet në çdo rast si zgjidhje e vetme vajtja drejt spitalit. Sa i takon komplikacioneve të virozave mjekët këshillojnë pacientët që t’i drejtohen mjekut të familjes apo të paraqiten në urgjencat më të afërta në rast të shfaqjes së simptomave të para siç janë dhimbjet e fytit, probleme me stomakun, diarre, të vjella e temperaturë të lartë. Krahas fëmijëve virozat kanë prekur në masë edhe të moshuarit. Te moshat e treta luhatja e temperaturave ka stimuluar edhe sëmundjet e moshës, siç janë tensioni, veshkat, diabeti. Pavarësisht numrit të lart të sëmurëve, nuk ka pasur raste vdekshmërie nga virozat. Megjithatë kujdesi ndaj tyre duhet të jetë maksimal nga të gjitha grupmoshat.
