Obama: Ndërhyrja në Siri është në interes të SHBA

redaktor

Presidenti Barak Obama dje shpjegoi arsyet për të parandaluar përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane. Presidenti Obama gjithashtu mbështeti një nismë diplomatike ruse për të zgjidhjen e krizës.

Në fjalimin e tij 15-minutësh drejtuar popullit amerikan, presidenti Obama përmendi zhvillimet diplomatike të ditëve të fundit duke i quajtuar ato “shenja inkurajuese.”

Sipas propozimit rus, Siria do të duhet të lejojë vënien e armëve të saj kimike nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara, dhe Shtetet e Bashkuara duhet të pezullojnë planet e saj për sulme ushtarake kundër Sirisë.

Presidenti Obama tregoi optimizëm të përmbajtur në lidhje me mundësinë e suksesit të këtij plani.

“Është shumë herët të themi nëse kjo ofertë do të ketë sukses, dhe çdo marrëveshje duhet të jetë në gjendje të verifikojë se regjimi i Assadit i respekton angazhimet e veta. Por kjo iniciativë ka potencialin për të hequr kërcënimin e armëve kimike pa përdorimin e forcës.”

Fjalimi i mbrëmshëm i presidentit Obama fillimisht ishte planifikuar për të kërkuar mbështetjen e Kongresit dhe publikut amerikane për një ndërhyrje ushtarake kundër Sirisë.

Por pas ndryshimit të shpejtë të zhvillimeve diplomatike, fjalimi u rishkrua, dhe presidenti i kërkoi ligjvënësve të vonojnë votimin e planifikuar për veprime ushtarake kundër Sirisë.

“Prandaj, unë i kam kërkuar udhëheqësve të Kongresit të shtyjnë votimimin për autorizimin e përdorimit të forcës, ndërkohë që ne ndjekim këtë rrugë diplomatike. Unë do të dërgojë Sekretarin e Shtetit John Kerry të takohet me homologun e tij rus të enjten, dhe do të vazhdojë diskutimet e mia personale me presidentin Putin.”

Megjithatë, presidenti tha se ushtria amerikane do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie nëse masat diplomatike dështojnë.

Në fjalimin e tij, presidenti u përqëndrua më shumë mbi nevojën për të ndalur përdorimin e armëve kimike, duke përdorur edhe forcën ushtarake nëse është e nevojshme.

Ai tha se më 21 gusht të këtij viti qeveria e presidentit Bashar al-Assad përdori armët kimike duke vrarë mbi 1 mijë civilë përfshirë qindra fëmijë. Presidenti Obama gjithashtu tha se nëse Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar nuk veprojnë, armët kimike do të përdoren përsëri dhe ato mund të bien në duart e udhëhqësve të tjerë autoritarë dhe në duart e terroristëve të cilët mund t’i përdorin ato kundër civilëve dhe ushtarëve amerikanë.

Zoti Obama tha se idealet, parimet dhe siguria kombëtare e Shteteve të Bashkuara rrezikohen nëse nuk merren masa kundër përdorimit të armëve kimike.

Shumë amerikanë, përfshirë anëtarë të Kongresit, janë kundër ndërhyrjes ushtarake. Në anketën e fundit, gati 60 përqind e amerikanëve të pyetur ishin kundër veprimeve ushtarake në Siri.

Miratimi i ndërhyrjes ushtarake nga Kongresi nuk është i lehtë, veçanërisht në Dhomën e Përfaqësuesve, edhe pse dy udhëheqësit kryesor të republikanëve e mbështesin atë.

                                                     ***

Në një fjalim drejtuar vendit presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama tha se askush nuk e vë në dyshim se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad është përgjegjës për përdorimin e armëve kimike në Siri duke vrarë mbi 1 mijë civilë përfshirë fëmijë. Ai tha se nëse Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë, armët kimike do të përdoren përsëri dhe këto armë mund të bien në duart e udhëhqësve të tjerë autoritarë dhe në duart e terroristëve dhe mund t’i përdorin ato kundër civilëve dhe ushtarëve amerikanë.

Presidenti Obama tha se reagimi ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri është në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Pas shumë analizave të kujdesshme kam vendosur se është në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara t’i përgjigjemi përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Assadit përmes një sulmi të kufizuar ushtarak. Qëllimi i këtij sulmi do të ishte parandalimi i përdorimit të armëve kimike nga Bashar al-Assadi, për të eliminuar aftësitë e tij të përdorimit të tyre dhe për t’ia bërë të qartë botës se nuk tolerojmë përdorimin e tyre. Ky është vlerisimi im si kryekomandant i forcave të armatosura”.

Por, presidenti Obama tha se megjithëse ai ka autoritetin për të urdhëruar sulmet ushtarake, ai do të kërkojë miratimin e kongresit për një veprim të tillë. Ai tha se beson se “demokracia jonë është më e fortë kur presidenti ka mbështetjen e Kongresit”.

Presidenti Obama tha se kërcënimi i besueshëm për ndërhyrje ushtarake kundër Sirisë nga Shtetet e Bashkuara, çoi në krjimin e kushteve për një zgjidhje të mundshme diplomatike të krizës.

Presidenti iu referua përgjigjes pozitive të Sirisë ndaj një propozimi rus për të vënë armët e saj kimike nën kontrollin ndërkombëtar dhe për shkatërrimin e tyre.

Presidenti Obama tha se është shumë herët për vendosur nëse një marrëveshje e tillë mund të arrihet, por ajo afron një shans për të shmangur përdorimin e forcës.
Ai tha se i ka kërkuar Kongresit të shtyjë votimin për një sulm ushtarak, dhe do të vazhdojë kontaktet me presidentin rus Vladimir Putin.

Por zoti Obama tha se ai i ka kërkuar ushtrisë amerikane të qëndrojë në pozicionet aktuale për ta mbajtur nën presion regjimin e Asadit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *